Arbëri

Reciprociteti në targa rriti “temperaturat” në veri

Zhvillime dramatike pati në veri, në mesin e shtatorit dhe fillimin e muajit tetor të këtij viti, veçanërisht në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë. Vendimi i Qeverisë Kurti për të vendosur reciprocitetin në targa nxiti revoltën e disa serbëve lokalë, por më shumë të regjimit të Beogradit. Pas gati dy javësh tensione dhe bllokim të rrugëve, në Bruksel u arrit marrëveshja e cila në një mënyrë legjitimoi vendimin e Qeverisë. Zyrtarët e BE-së patën kritika për veprimet e Qeverisë në veri sidomos për aksionin që u ndërmor më vonë në luftimin e krimit dhe kontrabandës, ndryshe nga NATO-ja që u dha mbështetje autoriteteve të Kosovës

Përfundimi i afatit të marrëveshjes për targat me Serbinë dhe vendimi i Qeverisë Kurti për të vendosur reciprocitetin e ktheu veriun e Kosovës në qendër të vëmendjes brenda dhe jashtë Kosovës.

Zbatimi i vendimit për targat u pasua me reagimin e grupeve të organizuara të serbëve lokalë e sidomos të pushtetit në Beograd. Në afërsi të dy pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak, nga 20 shtatori për 13 ditë mbizotëroi situatë e tensionuar. Qarkullimi i automjeteve dhe mjeteve të tjera transportuese u ndërpre.

Qindra metra nga pikëkalimet kufitare u vendosën zyrtarë të njësisë elitare të Policisë së Kosovës, për të penguar depërtimin e protestuesve serbë deri tek qendrat e kontrollit. Në pamundësi të pengimit të zbatimit të vendimit, protestuesit vendosën barrikada me kamionë të tonazhit të rëndë, në gjatësi prej afro 3 kilometrash.

Sado që protestuesit provokonin tensione me fyerje e këngë nacionaliste, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës menaxhuan situatën pa asnjë incident. Me qëllim të pengimit të incidenteve, në atë pjesë të vendit u vërejt edhe prania e pjesëtarëve të KFOR-it.

“Pro et Contra” vendimit të Qeverisë

Vendimi i ekzekutivit që nënkuptonte se veturat që hyjnë nga Serbia në Kosovë të kishin obligim pajisjen me targat e përkohshme, ashtu sikurse deri më tani kanë bërë qytetarët e Kosovës që hynin në Serbi, nxiti reagime të shumta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë iu bashkua thirrjes së BE-së që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet.

Drejtuesit e Qeverisë situatën e vlerësonin të qetë dhe të menaxhueshme, por akuzonin Serbinë që po përpiqet ta përshkallëzojë atë.

“Vuçiqi nuk ka asgjë të mirë për rajonin, këtë mendim e ndajnë edhe ndërkombëtarët”, ka thënë zv.kryeministri Besnik Bislimi.

Por të tillë nuk e ka konsideruar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ndonëse deklaronte se dëshiron paqe, ai vazhdimisht në adresimet e tij ka përdorur tone kërcënuese. Vuçiqi akuzoi Kosovën për shkelje të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, derisa përmendi edhe trazirat e marsit të vitit 2004.

“Do të dimë të mbrojmë popullin tonë. Persekutimi i 2004-s ndaj popullit serb më nuk do të lejohet”, ka thënë Vuçiqi në një konferencë për media në Beograd, derisa paralajmëroi ndërmarrjen e masave nga ana e Serbisë.

Presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë mbështetje vendimit të ekzekutivit. Sipas saj, me këtë është duke u zbatuar marrëveshja e nënshkruar në Bruksel.

“Reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vetë BE-ja. Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit e jo Kosova”, ka shkruar Osmani në reagimin e saj në Facebook, mbrëmjen e 20 shtatorit, derisa kërkoi nga Bashkimi Evropian që të bëjë presion mbi Qeverinë e Serbisë për, siç tha, “provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës”.

Në tejkalimin e krizës u angazhuan edhe përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it. Një ditë pas vendimit, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i shkuan në zyrë kryeministrit Albin Kurti. Derisa takimi mes tyre ishte i mbyllur, pak informacione përmbante komunikata që tregonte për atë që u diskutua. Sipas saj, Kurti ua ka bërë të ditur ambasadorëve se nuk do të heqë dorë nga reciprociteti i vendosur.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqin ato edhe Kosova, edhe Serbia”, citohet të ketë thënë Kurti.

Vendimi i Kurtit mori mbështetjen edhe të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE-ja të ndërmjetësojë”, ka shkruar Rama.

