Arbëri

Qeveria e konsideron të përmbushur formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe

Albin Kurti - Aleksandar Vucic - dialogu - Bruksel

Megjithëse është pjesë e propozimit të BE-së, për Qeverinë e Kosovës statusi juridik i Kishës Ortodokse Serbe tashmë është njohur sipas Ligjit për komunitetet fetare në vend. Por, në Qeveri kanë refuzuar që ta komentojnë qëndrimin e Presidencës, sipas të cilit neni 7 i marrëveshjes e përfshin rregullimin e çështjes së Kishës Ortodokse Serbe. E juristët thonë se termi “formalizim” nënkupton që Kisha Serbe konsiderohet sikur vepron në territorin e Serbisë

Qeveria dhe Presidenca i janë referuar me terminologji të ndryshme nenit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, në të cilin bëhet fjalë për Kishën Ortodokse Serbe. Pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel, nga Presidenca e Kosovës deklaruan se u pranuan propozime jo të lehta, duke iu referuar vetëmenaxhimit të pakicës serbe dhe statusit juridik të Kishës. Derisa neni 7 i marrëveshjes i referohet çështjes me termin “formalizim”, në Presidencë e kanë cilësuar “rregullim”.

Sipas Presidencës, teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto, si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdo para se të finalizohet Plani i zbatimit.

“Megjithatë, sipas presidentes Osmani, me këtë marrëveshje dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdo para se të finalizohet Plani i zbatimit”, thuhej në deklaratën e presidentes të datës 28 shkurt.

Dallimet

Në Qeverinë e Kosovës kanë refuzuar që t’i komentojnë dallimet me Presidencën për sa i përket terminologjisë, teksa kanë shtuar se statusi juridik i Kishës Ortodokse Serbe tashmë është çështje e përfunduar.

“Qeveria dhe Presidenca, por edhe Zyra e kryetarit të Kuvendit janë në komunikim dhe koordinim të përhershëm. Takimet e tyre janë të rregullta. Siç kemi thënë edhe më parë, neni 7 parasheh formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që tashmë e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në Ligjin për komunitetet fetare në vend. Siç kemi thënë edhe më parë, neni 7 parasheh formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që tashmë e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së Kishës në Ligjin për komunitetet fetare në vend”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. “Për Planin e zbatimit të secilës pikë do të diskutohet e negociohet në takimet e radhës. Do të kemi diplomaci fluturuese të emisarit Lajçak në Prishtinë e Beograd dhe pastaj takim të shtatë të nivelit të lartë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell dhe emisarit Lajçak. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”.

Kryeziu ka mohuar se plani evropian e implikon ndryshimin e Kushtetutës së vendit.

“Askush nuk po kërkon ndryshimin e Kushtetutës sonë. Për ne Kushtetua e Republikës së Kosovës është edhe udhërrëfyes, edhe tavan i diskutimeve në Bruksel”, ka shtuar ai. Nga Presidenca kanë refuzuar që të komentojnë se çka është nënkuptuar me termin rregullim.

Droja se serbët do ta bllokojnë Ligjin për fetë

Ligji së cilit i referohet Qeveria është në proces shqyrtimi nga ana e Kuvendit. Të mërkurën ligji është miratuar nga Komisioni përkatës parlamentar, ku deputetët ngritën shqetësime për rrezikun që ai të bllokohet për shkak të serbëve. Ligji për liritë fetare hyn në domenin e ligjeve me interes vital, për të cilat kërkohet edhe shumica e thjeshtë e deputetëve të komuniteteve joshumicë.

“Kolegialisht po dua ta ftoj anëtarin e Listës Serbe të bashkëpunojë me ne për ta bërë një ligj, sepse ky ligj shkon edhe në favor të Kishës Ortodokse, Katolike dhe komunitetin mysliman. Edhe bektashianët janë pjesë e këtij ligji dhe kemi punuar vërtet shumë. Por nëse nuk kemi vota, komplet puna do të jetë e zbrazët. Tash si është situata në Kuvend, ne prej sot mundemi ta definojmë se nuk do të kemi sukses me këtë ligj”, ka thënë Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

“Nëse ka vullnet nga palët politike për të diskutuar me komunitetin serb, që ata të jenë pjesë e procesit, atëherë mendoj se është moment i mirë dhe rrugë e mirë. Por kështu siç është, në start e dimë se nëse nuk ka diskutim me palën tjetër dhe të sigurojmë me 2/3, ne kemi për të punuar në ligj dhe ligji ka për të mbetur në Kuvend. Dua të besoj në vullnetin e mirë që nuk është vetëm për shou, por është thjesht për të kryer punë deri në fund”, është shprehur anëtarja e Komisionit nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Eliza Hoxha.

