Arbëri

Gazetarët serbë ankohen për më shumë barriera se kolegët e tyre shqiptarë

Milica Stojanoviq

Mungesa e përkthimit në gjuhën serbe, mostransparenca e institucioneve, bashkëpunimi i pamjaftueshëm me kolegët shqiptarë, janë disa nga problemet që i listojnë gazetarët serbë në Kosovë. Ata ankohen për moszbatim të ligjit të gjuhëve zyrtareve dhe kërkojnë më shumë përkrahje nga kolegët e tyre shqiptarë

Milica Stojanoviq e Milena Maksimoviq thonë të mos e kenë të lehtë ta ushtrojnë profesionin e gazetarit në Kosovë. Krahas problemeve me të cilat përballen të gjithë punonjësit e mediave, thonë se rrethanë vështirësuese për to përbën fakti se i përkasin komunitetit serb.

Përveç me institucionet, shkaku i gjuhës, të vështirë thonë se e kanë edhe bashkëpunimin me kolegë shqiptarë.

Stojanoviq ka më shumë se 10 vjet që ushtron profesionin e gazetares. Përveç sferës së politikës, ajo thotë se mbulon edhe çështjet sociale, mjedisin e problemet komunale. Të gjithë punën e realizmit të një storieje e kryen vetë: i bën intervistat, xhiron dhe e kryen edhe montimin.

Ndonëse thotë se problemet e gazetarëve serbë në Kosovë me ata shqiptarë nuk dallojnë shumë, mungesën e përkthimit e konsideron si një telash shtesë me të cilën përballen.

“Mungesa e përkthimit është një gjë që nuk do të duhej të ndodhte, veçanërisht nga institucionet që do të duhej të kishin të garantuar përkthimin në gjuhën serbe”, ka thënë gazetarja Stojanoviq. “Dhe kjo është ajo që punën tonën e bën shumë më të rëndë në këto hapësira në të cilat jetojmë dhe e bën më të vështirë për shkak se nuk po mundemi që me shpejtësinë e duhur të informojmë publikun për atë që është duke ndodhur në institucione, më konkretisht në Prishtinë apo në vende të tjera, ku qytetarët tanë nuk kanë qasje”.

Me ndryshimin e vendeve të punës, nga televizioni publik i Kosovës, në media të tjera, thotë të ketë ndryshuar edhe bashkëpunimi që ka pasur me kolegët nga komuniteti shqiptar. Ajo konsideron se mes kolegëve të këtyre dy komuniteteve do të duhej të kishte më shumë mirëkuptim, për shkak të qëllimit të njëjtë, që thotë se kanë të dyja palët.

“Ajo që padyshim përbën problem midis gazetarëve serbë dhe shqiptarë është kjo mungesë e bashkëpunimit. Mendoj se duhet ta kuptojmë se qëllimin e kemi të përbashkët, pra, që ta informojmë opinionin për ato që ndodhin përreth nesh. Do të doja sikur të kishte më tepër solidaritet midis nesh dhe se në këtë mënyrë do të mund t’i tejkalonim problemet përherë e më të mëdha që i kemi në shoqëri”, ka thënë ajo.

Por, është një problem i përbashkët që e ka me kolegët e saj gazetarë – mungesa e transparencës së institucioneve.

Stojanoviq thotë se përballet me vështirësi edhe në sigurimin e përgjigjeve e të intervistave.

“Për sa u përket intervistave dhe gjërave të tjera, supozoj se ka më shumë procedura, kur është fjala për mediat që raportojnë në gjuhën serbe. Por, prapëseprapë, disa institucione janë të mbyllura për të gjitha mediat, pavarësisht nëse janë në serbishte apo në shqipe, varet prej atij që aktualisht është në atë ministri, institucion dhe a do të merret dhe si do të merret me të gjitha mediat, në përgjithësi”, thotë ajo.

Edhe Milena Maksimoviq liston thuajse të njëjtat probleme me të cilat përballet gjatë ushtrimit të profesionit. Por, theksin e vë te mungesa e përkthimit nga shqipja në serbisht, gjatë ngjarjeve publike.

Punën si gazetare e ushtron tash e pesë vjet dhe aktualisht përveç për portalin Gracanica Online, është edhe korrespodente për PrvaTv dhe B92 në Beograd.

“Edhe pse si gjuha serbe, ashtu edhe ajo shqipe janë zyrtare në Kosovë dhe do të duhej të ishin të barabarta, në fakt nuk janë. Dhe nuk ka gjasa që në një periudhë të ardhme kjo gjendje të përmirësohet. Është përnjëmend situatë e pakëndshme kur merrni pjesë në ndonjë konferencë në Prishtinë dhe nuk u është siguruar përkthimi e nuk e dini se për çfarë flasin zyrtarët”, thotë Maksimoviq, sipas së cilës mungon vullneti institucional për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

E meqë është kështu situata, ajo thotë se gazetarët serbë do të duhej të ndihmoheshin më shumë nga kolegët e tyre shqiptarë.

“Do të dëshironim shumë që gazetarët dhe punëtorët medialë nga Prishtina të na mbështesnin në betejën tonë kur bëhet fjalë për respektimin e ligjit për përdorimin e gjuhës. Megjithatë, këtë nuk do ta dëgjoni prej tyre apo do të dëgjoni shumë rrallë që ata të na mbështesin publikisht kur është fjala për këtë betejë tonën”, thotë gazetarja Maksimoviq.

Imer Mushkolaj është drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe thotë se mosnjohja e gjuhëve të njëri-tjetrit është në qendër të problemeve që gazetarët serbë e shqiptarë kanë mes vete. Por, thekson se gazetarët serbë përballen edhe me kushte jo të mira të punës.

“Duhet të kihet parasysh që mediat serbe në përgjithësi janë media lokale që funksionojnë në mjedise më të vogla e sa më i vogël që është mjedisi, në këtë aspekt, është edhe më problem që të funksionojë mediumi si i tillë. E kam fjalën edhe për të ardhurat që ata mund t’i sigurojnë si gazetarë dhe si media”, thotë Mushkolaj.

Ai identifikon një të përbashkët për gazetarët e të dyja komuniteteve. Thotë se mungesa e transparencës së institucioneve në Kosovë është brengë e të gjithë gazetarëve, pa marrë parasysh komunitetit që i takojnë.

“Institucionet për fat të keq sa i përket çështje së transparencës janë jashtëzakonisht të mbyllura, sidomos këto vitet e fundit dhe kjo mbyllje, kjo mosdhënie e informacionit me kohë dhe informacionit të duhur, bënë që puna e gazetarëve të të dyja komuniteteve të vështirësohet edhe më shumë”, deklaron Mushkolaj.

Transmetuesi publik ka një kanal televiziv në gjuhën serbe dhe në Kosovë një numër mediash ofrojnë për publikun përmbajtje në gjuhën serbe.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.