Në dy pika, atë për bisedime në nivel politik e për fokusim në njohje reciproke, e ka reduktuar rezolutën e saj AAK-ja, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë. Por, kryeministri Albin Kurti iu ka bërë thirrje opozitarëve për kujdes, kur kërkojnë njohjen reciproke. Sipas tij, njohja reciproke duhet të jetë në qendër të bisedimeve dhe jo që ajo të kërkohet për në fund të procesit
Rreth gjashtë orë debat për dialogun me Serbinë kanë përfunduar të premten pa ndonjë epilog në Kuvendin e Kosovës, në mungesë të kuorumit të nevojshëm. Diskutimi i ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për bisedimet me Serbinë, nisi disa minuta pas orës 11, kur edhe ishte planifikuar, e zgjati deri pas orës 19 të mbrëmjes, me një pauzë rreth 2-orëshe.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se bisedimet me Serbinë Qeveria i ka lënë në duar të teknikëve, duke iu referuar kështu ekipit negociator, me në krye zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. Haradinaj propozoi që Kuvendi të miratojë një rezolutë e përmes së cilës do të kornizohej vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi, e përmes saj Qeveria “do të obligohet që të kalojë në fazën finale të dialogut në marrëveshjen e madhe”.
Por, kryeministri Albin Kurti tha se qasja e Haradinajt dhe e partive të tjera është e gabuar dhe se të njëjtët nuk duhet ta shohin njohjen reciproke si rezultat me të cilën do të përmbyllen bisedimet me Serbinë, për shkak se, sipas tij, një gjë e tillë është në qendër të bisedimeve. Sipas Kurtit, brenda vitit të tij të parë si kryeministër, Qeveria që e drejton ka arritur që të korrë suksese dhe ka bërë që Kosova të mos jetë e varur nga njohja e Serbisë.
“Gabimi i dialogut 10-vjeçar ka qenë se është diskutuar për qenien dhe statusin tonë. Unë nuk dialogoj për këtë gjë. Dialogu që na kërkohet neve është dialog për statutin e raportit me Serbinë, jo për statusin e Kosovës”.
Derisa u është përgjigjur kritikave për dialogun teknik, Kurti ia ka përmendur Haradinajt kohën kur vetë kishte krijuar një ekip të tillë dialogues me Serbinë, me në krye Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin, e që kompetencat si udhëheqës i bisedimeve me Serbinë, ia kishte lënë ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ndonëse ishte debat për dialogun, Haradinaj vazhdimisht ka përmendur kundërshtimin e Vetëvendosjes sa ishte në opozitë për projektin e “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, si dhe refuzimin për të vazhduar me projektin e gazsjellësit.
E për gjithë këtë, kreu i ekzekutivit ka thënë se Haradinaj e ka hallin diku tjetër.
“Kurti 1 e pati Grenell 1, e Kurti 2 s’po ka Grenell 2. Krejt këtu e keni hallin, që në Kurti 2 nuk po prodhohet një Grenell 2, e ju po doni që unë të dalë palë jokonstruktive në Bruksel, të gjykohet Kosova ose të etiketohemi sikur anti-amerikan”, ka thënë Kurti.
Qasjen e Qeverisë karshi dialogut e kanë kritikuar edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, ka thënë se procesi i dialogut është duke u kthyer në pikën zero, në vitin 2013 kur janë diskutuar çështjet teknike, gjë të cilën sipas Hotit, është duke e bërë edhe tash ekzekutivi.
“Qeveria ka paqartësi të mëdha në këtë proces karshi opozitës dhe qytetarëve, pasi është kthyer në çështje teknike, të cilat mund të jenë të rëndësishme, por e devijojnë nga tema e njohjes reciproke”, ka thënë Hoti.
Enver Hoxhaj i PDK-së ka folur edhe përtej dialogut. Ai ka thënë se temë kryesore e Qeverisë do të duhej të ishte anëtarësimi në NATO e jo përgatitjet drejt aplikimit për statusin e kandidatit në BE.
