Arbëri

Projektkodi Civil rishikohet për të siguruar votën e kundërshtuesve në LVV

Janë 17 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që në mars kanë votuar kundër ose kanë abstenuar, kur në rend dite ishte Projektkodi Civil. Në Ministrinë e Drejtësisë kanë thënë se janë duke e rishikuar dispozitën me të cilën parashihej lejimi i bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta dhe e cila ishte kundërshtuar nga deputetë. Disa nga ligjvënësit e partisë në pushtet mbajnë qëndrimin që e kishin, e ka të tjerë që kanë ndërruar pikëpamjet

Ministria e Drejtësisë ka vendosur ta riformulojë nenin 1138 të Projektkodit Civil me qëllimin që të sigurojë votën pro këtij dokumenti, edhe të atyre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) që e patën kundërshtuar në mars, kur ishte vënë për votim në Kuvend. E në këtë subjekt politik ka deputetë që kanë ndryshuar qëndrim, por edhe të tjerët që vazhdojnë ta kundërshtojnë.

Nëpërmjet dispozitës që është kundërshtuar parashihej lejimi i bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Në Ministrinë e Drejtësisë kanë theksuar se Projektkodi Civil me nenin e riformuluar do të jetë në duar të deputetëve shumë shpejt. Por, nuk kanë treguar saktësisht se kur do t’i procedohet Kuvendit ky dokument.

“Ministria e Drejtësisë pasi ka pranuar vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mosmiratimin e Projektkodit Civil, ka filluar punën në drejtim të rishikimit të draftit, me theks të veçantë nenit 1138, ku janë të përfshirë edhe ekspertë të fushës përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Pro Projektkodit Civil nuk votuan 17 deputetë të LVV-së. Ndërkaq ligjvënësit opozitarë nuk patën marrë pjesë në votim, nën arsyetimin se donin që ta shihnin pozicionin që kishte shumica parlamentare në lidhje me çështjen e lejimit të bashkësive të regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta.

Vetëm dy nga deputetët që kishin votuar kundër ose kishin abstenuar kanë pranuar të flasin në lidhje me qëndrimin që tash kanë për Projektkodin Civil.

Eman Rrahmani ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrimin.

“Qëndrimi im është i njëjtë qysh ka qenë”, i ka thënë KOHËS deputeti Rrahmani. “Nuk kemi diskutuar për këtë çështje, nuk është diskutuar në grupin parlamentar”.

Ndërkaq deputeti Valon Ramadani ka thënë se do të votojë ashtu siç do të vendoset në grupin parlamentar.

“Unë qëndrimin e kam në vijë me vendimet që i marrim si grup parlamentar i Vetëvendosjes”, i ka thënë KOHËS ai. “Nuk kam votuar ndonjëherë kundër Qeverisë Kurti dhe nuk do të votoj asnjëherë kundër. Sido që të merret vendimi kolektiv, do të votoj edhe unë”.

Ndryshe nga ta kishte votuar Adnan Rrustemi, i cili është kryetar i Komisionit parlamentar për legjislacion. Ai ka thënë se për çështje të tilla duhet të ketë më shumë debat të brendshëm dhe ka shprehur pretendimin se ka pasur edhe ndikime nga jashtë, të cilat për efekt kanë pasur mungesën e votës për këtë dokument.

“Te Projektkodi mendoj se ka pasur nevojë për një diskutim më të thellë të brendshëm. Jam i bindur që ka shumë paqartësi në këtë mes, sikurse po e pranoj edhe publikisht se këtu ka një lloj inxhinieringu publik të sponsorizuar nga jashtë për të ndikuar edhe te deputetë brenda, për t’i përçarë me njëri-tjetrin, në mënyrë që të ndikohet edhe në mënyrën se si votojnë, për ta dëmtuar Vetëvendosjen. Është e dukshme kjo”, ka thënë Rrustemi një ditë më parë, në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së.

Një muaj më parë kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar deputetët të cilët nuk e “ndihmojnë” Qeverinë, se mund të mos jenë në listën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme. Megjithëkëtë, specifikisht ai nuk e pati thënë se mosndihmë nënkupton edhe kundërshtimi i Projektkodit Civil.

“Por, nëse nuk përkushtoheni tash e këtu, në maksimum për programin e Lëvizjes, nëse nuk tregoni modesti në jetën e përditshme, nëse nuk e ndihmoni Qeverinë, gjasat janë që deputetët që janë në mesin tonë do të jenë ata që nuk do të jenë në listat e ardhshme”, ka thënë Kurti gjatë një adresimi para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Megjithëkëtë, deputeti Visar Korenica, i cili ishte kundër dispozitës që flet për njohjen e së drejtës së bashkëjetesës së personave të gjinisë së njëjtë, e ka mohuar se ka tendenca për hakmarrje.

“Unë jam deputet i Lëvizjes. Për bindjen time dhe informata që kam, nuk flitet për largim”, ka thënë ai për OE. “Por, ajo çka po shohim është tendencë për ta përçarë Grupin Parlamentar”.

E, deputeti Eman Rrahmani ka thënë të mos jetë në dijeni se si do të veprojë partia me të padëgjueshmit.

“Për këtë pjesën e fundit nuk e di. Ndoshta mundesh me i pyetë ata (Lëvizjen Vetëvendosje v.j.) a kanë me sanksionu”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputeti Valon Ramadani ka theksuar se deri tash nuk janë vërejtur elemente hakmarrjeje.

“Sa e di unë, nuk ka pasur ndonjëherë kërkesa apo vërejtje e paralajmërime për këtë punë”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti, i cili këtë të diele siguroi edhe një mandat në krye të Vetëvendosjes, pati theksuar se neni 1138 i Projektkodit Civil ishte keqkuptuar dhe keqinterpretuar, meqë me të nuk lejohen martesat ndërmjet gjinive të njëjta, porse vetëm po paralajmërohej hartimi i një ligji të veçantë për këtë çështje.