“Institucionet e Kosovës kanë bërë pjesën e tyre. Tani i takon Këshillit të BE-së që t'i japë fund izolimit të kosovarëve dhe të rikthejë kredibilitetin e BE-së. Në këtë drejtim, presidenca franceze e Këshillit të BE-së duhet të zhbllokojë procesin e vonuar të heqjes së vizave afatshkurtra për qytetarët e Kosovës”, thuhet në letrën e Qeverisë, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA
Në një letër adresuar 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Qeveria i ka listuar “detyrat e shtëpisë” që i ka kryer Kosova, e që ishin kusht për liberalizim të vizave. Nëpërmjet letrës që mban datën 15 mars, ekzekutivi ka kërkuar që t`i jepet fund regjimit të vizave për kosovarët.
“Institucionet e Kosovës kanë bërë pjesën e tyre. Tani i takon Këshillit të BE-së që t'i japë fund izolimit të kosovarëve dhe të rikthejë kredibilitetin e BE-së. Në këtë drejtim, presidenca franceze e Këshillit të BE-së duhet të zhbllokojë procesin e vonuar të heqjes së vizave afatshkurtra për qytetarët e Kosovës”, thuhet në letër, një kopje të së cilës e ka siguruar KOHA.
Aty përmendet rreshtimi i Kosovës krah BE-së në sanksionimin e Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, e po kështu janë dhënë informacione edhe për ndihmat që janë ofruar.
“Qeveria e Kosovës shprehu gatishmërinë për të pritur 5000 refugjatë nga Ukraina dhe ne kemi hequr përkohësisht vizat për qytetarët e Ukrainës. Ne do të presim 20 gazetarë refugjatë ukrainas për të punuar nga distanca dhe kemi ndarë një fond special për të ndihmuar popullin ukrainas. Qytetarët e Kosovës, shoqëria civile, media dhe aktivistë kanë treguar akte të panumërta uniteti me popullin e Ukrainës dhe kanë dënuar agresionin rus”, thuhet në letër.
Sipas Qeverisë, lufta në Evropë ka bërë që të kuptohet rëndësia e unitetit dhe sovranitetit evropian, andaj ka kërkuar që një të tillë ta ketë BE-ja.
“Më shumë se kurrë nevojitet uniteti i BE-së pasi një çështje kaq zvarritëse e lirisë së lëvizjes për kosovarët dëmton seriozisht kredibilitetin e BE-së”, theksohet aty.
Derisa ka ndarë etapat nëpër të cilat Kosova ka kaluar në procesin 10-vjeçar të përpjekjes për ta siguruar liberalizimin e vizave, ekzekutivi ka theksuar se tani është momenti i duhur që BE-ja të ndërmarrë veprime në këtë aspekt.
“Rikonfirmimi i përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit për viza nga ana e Kosovës nga Komisioni Evropian, parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së tregon qartë se Kosova ka arritur. Në qershor të vitit 2022 ne shënojmë 10 vjetorin e dialogut për viza, me ç'rast është një moment i mirë për Francën si Presidencë e Këshillit të BE-së që të veprojë dhe të kërkojë konsensus në mes të shteteve anëtare të BE-së për të rishikuar Rregulloren 539/2001 që do t’u mundësojë qytetarëve kosovarë të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza”.
Në letrën e siguruar nga KOHA, Qeveria ka përmendur aktivitetet në kuadër të luftimit të krimit dhe korrupsionit, zhvillimit ekonomik e menaxhimin e pandemisë.
“Vullneti politik dhe angazhimi i qeverisë përkthehet në veprime të rregullta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në luftën kundër krimit të organizuar gjatë vitit 2021 kemi shënuar një rritje prej 13,4% të bastisjeve nga policia në krahasim me vitin paraprak, kemi shënuar rritje 75% të shkatërrimit të grupeve të krimit të organizuar dhe 85% të rritjes së aktakuzave për krime ekonomike dhe korrupsion krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në letrën e Qeverisë.
Ekzekutivi ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar janë realizuar 571 operacione policore, 1 mijë e 72 bastisje, e 49 grupe të krimit të organizuar janë shkatërruar. Po ashtu se janë ngritur 43 aktakuza për 172 persona të dyshuar për krim të organizuar, se janë arrestuar 260 persona të dyshuar për krim ekonomik dhe korrupsion e janë ngritur 300 aktakuza për ndjekje penale ndaj 736 personave të dyshuar.