Serbia u përfshi direkt në krizë duke inkurajuar protestuesit. Madje dislokoi forcat ushtarake pranë kufirit. Në ajër u panë edhe aeroplanët ushtarakë.

Në përkrahje të serbëve që qëndronin në tendat e vendosura në fillim të bllokadës ishin zyrtarë të Listës Serbe, në krye të së cilëve edhe ministri në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. E në Serbi më i zhurmshmi ishte ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin. Derisa publikoi një video ku tregoheshin kapacitetet ushtarake të Serbisë, Vulin shkroi se xhandarmëria serbe është e gatshme për çdo detyrë që merr nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Politikologu Belul Beqaj vlerëson se Qeveria Kurti zhvillimeveaktuale po përpiqet t’u gjejë zgjidhje ad hoc.

“Problemet realisht po i tejkalojnë mundësitë dhe aftësitë menaxhuese të Qeverisë”, ka thënë Beqaj.

Marrëveshja në Bruksel - mbeti në fuqi vendimi i Qeverisë

Zyrtarët e BE-së tentuan që përmes rrugëve diplomatike të gjenin zgjidhje. Ata organizuan takime me shefat e delegacioneve të të dyja shteteve, Kosovës e Serbisë. Pas dy ditë negociata mes Besnik Bislimit e Petar Petkoviqit u arrit marrëveshja sipas së cilës Njësia Speciale e vendosur në Jarinjë e Bërnjak do të largohet njëkohësisht me largimin e bllokadave në rrugë. E gjitha do të duhej të bëhej për tetë orë të shtunën e 2 tetorit. Në vend të Njësisë Speciale, sipas marrëveshjes, për dy javë pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak do të mbikëqyreshin nga KFOR-i.

Dy ditë pas heqjes së barrikadave, më 4 tetor, sipas marrëveshjes do të përdoreshin letra ngjitëse të cilat do të mbulonin simbolet shtetërore të të dyja shteteve. Derisa brenda gjashtë muajve nga takimi i parë mes grupit punues, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të BE-së, Kosovës dhe Serbisë, do të gjendet një zgjidhje e përhershme sa i përket përdorimit të targave.

Arritja e marrëveshjes u mirëprit nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të shteteve të rajonit e përfaqësues të shteteve të QUINT-it. Marrëveshja e arritur më 30 shtator nuk u prit mirë nga shoqëria civile e partitë opozitare në Kosovë. Ndonëse u vlerësua zhbllokimi i situatës sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, çështja e përdorimit të targave KM mbetet problematike, ndërsa prania e KFOR-it për dy javë, siç parashihej në marrëveshje, shihej si fuqizim i tyre në pjesën veriore.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideronte se me tërheqjen e Njësisë Speciale e pranimin e targave KM sovraniteti është dorëzuar te një palë e tretë. Kurse nga Partia Demokratike e Kosovës thanë se marrëveshja nuk dallon nga ajo që është arritur më 2016. E AAK-ja kërkoi publikimin e plotë të tekstit të marrëveshjes e raportimit të kryeministrit para deputetëve për një çështje të tillë.

Frustrimi në veri – sulme në Zveçan e Zubin-Potok

Por, ky nuk ishte fundi i përplasjeve. Gjatë kohës që pikat në Jarinjë e Bërnjak ishin ende të bllokuara, në dy komunat me shumicë serbe, Zveçan e Zubin-Potok, pati tentim të zjarrvënies në disa objekte. Derisa në Zveçan dështoi bombat e hedhura në objektin e Komunës së Zubin- Potokut dogjën qendrën e MPB-së dhe një pjesë të bibliotekës.

“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sulmet në Zveçan e Zubin-Potok u dënuan nga kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Serbia po provokon konflikt serioz.

“Është për të ardhur keq që grupe kriminale në veri të Ibrit, gjithnjë të ditura dhe të mbështetura nga Serbia, vazhdojnë ta kundërshtojnë sundimin e ligjit, rendin dhe sigurinë publike duke sulmuar institucionet e shtetit të Kosovës”, tha Kurti, derisa bëri thirrje që të reagojë bashkësia ndërkombëtare.

Pas kthimit në punë të zyrtarëve, zyrat e së cilëve u sulmuan me mjete shpërthyese e me largimin e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak, besohej se situata ishte kthyer në normalitet. Por, 10 ditë pas zhvillimeve në dy pikat kufitare me Serbinë tensionet u rikthyen në veri.

Këtë herë serbët në Mitrovicën e Veriut kundërshtuan aksionin e Policisë së Kosovës kundër kontrabandës, ndonëse i njëjti aksion ishte duke u zhvilluar edhe në komunat e tjera. Të mërkurën e 13 tetorit, në drejtim të Policisë ata hodhën eksplozivë, mjete shpërthyese e gurë, derisa të lënduar mbetën disa persona, në mesin e tyre edhe 10 zyrtarë policorë.

