Arbëri

Refuzimi pa arsye për lirim me kusht, ankesa kryesore e të burgosurve

Një raport i EULEX-it ka nxjerrë të dhënën se është aprovuar vetëm një e treta e kërkesave për lirim me kusht të të burgosurve. Pasi ka dëgjuar gjetjet e raportit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për parandalim të krimit

700 kërkesa për lirim me kusht të të burgosurve janë parashtruar gjatë vitit 2021, e vetëm 29 për qind e tyre janë aprovuar, thotë një raport i Eulexit, i prezantuar të enjten.

Gjetjet e dokumentit, që i referohet periudhës mars-shtator 2022, janë dëgjuar edhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka marrë pjesë në ngjarje. Ajo tha se ankesat më të shpeshta të të burgosurve janë që lirimi me kusht u refuzohet pa arsye.

“Besoj që pajtohemi se dënimi me burgim nuk duhet të jetë masa e vetme për sigurinë publike dhe parandalimin e krimit, sidomos kur është fjala për krime që nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore. Lirimi me kusht nuk është vetëm proces ligjor, por edhe njerëzor apo human, sepse konsiderohet duke marrë parasysh si sjelljen dhe korrektimin e të dënuarit ashtu edhe sigurinë publike dhe interesat e institucionit. Në vendet demokratike siç është edhe Republika e Kosovës, lirimi me kusht është instrument i zakonshëm”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka thënë se institucioni që drejton po punon për ta përmirësuar mekanizmin për lirimin me kusht të të dënuarve.

“Ne si Ministri e Drejtësisë kemi punuar dhe vazhdojmë punën bashkë me akterët relevantë për përmirësimin e mekanizimit për lirimin me kusht të të dënuarve, si dhe sigurimin që ky proces të jetë në përputhje me parimet dhe vlerat kushtetuese, por edhe standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Haxhiu, teksa ka bërë me dije se për ta adresuar shqetësimin e të burgosurve do të bëjnë edhe ankimimin e këtyre vendimeve.

E, shefi i Eulexit, Lars-Gunnar Wigemark, foli për rëndësinë që ka lirimi me kusht i të burgosurve.

“Lirimi me kusht i referohet lirimit të mbikëqyrur të të burgosurve, para përfundimit të dënimit të tyre të plotë. Ai është krijuar për t’u ofruar individëve një mundësi për t’u riintegruar gradualisht në shoqëri, me disa kushte specifike. Koncepti i lirimit me kusht pranon se dënimi si i vetëm nuk çon domosdoshmërisht në rehabilitim”, ka thënë Wigemark.

Zëvendësi i drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, u zotua se vlerësimi për lirim me kusht do të bëhet në prani të të dënuarve.

“Tani e tutje ky vlerësim do të bëhet në bashkëpunim apo në afërsi me secilin të dënuar, duke pasur një pasqyrë reale i dënuari. Secili raport është duke u përcjellë te paneli i lirimit me kusht. Sigurisht që kjo neve na ka shkaktuar telashe në të kaluarën, sepse në momentin kur një i dënuar pranon një vendim negativ nga paneli për lirim me kusht dhe ka vonesa ditore, vonesa edhe javore, neve na shkakton edhe telashe në raport me menaxhimin ditor. Fatmirësisht kjo dukuri ka filluar të përmirësohet”, ka deklaruar ai.

Raporti i Eulexit përmban edhe rekomandime për institucionet, në krye të të cilave është ai që kërkon që çdo përgjigje që e jep paneli i lirimit me kusht të të burgosurve, të përfshijë një justifikim të qartë që bazohet edhe në vlerësimin individual të secilit aplikant.