Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten ka thënë se nuk e do përballë Albin Kurtin, duke kërkuar nga ndërkombëtarët që “ta mbushin mend”. Në përgjigje të këtij qëndrimi, përfaqësues të Qeverisë Kurti kanë thënë se Kosova është konstruktive në procesin e dialogut dhe se Serbia është ajo që ka kërkuar shtyrjen e takimit të 19 korrikut dhe që edhe tash vazhdon të punojë kundër marrëveshjeve. Njohës të zhvillimeve politike dyshojnë në suksesin e dialogut për sa kohë që Serbia ndihet e privilegjuar nga BE-ja dhe SHBA-ja
Pushteti në Serbi ka vazhduar t’ua hedhë fajin autoriteteve të Kosovës për ngecjet në procesin e dialogut, ani që sipas Qeverisë Kurti është pikërisht ai që ka kërkuar të mos mbahet takimi i planifikuar të mbahet më 19 korrik. Regjimi në Beograd edhe të enjten ka dhënë sinjale se nuk ka vullnet të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, me BE-në lehtësuese të saj. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lënë të kuptohet se ai nuk e do përballë kryeministrin Albin Kurti.
“Në Bruksel nuk ka dialog derisa të jetë Kurti, njeriu ka vendosur të mos dialogojë”, ka thënë në një intervistë për “tvpink”, duke kërkuar nga ndërkombëtaret që “ta frenojnë e ta mbushin mend Albin Kurtin”.
Qeveria e Kosovës, në përgjigje të kësaj deklarate, ka rikujtuar se me kërkesë të Serbisë u shty takimi i planifikuar më 19 korrik. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe se është Serbia ajo që nuk është duke u angazhuar për “marrëdhënie të mira fqinjësore”.
“Siç e dini, takimi i paraparë të mbahej më 19 korrik dështoi, sepse Beogradi zyrtar refuzoi që ai të zhvillohet duke kërkuar që një takim i tillë të shtyhet për më shumë se një muaj. Kryeministri Kurti është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje bilaterale”, ka thënë Kryeziu në përgjigjen me shkrim. “Përgjatë gjithë procesit të dialogut, ne jemi treguar konstruktivë, kreativë dhe të përkushtuar dhe do të vazhdojmë të sillemi në këtë mënyrë. Por është Serbia ajo që punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë më tej ai.
Edhe njohës të zhvillimeve politike kanë thënë se deklaratat e Vuçiqit janë justifikime të radhës për shmangur dialogun.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja të jenë më të ashpra karshi Serbisë dhe qasjes së saj ndaj dialogut me Kosovën.
“Unë mendoj që kjo nuk është për Kosovën dështim, atë që e ka thënë presidenti i Serbisë është pikërisht dështim për SHBA-në dhe BE-në, sepse e kanë privilegjuar jashtëzakonisht shumë Serbinë. Mendoj që është afati i fundit që Serbia të kërcënohet me sanksione ekonomike dhe politike, sepse përndryshe kështu dialogu nuk do të përfundojë”, ka deklaruar ai.
Për herë të fundit, nga ato pak përballje direkte mes tyre, Kurti e Vuçiq u takuan në korrik të vitit të kaluar, duke mos përfshirë këtu darkën jozyrtare e cila u organizua në Berlin, në maj të këtij viti.
Duke pasur parasysh këto zhvillime, profesori Dritëro Arifi është skeptik se një situatë e tillë mund të ndryshojë këtë vit. Mundësinë e zhvillimeve të reja në dialogun me Serbinë, ai e sheh të lidhur ngushtë me qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara ndaj procesit.
“Këtë vit gjasat të bëhet diçka përveç ndonjë takimi të nivelit të lartë eventualisht nëse do të ndodhë, por vitin e ardhshëm mund të kemi lëvizje nëse bota perëndimore është e vendosur për ta përfunduar këtë çështje”, ka theksuar Arifi.
Ditë më parë, në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti deklaroi se raportet që ka Serbia me Rusinë janë pengesa e radhës që është vënë në procesin e dialogut. Sipas Kurtit, me qëllim që të mos sanksionojë Rusinë, Serbia është duke vazhduar në zvarritjen e konstituimit të institucioneve, e kësisoj edhe me kërkesa për shtyrje të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.