Përveç policisë, nga sulmet pësuan edhe përfaqësues të mediave të pranishme aty.

Për të shpërndarë protestuesit policia përdori gaz lotsjellës, derisa autoblindat e Njësisë Speciale, doganierët dhe njësitë e tjera u larguan nga veriu i Mitrovicës. Aksioni mbeti i papërfunduar për shkak se, siç ka bërë të ditur drejtori i Policisë së Kosovës, rrjedhjes së informacioneve.

“Dyshohet se lidhur me operacionin ka pasur një lloj rrjedhjeje të informacionit, kjo është diçka që është duke u hetuar. Kurse në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan nga 9 lokacionet e planifikuara për kontroll është arritur të nisë në 9 lokacione, por në tetë prej tyre nuk ka mundur të përfundojë në tërësi, për shkak që njësitet policore e doganore janë penguar për të zbatuar urdhrin e gjykatës. Numër i madh i qytetarëve janë grumbulluar për ta pamundësuar këtë”, tha Samedin Mehmeti në një konferencë për media, pas zhvillimeve në veri.

Hetimi i filluar një vit më parë e aksioni i zhvilluar edhe në Pejë, Prishtinë e Mitrovicë të Jugut rezultoi me tetë persona të arrestuar, ndërkaq edhe dhjetë të tjerë janë në kërkim, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. Për shkak të përdorimit të mjeteve të jashtëligjshme në protestë, u paralajmërua hetim për të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët që penguan aksionin e policisë në Mitrovicë të Veriut e në Zveçan.

Kritika nga BE-ja, mbështetje nga NATO-ja

Aksioni i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut u kundërshtua nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq. Në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur në Rashkë, ministri i Qeverisë së Kosovës iu ankua atij për gjendjen e serbëve, derisa paralajmëroi se do të mbrohet me çfarë të kanë në dispozicion. E Vuçiqi në takimin e mbajtur me serbët e përfaqësues të tyre tha se kanë kërkuar ndihmë nga emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Vuçiqi tha se ka paralajmëruar Lajçakun që në rast se BE-ja nuk është në gjendje të veprojë, një gjë të tillë do ta bëjë Serbia. Por, përkundër kësaj, kreu i Qeverisë, Albin Kurti, nuk e pa të udhës shkarkimin e tij. Në një deklarim për media Kurti tha se me veprimet që kanë ndërmarrë janë në rrugë të drejtë e këtë, siç tha ai, e dëshmojnë reagimet e Serbisë e të kreut të saj, presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi, shkarkimi i tij do ta bënte çështje", arsyetoi Kurti.

E aksionin e Policisë së Kosovës e kritikoi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili bëri thirrje që “incidentet e dhunshme në veri” të ndalen, duke shtuar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuar që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Deklarimi i zyrtarit të lartë të BE-së nxiti reagime të shumta. Në mesin e tyre edhe atë të presidentes Vjosa Osmani, e cila tha se aksioni i Policisë së Kosovës nuk mund të thuhet se ka qenë aksion në veri.

“Ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës ndaj personave të etnive të ndryshme e që të përbashkëtat i kishin kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik. Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim”, deklaroi Osmani.

Kundër Borrellit doli edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Në një reagim të saj Von Cramon tha se Josep Borrell duhet të kritikojë shtetet ku nuk po zbatohet sundimi i ligjit.

“BE-ja duhet t'i përkrahë shtetet që e luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Institucionet shtetërore që kryejnë punën e tyre meritojnë respektin tonë të plotë. Dialogu i ndihmuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet ditore të Policisë”.

E në mbrojtje Policisë së Kosovës për aksionin i doli NATO-ja. Sipas kësaj aleance, operacioni i 13 tetorit kundër kontrabandës së mallrave është “veprim për vendosje të ligjit”.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë e rajon, Belul Beqaj megjithatë arsyeton BE-në në këtë “përplasje” qëndrimesh.

“Jam i prirë të arsyetojë BE-në, pavarësisht sjelljeve burokratike dhe jodashamirëse ndaj Kosovës për arsye se vazhdimisht e kam parasysh se në BE jeton përafërsisht gjysma e shqiptarëve të Kosovës që dërgojnë remitenca gati sa gjysma e buxhetit”, thotë Beqaj. Por, ai shprehet skeptik për zgjidhje të shpejtë të problemit jo vetëm veritu, por edhe të marrëdhënieve me Serbinë, me argumentin se sipas tij ende kemi qasje joreale të partnerëve për problemin që ai quan shekullor.

*Falas