Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Serbët e Kosovës të (pa)organizuar për zgjedhjet në Serbi

Nesër në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale e parlamentare. Pasi Kosova ndaloi organizimin në territorin e kësaj të këtyre zgjedhjeve, qytetarët serbë të Kosovës, të drejtën e tyre të votës mund ta ushtrojnë në njërën nga katër komunat në jug të shtetit fqinj. Por të shtunën, në komunën me shumicë serbe afër kryeqytetit, shumica e tyre u shprehën të painteresuar

Një pano e presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e vendosur në qendër Graçanicës, rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, të shtunën mbante numrin 147, e që dukej se ishte vendosur së fundmi. Me këtë numër, Vuçiqi garon të dielën për të siguruar edhe një mandat si president i Serbisë

Por, banorët e Graçanicës, sikurse edhe serbët e tjerë në Kosovë, për të ushtruar të drejtën e tyre të votimit në zgjedhjet presidenciale e parlamentare, do t’u duhet të udhëtojnë për në Serbi. Kjo pasi praktika e zbatuar ndër vite, kur proceset zgjedhore të Serbisë janë lejuar të mbahen edhe në Kosovë, nuk do të vlejë kësaj here.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një gjë e tillë, sikurse ishte vepruar edhe me referendumin, nuk është lejuar nga institucionet e Kosovës. Por në referendum ka pasur organizime autobusësh për të votuar në komunat jugore të Serbisë.

Por, për zgjedhjet në Serbi, disa nga serbët e Graçanicës kanë thënë se s’janë të interesuar.

“Nuk më intereson politika!”, ka qenë përgjigja e një qytetareje.

“Nuk e di, nuk besoj”, ka thënë një tjetër qytetar.

Mosdakordimin mes dy shteteve për zgjedhjet e veçanërisht kundërshtimin e Qeverisë së Kosovës, vendet e QUINT-it, nuk e pritën mirë, derisa u deklaruan “të zhgënjyer”.

Në një reagim të përbashkët, dy javë më parë, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan se vendimi i Qeverisë së Kosovës për një gjë të tillë minon aspiratat evropiane të Kosovës.

“E kuptojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës të vendosë nëse duhet apo jo të japë leje për organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër. Përderisa e vlerësojmë gatishmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim shënim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga QUINT-i”, thuhej në reagimin e QUINT-it.

Por, disa prej përfaqësuesve të partive opozitare kanë thënë se institucionet e Kosovës do të duhej të kishin koordinim më të mirë me shtete e QUINT-it,

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, për herë të parë, me refuzimin e propozimit të QUINT-it nga Qeveria e Kosovës, ato kanë mbajtur anën e Serbisë.

“Çdo çështje që lidhet me veriun e Kosovës duhet pasur shumë kujdes e të kemi koordinim me shtetet mike. Mos harroni për herë të parë po ndodh në Kosovë në 20 vjetët e fundit që shtetet e QUINT-it po dalin në anën e Serbisë për një çështje të caktuar”, ka thënë ai në një deklaratë për “Ekonomia Online”.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se duhet pasur kujdes në veprime për shkak të miqësisë me shtete e QUINT-it.

Për dallim nga LDK-ja dhe PDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mbështetur vendimin e Qeverisë për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Të mbrojmë ligjet e Kosovës, Kushtetutën, qytetarin e Kosovës dhe integritetin e vendit. Në këtë drejtim AAK-ja e mbështet Qeverinë”, ka deklaruar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Sipas vendimit të Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi, serbët e Kosovës mund të votojnë në katër komunat jugore, Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë e Vranjë.