“Iluzionet për një paqe të përhershme evropiane në Evropë janë varrosur dhe po vazhdojnë të varrosen edhe sot”, ka thënë Hoxhaj.
Ai më tej ka thënë se është në pritje të përgjigjes nga kryeministri Albin Kurti apo edhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, se si do të veprojnë me situatën e krijuar, pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.
Duke pasur parasysh situatën me Ukrainën, shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se seanca e ftuar nga AAK-ja për dialogun nuk është në kohën e duhur. Sipas saj, në seancë do të duhej të kishte unifikim kundrejt politikës së Serbisë.
“Është një rrethanë gjeostrategjike krejt tjetër se ndryshe do të ishte situata sot. Prandaj, nuk e shoh këtë debat që ne të përçahemi, por si debat që ne të bashkohemi. Ne t’i japim mbështetje Qeverisë dhe kryenegociatorit”.
Me gjithë diskutimet e bëra, propozimi i AAK-së nuk u mbështet nga grupet e tjera parlamentare. Në njërën nga pikat e rezolutës së propozuar nga kreu i AAK-së, përmendet arritja e një “zgjidhjeje të madhe”, e cila do të bëhej në një samit ndërkombëtar “të organizuar nën kujdesin e presidentit Biden, përfaqësuesve të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar”.
E Avdullah Hoti tha se një propozim i tillë e barazon AAK-në me ata që kanë synuar shkëmbim territoresh.
“Zgjidhje të mëdha çojnë në kompromise të mëdha, ata që kërkojnë konferencë ndërkombëtare për të mbyllur procesin e dialogut me Serbinë në fakt e kërkojnë të njëjtën gjë sikur ata që kërkojnë shkëmbim të territoreve dhe lëvizja e kufijve çon në luftë”, tha Hoti.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se janë duke punuar në aranzhimin e një takimi të nivelit të lartë në dialog. Sipas tij, në këtë takim mes krerëve të shtetit do të diskutohej për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
“Në këtë drejtim, në takimin e datës 22 shkurt, bashkë me z. Andin Hoti jemi harmonizuar për një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur me forcë, ku do të nënvizohet sërish urgjenca e kësaj teme”, ka thënë Bislimi.
Ai ka theksuar se grupet punuese janë duke u marrë me arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për targat. Shefi i ekipit negociator të Kosovës, ka deklaruar në Kuvend se kanë “përparuar dukshëm” edhe në gjetjen e një zgjidhjeje finale për energjinë në veri.
“Pritjet tona janë që e njëjta të finalizohet shumë shpejt. Kjo do t’i hapte rrugë futjes në sistem legal të gjithë shfrytëzuesit e energjisë, duke vendosur parimin e barazisë”, ka thënë ai.
Pas diskutimeve të zhvilluara, AAK-ja reduktoi rezolutën e propozuar në dy pika. Njëra kërkonte që “Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik e jo teknik, si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Republikës së Kosovës”, kurse tjetra që “duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellët”.
Por, për të hedhur në votim rezolutën e propozuar nga AAK-ja, mungoi kuorumi i nevojshëm, meqë në sallën e seancave të Kuvendit ishin të pranishëm 52 deputetë, nga 120 sa janë gjithsej.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë, pra mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që nga korriku i vitit të kaluar.
Deri më tani, në nivel të ekipeve negociuese, ai i Kosovës i kryesuar nga Besnik Bislimi e Petar Petkoviqi i Serbisë, janë zhvilluar disa takime.
E vetmja marrëveshje e arritur mes dy palëve, që nga viti i kaluar, është ajo për zhbllokimin e situatës së krijuar në dy pikat kufitare me Serbinë, ku për 13 ditë ishin vendosur barrikada nga serbët, e kalimi i kufirit ishte i mundur të bëhej vetëm në këmbë. Diskutimet për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, pas asaj që kishte afat deri në shtator 2021, janë duke vazhduar ende, derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë, kanë afat që të gjejnë një zgjidhje të përhershme deri në prill.