Prapaskenat e vendimit për gjetjen e një zgjidhjeje me Serbinë lidhur me situatën e krijuar me targat ilegale, kryeministri Albin Kurti i ka shpalosur të shtunën në një intervistë për të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Bazuar në pjesët e ndara për publikun nga intervista ende e papublikuar, Kurti ka bërë të ditur se për situatën e sigurisë në veri, ambasadori amerikan në Kosovë ka pasur më shumë informacione sesa ai. Për çështjet e ndërlidhura me veriun, dialogun dhe Serbinë, Kurti ka folur edhe para pjesëmarrësve në një kongres në Spanjë, ku ndodhet për vizitë
Paralajmërimi i ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, rreth sigurisë në veri të Kosovës, ka qenë shkaku për të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është bërë kompromis lidhur me targat ilegale. Ai ka dhënë intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Marrëveshjen për targat, Kosova e Serbia e arritën më 23 nëntor, pas bisedimeve mbi gjashtorëshe të zhvilluara në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.
Në një pjesë të intervistës ende të papublikuar tërësisht, Kurti ka theksuar se për gjendjen e sigurisë në veri ambasadori amerikan kishte më shumë informacione sesa ai.
“Kurti tha se ishte dakord për një kompromis në ‘krizën e targave’, pasi ishte paralajmëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë se situata në veri të Kosovës ‘mund të përkeqësohet rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme’. Ambasadori amerikan ‘kishte më shumë informacion se unë’ për situatën në veri, theksoi z. Kurti, duke përmendur ‘shqetësimet e sigurisë’, pa hyrë në detaje”, ka bërë të ditur Michael Martens, gazetar i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Sipas paralajmërimit të bërë nga ky gazetar, në intervistën për FAZ, Kurti, mes të tjerash, ka folur edhe për njohjen nga Serbia, formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, liberalizimin e vizave e anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kurti: “Serbia, një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh”
Përkitazi me veriun, Kurti ka folur edhe në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste, që është duke u mbajtur në Madrid të Spanjës, ku ndodhet për vizitë.
Aty ai ka theksuar se Serbia, me anë të përdorimit të ndikimit në veri, po mundohet që ta minojë sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
“Përbërësi që mungon për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Serbi demokratike. Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe ai me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh dhe me lidhje të gjera dhe të afërta me Kremlinin. Që nga mbarimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot ata i mbajnë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën”, ka thënë kryeministri Kurti. Për më tepër, sipas tij, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Serbia është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë.
“Edhe pse në vitin 2010 Serbia kërkoi mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ajo ka zgjedhur të mos i respektojë gjetjet e Gjykatës”, ka deklaruar Kurti.
Një paqe e njëmendtë me Serbinë, ai ka thënë se është vështirë të arrihet përderisa Beogradi zyrtar nuk ndryshon qëndrim për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Me një Serbi autoritare që refuzon t’i pranojë krimet e luftës nga e kaluara e afërt, e lëre më të kërkojë falje për to, madje edhe një modus vivendi është e vështirë të arrihet, e lëre më një paqe e vërtetë përgjatë vijave kantiane. Megjithatë, ne u angazhuam në dialog të hapur demokratik në Bruksel, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ai.
“Kosova, një nga vendet më demokratike në rajon”
Në fjalimin e tij në këtë kongres, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar punën e bërë nga Qeveria e tij. Ai ka thënë se kabineti qeveritar është i fokusuar në zhvillimin e ekonomisë, në reformimin e drejtësisë, e forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Sipas Kurtit, Kosova është një “nga vendet më demokratike në rajonin tonë”.
“Që nga ardhja në pushtet e partisë sonë dhe pavarësisht efekteve negative nga pandemia globale COVID-19, ekonomia jonë ka arritur disa rezultate të dukshme. Për shembull, vitin e kaluar kemi pasur një rritje dyshifrore prej 10.7% të BPV-së. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj rritjeje u ushqye nga besimi më i madh i njerëzve në Qeverinë tonë. Vitin e kaluar kemi pasur një rritje prej 22 për qind të investimeve të huaja direkte, këtë vit deri më tani janë 47 për qind, ndërsa eksportet në vitin 2021 janë rritur për 83 për qind, ndërsa këtë vit për 29 për qind. Pa bërë asnjë ndryshim në politikën fiskale, të ardhurat tona tatimore u rritën me 34 për qind”.
Kurti ka thënë se me ardhjen e tij në pushtet ka pësuar ndryshime pozitive edhe në renditjen e Kosovës në indekset ndërkombëtare që përcjellin sundimin e ligjit, lirinë e shtypit e transparencën e qeverisë.
“Për shembull, vitin e kaluar dhe këtë vit përsëri, World Justice Project na renditi të parët në Ballkan në Indeksin e tij për Sundimin e Ligjit. Ne e përmirësuam renditjen tonë me 17 vende, si në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit (nga Reporters Without Borders) ashtu edhe në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International”, ka deklaruar Kurti.
Kosova dhe Serbia, në mes të kësaj jave gjetën një zgjidhje për çështjen e targave ilegale, pas rrezikut që u paralajmërua për përshkallëzim të situatës së sigurisë. Në bazë të dakordimit, Kosova është pajtuar që të mos shqiptojë gjoba për ngasësit e automjeteve me targa ilegale, e Serbia të mos lëshojë targa të reja me akronime të qyteteve të Kosovës. Sipas deklaratës për të cilën u pajtuan të dyja palët, me ndërmjetësimin e BE-së, do të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve, sipas propozimit evropian.