Ndarja e shtesave për fëmijë, shujtat për fëmijë, rritja e pagës minimale në 250 euro dhe dhënia e kësaj page grave lehona të papuna për 6 muaj, ishin disa nga premtimet e Albin Kurtit gjatë fushatës zgjedhore.
Por, tash një muaj prej kur Kurti udhëheq me Qeverinë, ende nuk u është dhënë kah këtyre premtimeve. Lidhur me kohën e implementimit të tyre dhe me mundësinë që të përfshihen në buxhet pas rishikimit të tij në qershor, KOHA ka provuar të marrë përgjigje nga Qeveria dhe nga Ministria e Financave, por as njëra e as tjetra nuk janë deklaruar.
Megjithatë, vlerësohet se implementimi i tyre pritet të ketë kosto të lartë, që do ta bëjë gati të pamundur realizimin këtë vit, për shkak të kapaciteteve të vogla buxhetore që Kosova ka.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, thotë se inkorporimi i këtyre premtimeve në buxhetin aktual është i pamundur, pasi që, siç thotë ai, janë jashtë logjikës së situatës ekonomike me të cilën po përballet Kosova.
“Qeveria është duke tentuar të krijojë zhurmë në tema tepër të ndjeshme që duan debat, duan analizë, që duan kohë e komunikim me shoqërinë civile, me mediat, me opinionin e gjerë, me akterë të tjerë ndikues. Po hap tema të cilat e di edhe vetë që nuk janë të realizueshme, për të harruar sfidën me të cilën po ballafaqohen Kosova, ekonomia dhe shëndeti qytetar”, ka thënë Shala.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se është herët të paragjykohet për implementimin e premtimeve, meqë Qeveria nuk e ka publikuar ende programin qeverisës. Ai thekson se është me rëndësi që nëse premtimet e tilla futen në programin qeverisës, edhe të buxhetohen, në mënyrë që të shmangen situata si ajo me Programin e Rimëkëmbjes për vitin 2021.
Sipas kryetarit të OEK-ut, marrë parasysh situatën ekonomike në Kosovë, buxheti i shtetit duhet të shpenzohet aty ku krijon efekte të kthimit të shpenzimeve në të hyra për buxhetin.
“Skemat sociale janë të mirëseardhura për ato kategori që realisht kanë nevojë, por jo tani që ta ndërrojnë proporcionin e shpenzimit të buxhetit. Mendoj gjithmonë që buxheti duhet me qenë më shumë në rritje për pjesën e investimeve kapitale, për pjesën e përkrahjes së drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike për sektorin privat, e më pak nëpërmjet skemave sociale”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se kur flitet për rritje të pagës minimale, Qeveria duhet të ketë në konsideratë sektorin privat dhe humbjet që ka pasur nga pandemia COVID-19.
“Sa i përket pagës minimale, këtu duhet harmonizim me sektorin privat. Nëse kemi folur për pagë minimale në të kaluarën, e kemi parë që kemi hapësirë pasi trendi i rritjes ekonomike ka qenë më pozitiv, tani nuk kemi edhe shumë hapësirë. Nuk jam kundër që të ketë ndryshime në pagë minimale, por duhet ta reflektojë edhe gjendjen e pandemisë që ka krijuar shumë probleme te bizneset”, ka thënë Rukiqi.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerëson se premtimet e Qeverisë që kanë implikime të mëdha buxhetore do të ishin të udhës që të liheshin për një fazë të mëvonshme në rrethana më të mira për arkën e shtetit.
“Besoj që disa prej këtyre prioriteteve që janë prezantuar nga ana e kryeministrit të ri ose nga ana e Qeverisë së re mund të presin në krijimin e një situate më të favorshme, siç është për shembull çështja e pagës minimale, pra ngritjes së saj. Ajo që është urgjente tani është që të mbështeten e ndërmarrjet e sektorit privat”, ka thënë Zeka.
Sipas Zekës, mbështetja e sektorit privat duhet të jetë prioritet i Qeverisë, pasi që, siç thotë ai, sektori privat ka rol parësor në krijimin e vendeve të punës dhe në kontributin e gjithmbarshëm në ekonominë e vendit, duke përfshirë këtu edhe kontributin në buxhetin e vendit përmes pagesës së tatimeve.