Arbëri

Protestohet kundër diskriminimit në punë të grave dhe grupeve të margjinalizuara

Të punosh sot në Kosovë, ndonëse në kushte çnjerëzore, është privilegji racor, pasi në vendin tonë të jesh grua, person LGBTI+, i ndonjë race tjetër apo me nevoja të veçanta, je i papërshtatshëm edhe për t’u konsideruar si punëtore. Kështu u tha në protestën e thirrur “Liri, Barazi, Solidaritet”, të organizuar nga blloku anti-kapitalist i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.

“Poshtë oligarkët ekonomikë”, “Puna e paguar e grave mbanë shtetin”, “Puna në Kosovë dëmton seriozisht shëndetin”, ishin disa prej pankartave që mbanin në duar protestuesit. Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar te Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e deri te Qeveria e Kosovës.

Njëra nga anëtaret e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, ka thënë se protesta është qëndrim politik sepse punëtorët janë ata që e mbajnë gjallë Kosovën.

Ajo është shprehur se që dy dekada punëtorët rëndohen nga shtypja e korporatave dhe asgjësimi institucional.

“Ky sistem kapitalist i qeverisur nga një mendësi neoliberale, e cila copëzon njeriun, është duke degraduar çdoherë e më shumë punëtorin. Përveç plaçkitjes së vazhdueshme të punës, ky sistem është duke e lenë pa shpresë e në mjerimin punëtorin. ...Të jesh grua, person LGBTI+, i ndonjë race tjetër, me nevoja të veçanta, je i papërshtatshëm edhe për t’u konsideruar si punëtor, kjo pasi ky sistem në të cilin ne gjendemi e që është sistemi patriarkale-kapitalist, është sistem i dhunës, i përçarjes, disiplinimit e shtypjes së shumicës në favor të pakicës. Ky sistem nuk mund të sanohet me asnjë ndërhyrje neoliberale, dominonte në politikat e pas-luftës në Kosovë, të cilat veç synojnë të blejnë fare lirë heshtjen e punëtorëve”, tha ajo.

Një tjetër protestues i kësaj organizatë, ka thënë që sistemi ekonomik e politik në Kosovë është racist e diskriminues. Ai ka shtuar që shtypja klasore e racore, janë produkte të një sistemi kapitalist dhe që shumë punëtorë po ngacmohen dhe po vriten në vendet e punës.

Protestës iu bashkua edhe 15-vjeqarja, Esra Syla, e cila edhe pse nuk kishte lindur në Kosovë, akuzoi ish-drejtuesit e institucioneve për degradimin e shtetit të Kosovës.

Protestuesit shtuan se do të vazhdojnë të protestojnë deri në projektimin e një organizimi politik e ekonomik, ku punëtorët janë të lirë nga çdo forme e shtypjes. /ksp

{gallery}