Ndezja e situatës në veri pas ardhjes së Qeverisë Kurti ka ndikuar në migrimin e serbëve nga ajo pjesë, sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Aty përmenden edhe aksionet e Policisë së Kosovës, Rregullorja e BQK-së për valuta zyrtare dhe embargoja për mallrat serbe. Derisa në Qeverinë e Kosovës nuk kanë komentuar rreth konstatimeve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, njohës të rrethanave thonë se problemi është te Beogradi që po instrumentalizon serbët e veriut
Qeveria e Kosovës që nga viti 2021 ka nxehur situatën në katër komunat me shumicë serbe në veri, duke refuzuar dhënien e autonomisë më të madhe për serbët, konstatohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).
Në linjë me këtë, kjo organizatë e sheh shqetësues migrimin e serbëve nga veriu, duke e ndërlidhur atë me aksionet e Qeverisë në këtë pjesë.
“Nën këtë presion të vazhdueshëm, mbi 10 për qind e serbëve të Kosovës kanë emigruar gjatë vitit të kaluar. Largimet përshpejtojnë një prirje para-ekzistuese: Grupi i Krizave vlerëson se deri në një e treta janë larguar në tetë vjetët e fundit. Emigrimi i serbëve të Kosovës është shqetësues si për shkak të asaj që thuhet - nivelin e tyre të zhgënjimit, ashtu edhe për shkak se minon rrugën më të besueshme drejt normalizimit, në të cilën Kosova do t'u jepte serbëve të saj një vetëqeverisje të konsiderueshme në këmbim të njohjes ‘de facto’ nëse jo ‘de jure’ nga Serbia”, shkruan në raportin e ICG-së, të publikuar në fund të janarit.
Mes tjerash, aty shkruan se kryeministri Albin Kurti “ka vendosur policë të armatosur rëndë, ka vendosur një embargo ndaj mallrave serbe që u duhen banorëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe”, nën arsyen e kërcënimit të sigurisë në veri.
Në Qeverinë e Kosovës nuk janë përgjigjur rreth raportit dhe nëse qëndron konstatimi për ikjen e serbëve nga veriu.
Por eksperti për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh problem Beogradin që “po i përdor serbët e veriut për arritjen e qëllimeve politike”.
“Katër komunat veriore me shumicë serbe të afërta me Serbinë janë shumë më pak të integruara sesa ato në jug të Ibrit. Duke përdorur levat e tij ushtarake, ekonomike dhe politike, përfshirë frikësimin përmes shërbimeve sekrete dhe partnerët e tyre të krimit të organizuar, Beogradi ia ka dalë me sukses që ata të refuzojnë pranimin e autoritetit të Prishtinës”, ka thënë Serwer.
Sipas tij, Serbia dëshiron që komunat me shumicë serbe të formojnë një Asociacion.
“Kjo do t’u mundësonte atyre që të qeverisin bashkërisht dhe veçmas nga Prishtina, si në Republikën Serbe. Në mjedisin e duhur gjeopolitik, Asociacioni mund të veprojë edhe si mjet për ndarjen e katër komunave veriore nga një shtet që Beogradi ende nuk e njeh. Ishte një shoqatë e ngjashme e autoriteteve provinciale që çoi në formimin e Republikës Serbe përpara përpjekjes për shkëputjen e saj nga Bosnja në vitin 1992”, është shprehur ai.
Serwer ka treguar masat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës në funksion të integrimit të serbëve.
“Kjo kërkon një manovër të vështirë nga Prishtina. Ajo duhet t’i bindë serbët e veriut se ata do të jenë më mirë si qytetarë të Kosovës edhe nëse e mbajnë shtetësinë serbe. Disa po lëvizin në atë drejtim, siç sugjerohet nga gatishmëria e tyre e shtuar për të marrë targa, dokumente identifikimi dhe pasaporta të Kosovës. Por shumë nga serbët në veri kanë qenë ndër kundërshtarët më luftarakë dhe ndonjëherë të dhunshëm të Prishtinës. Beogradi ia ka dalë që ta bëjë kontaktin me serbët e veriut shumë më të vështirë sesa komunikimin me serbët në komunat që nuk janë ngjitur me Serbinë”, ka deklaruar ai.
Për të lehtësuar dinamikat në mes të Kosovës dhe popullatës serbe, sipas ICG-së, Bashkimi Evropian duhet ta nxisë Prishtinën që ta rifokusojë Policinë dhe ta shfrytëzojë për nevoja të serbëve në veri, në mënyrë që njësitë e specializuara të mos bëjnë policim të përditshëm dhe në vend të saj të ketë përqendrim në sigurinë kufitare.
Çështja e Kosovës dhe e Serbisë është përfshirë në mesin e dhjetë rasteve që, sipas kësaj organizate ndërkombëtare, rrezikojnë luftë apo përshkallëzim në vitin 2024.
Në linjë me zbutjen e masave të sigurisë në veri, ICG-ja ka propozuar që BE-ja të kërkojë heqjen e njësive speciale, duke premtuar heqjen e sanksioneve e që Kosova të bashkëpunojë me KFOR-in për të ndalur kontrabandimin e armëve.
Sipas ICG-së, çështja tjetër pengesë është refuzimi i Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Pasi që këto mosmarrëveshje mbetën pa zgjidhje, Serbia dhe Kosova kanë ushtruar një formë të mbivendosjes së sovranitetit në veri – Serbia që ofron arsim e kujdes shëndetësor për banorët dhe Kosova është përgjegjëse për sundim të ligjit e gjykatat – por Kurti qartazi e ka humbur durimin me këtë rregullim. Ndër të tjera, ai ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon, ka vënë embargo ndaj produkteve serbe për nevojat e qytetarëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këtA hapa pjesërisht, duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundmi pas rastit të paraushtarakëve serbë që u zbulua se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia, në shtator të 2023-s”, shkruan në raportin me titull: “Drejt normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Në pikën e dytë të raportit thuhet se BE-ja duhet të sigurojë që të përmbushen nevojat e komuniteti serb në Kosovë, sidomos për punësim, kujdes shëndetësor dhe arsimim.
“Nëse kjo nuk mund të bëhet përbrenda kornizës për autonomi të pjesshme që është nën diskutim për komunat me shumicë serbe (të cilin serbët e quajnë ‘bashkësi’ e shqiptarët ‘asociacion’), atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’u bëjnë presion palëve të zhvillojnë rrugë alternative për të arritur të njëjtin qëllim”, shkruan në raport.
ICG-ja është organizatë joqeveritare ndërkombëtare, e cila ka për qëllim parandalimin e luftërave.
Edhe në raportet e mëhershme, kjo organizatë ka thënë se zgjidhja më e mirë është njohja e Kosovës nga Serbia në këmbim të garantimit të “vetëqeverisjes substanciale të minoritetit serb”.