Tek të dhënat për ekonominë, Qeveria ka prezantuar Statistika të Bankës Qendrore, sipas të cilave ka pasur një rritje ekonomike rekord prej 9.9%, rritje të eksporteve prej 60%, rritje të të hyrave tatimore prej 30%, dhe se besimi i investitorëve të huaj është në rritje. Qeveria ka përmendur edhe investimin e fundit të marsit 2022 për energjinë e rinovueshme përmes projektit të parkut të erës në Bajgora, në vlerë 157 milionë euro.
Në letër, Qeveria ka treguar edhe se ka blerë vetëm vaksina kundër pandemisë COVID-19 që janë prodhuar e certifikuar nga Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Vaksinat e administruara arritën në 1.818.098 doza, ndërsa më shumë se 50% e popullsisë ka vaksinim të plotë (me dy doza 818.561 persona). Qeveria e Kosovës ka blerë vetëm vaksina të prodhuara dhe të certifikuara nga BE/MB dhe SHBA-ja dhe puna po përparon që Kosova të kualifikohet për Certifikatën Digjitale Evropiane për COVID”, theksohet në letrën adresuar vendeve të BE-së.
Në fund të letrës, qeveria ka përmendur bashkëpunimin që ka me Francën, duke theksuar marrëveshjen mes ministrive të punëve të brendshme për komitetin e përbashkët në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e migrimit të parregullt.
Qeveria ka shprehur pritjen që shifrat e vitit të fundit sa i përket numrit të azilkërkuesve kosovarë të jenë më pozitive, derisa ka renditur numrin e tyre ndër vite. “Numri i azilkërkuesve kosovarë nga viti 2017 e në vazhdim ka rënë në mënyrë drastike. Në vitin 2016 kishte 9140 aplikime, ndërsa në vitin 2020 ka rënë në vetëm 1515 aplikime. Shifrat për vitin 2021 pritet të jenë edhe më pozitive”, thuhet në letër.
Sipas Qeverisë, për të parandaluar abuzimin me udhëtimet pa viza, ka bashkëpunuar me Bashkimin Evropian.
“Kosova ka rritur bashkëpunimin me autoritetet hungareze dhe shtetet tjera anëtare të BE-së për të parandaluar migrimin e parregullt dhe kontrabandimin e migrantëve. Policia e Kosovës vazhdon të kryejë kontrolle sistematike në të gjitha pikat kufitare dhe do të rrisë bashkëpunimin në shkëmbimin e informacioneve me agjencitë ligjzbatuese të BE-së, me theks të veçantë në abuzimin e udhëtimit pa viza dhe luftimin e kontrabandës me migrantë”, thuhet në letrën e siguruar nga KOHA.
Një ditë më parë, fajin për mosliberalizimi e vizave, Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog, ia ka mveshur Qeverisë së Kosovës dhe mos-lobimit të ambasadave te shtetet anëtare. Të enjten ai ka thënë se qeveria do të duhej të kryente detyrat e saj.
“Liberalizimi i vizave, kjo është diçka që unë personalisht e gjej të vështirë ta kuptoj pse nuk është bërë deri më tani por që nuk është çështje për institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet e BE-së e kanë bërë pjesën e tyre të punës”, ka thënë Szuynog, duke shtuar se ka pritur më shumë angazhim nga ambasadat në komunikimin e tyre me shtetet anëtare të BE-së.
“Prapë po them, do të doja të shihja më tepër që Qeveria e Kosovës t`u ofrohet shteteve anëtare, të punojë përmes ambasadave të tyre, ka shumë ambasada që Kosova ka në shtetet anëtare të BE-së. Njërin nga ish-ambasadorët e Kosovës e pyetja se sa herë kishte vizituar Ministrinë e Punëve të Br4endshme dhe kishte folur me këto institucione që janë përgjegjëse për shengenin dhe çështje të migrimit dhe ai tha asnjëherë. Asnjëherë nuk kishte marrë udhëzime të prezantojë statistika për luftimin e krimit të organizuar dh korrupsionit, të ndërmarrë hapa aktivë dhe të flasë me njerëz që janë vendimmarrës”, ka theksuar ai. “Prandaj do të doja të shihja edhe qeverinë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, t`i prezantojë sukseset në këtë fushë, dhe të punojë me shtetet anëtare ashtu që të marrë mbështetjen e duhur pranë Këshillit”
Lidhur me komunikimin e ambasadave me shtetet e BE-së, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk ka marrë përgjigje të premten.
Në qershor të këtij viti bëhen 10 vjet qëkur Kosova ka pranuar nga Komisioni Evropian udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Pas përmbushjes së 95 kritereve, vendimi për heqjen e vizave është në duar të ministrave të Këshillit të BE-së.