Sipas projektligjit, Kishës Ortodokse Serbe krahas gjashtë bashkësive tjera i pranohet statusi i personit juridik. Ligji i obligon bashkësitë fetare që të bashkëpunojnë me institucionet e shtetit edhe në rastet kur ka dyshime për veprimtari të jashtëligjshme.

“Të gjitha bashkësitë fetare/kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale të pastrimit të parave, rekrutimit për kryerjen e veprimtarive të paligjshme, financimit të veprimtarive të paligjshme, keqpërdorimit të fondeve publike, ose aktiviteteve lidhur me akte të tilla, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me hetimin e veprave penale ose vendndodhjen e autorëve, me ndonjë regjistër, materiale ose informacion brenda kontrollit të organizatës”, thuhet në nenin 12 të ligjit.

Hasani: “Formalizimi” nënkupton sikur Kisha Serbe vepron në territorin e Serbisë

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetues, e ka interpretuar paragrafin e dytë të nenit 7 të Marrëveshjes së Brukselit, që flet për dy çështje – Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe për trashëgiminë fetare dhe kulturore serbe.

“Sa i përket të parës, nuk mund të ketë standarde të tjera pos atyre që kanë përdorur shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, në të cilat shtete vepron Kisha Ortodokse Serbe përgjatë shekujve. Në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kroaci ekzistojnë marrëveshje dypalëshe mes këtyre shteteve dhe Kishës Ortodokse Serbe, me të cilat janë rregulluar raportet reciproke mes këtyre shteteve dhe Kishës Serbe”, ka thënë Hasani. Sipas tij, këto marrëveshje në disa raste janë ratifikuar në parlamentet nacionale. “Objekt i këtyre marrëveshjeve ka qenë rregullimi i rolit dhe i pozitës së Kishës Serbe në rendet juridiko-kushtetuese nacionale, ku Kishës i garantohet pavarësi dhe autonomia e plotë nga çfarëdo ndërhyrje në organizimin dhe punët e brendshme, por që ndaj shtetit ajo ka detyrime civile dhe në sferën e juridiksionit penal në rastet e shkeljeve ligjore. Pra, ka pasur rregullim të marrëdhënieve të shtetit me Kishën Serbe”, ka potencuar Hasani, ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Përdorimi i fjalës “formalizim”, sipas Hasanit, nënkupton që Kisha Serbe konsiderohet sikur vepron në territorin e Republikës së Serbisë.

“Kjo e bën të qartë se edhe në ndonjë aranzhim eventual rreth rolit dhe pozitës së Kishës Serbe në Kosovë nuk do të këtë rregullim të marrëdhënieve mes Shtetit të Kosovës, siç kanë vepruar Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kroacia, por thjesht një akt juridik mes Kosovës dhe Serbisë me të cilën pranohet se Kisha Serbe në Kosovë operon njëjtë sikur në Republikën e Serbisë, pa asnjë kufizim. Nuk besoj se ky standard haset diku në Evropë! Ruajtja e trashëgimisë fetare e kulturore serbe, për të cilën flet fjalia e fundit e nenit 7 të Marrëveshjes u përket standardeve evropiane dhe mund të pranohet si formulim pa problem. Kjo pjesë nuk është kontestuese”, ka thënë Hasani.

Dokumenti i Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit Kosova e kishte shpallur Pavarësinë më 2008, përfshin një mbrojtje të gjerë për komunitetin ortodoks serb, pronën dhe lokacionet historike, kulturore e fetare.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Marc Weller, në një shkrim për “Kohën Ditore” ka argumentuar se modelet ekzistuese evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të cilat përmenden si udhërrëfyes për këtë çështje, as që i afrohen nivelit aktual të mbrojtjes së tyre.

“Sërish, nuk është e qartë nëse rihapja e kësaj çështjeje do ta ndihmonte në fakt çështjen e Kishës Ortodokse Serbe. Sido që të jetë, e sigurt është se nuk do të ketë lëvizje nga ana e Kosovës për ta rishikuar atë për të cilën tashmë është pajtuar apo për t’u tërhequr nga kjo. Bindja është se Qeveria e Kosovës ka pak apo nuk ka fare ngurrim që të merret me Kishën Ortodokse Serbe dhe me çështjet që do të donte t’i ngrinte në lidhje me zbatimin e sistemit aktual dhe për sugjerimet që do të donte t’i bënte për ta përmirësuar ushtrimin e lirisë së rajonit”, ka shkruar Weller. “Ngjashëm, dokumenti i Ahtisaarit i obligon palët të bashkëpunojnë, ashtu që lokacionet kulturore dhe fetare të jenë të qasshme jo vetëm për pelegrinët apo fetarët, por gjithashtu edhe për qëllimin e edukimit kulturor dhe turizmin”.

Sipas Wellerit, ashtu siç e konfirmojnë dispozitat ekzistuese, kjo nuk do të duhej të shkelte të drejtën për ushtrimin e lirive fetare dhe jetën e përkushtuar të komuniteteve fetare.