Produktet bazike si, mielli, qumështi, vezët, sheqeri e sidomos vaji, janë rritur me një përqindje të konsiderueshme. Për shembull çmimi i vajit është rritur deri në 35 për qind. I gjithë ky shtrenjtim po ndodh në kohë kur edhe pandemia po “shtrydh” qytetarët
Në njërën anë pandemia, përkatësisht shpenzimet që sjell ajo e në anën tjetër, shporta më e vogël, përkatësisht ngritje e çmimeve.
Qytetarët ankohen se çmimet e konsumit nga muaji në muaj janë rritur dukshëm, çka po ua rëndon jetën më shumë.
Produktet bazike si, mielli, qumështi, vezët, sheqeri e sidomos vaji, janë rritur me një përqindje të konsiderueshme.
Halil Gashi, qytetar nga Prishtina, thotë se rritjen e çmimeve ka nisur ta vërejë qysh nga masat e para anti-COVID që u morën nga Qeveria.
“Çmimet janë rritur goxha shumë. Në të gjitha produktet nga pak, faksi, kripa, mollët në krejt gjërat, prej që u vendosën masat ka rritje”, thotë ai.
Reshat Salihu, ndërkohë thotë se është e çuditshme se si vaji nga 1.20 euro është rritur në 1.50 për një kohë të shkurtër.
“Në shumë artikuj kam parë që ka rritje të çmimeve, në pemë e shumë produkte të tjera, por ajo që e kam vërejtur më shumë është sesi çmimi i vajit ka shkuar deri në 1.50 euro”, ka thënë Salihu.
Në një raport të muajit shkurt nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar, rritje të çmimeve ka pasur në miell, oriz, vezë, vaj, fasule, pije, duhan e në shumë produkte të tjera.
Asllan Bajrami, qytetar i cili furnizohet nëpër marketet e Prishtinës, thotë se shtrenjtimi i shumë produkteve ushqimore është lehtë i vërejtshëm.
“Shtrenjtimin mund ta vëresh tek artikujt e frutave dhe perimeve dhe tek artikujt e ushqimit të përditshëm, te djathërat, te qumështi, te të gjitha këto që janë të domosdoshme dhe elementare ka një rritje çmimesh. Në shikim të parë duket e papërfillshme, por ato mund ta rëndojnë shportën e familjes”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, tregtarët mund të gjejnë arsye për rritje të çmimeve për shkak të ndikimit që pandemia ka pasur në bizneset e tyre. Bajrami thekson se është çështje e Qeverisë që ta menaxhojë situatën dhe të gjejë një mes, si për tregtarët ashtu edhe për konsumatorët.
“Do të duhej të kishte një përkujdesje dhe menaxhim më të mirë të situatës nga Qeveria për të parë edhe kurbën e çmimeve dhe për të caktuar limitet në situata të tilla në të cilat po kalojmë ne. Uroj që kjo të rregullohet dhe qytetarët pavarësisht vështirësive që po kalojnë, të kenë lehtësira në kuptimin e artikujve të konsumit të përditshëm”, ka shtuar ai.
Shtrenjtimin e çmimeve e ka konfirmuar edhe kryetari i organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku. Ai thotë se edhe pse kohëve të fundit ka pasur rritje të mëdha çmimesh, megjithatë numri i konsumatorëve që janë ankuar nuk ka qenë shumë i lartë. Kjo sipas Kaçanikut, ka ardhur si pasojë e zhgënjimit, pasi që konsumatorët të cilët janë ankuar asnjëherë nuk kanë gjetur mbështetje e as reagim nga organet kompetente.
“Qytetari konsumator e ka humbur besimin, sepse aty ku drejtohet me ankesë nuk gjen përkrahje për shkak se kompetentët ankohen se drejtësia është e ngathët, se gjyqësia është e stërngarkuar me lëndë, e të tjera. Në këtë gjendje, numri i atyre që janë ankuar është shumë i vogël dhe ne duhet të brengosemi pse numri i ankesave është jashtëzakonisht i vogël”, ka thënë Kaçaniku.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta kontrollojë dhe ta menaxhojë këtë situatë, duke marrë parasysh edhe gjendjen me pandeminë me të cilën po përballen qytetarët.
“Ankesat më të mëdha janë te artikujt themelorë ushqimorë. Kemi të bëjmë me ankesa në rritjen e çmimit të vajit, që rritja është deri në 35 për qind, është rritje enorme që nuk tolerohet. Në sheqer, në miell dhe në disa artikuj të tjerë. Nëse shteti nuk është i interesuar, atëherë ne mund të kemi diskrepanca të tilla saqë një artikull në Kosovë kushton tri herë më shtrenjtë sesa në Maqedoninë Veriore”, ka thënë Kaçaniku.
Ndër shërbimet e tjera, që Kaçaniku thotë se Qeveria nuk duhet ta lejojë shtrenjtimin kurrsesi, është edhe energjia elektrike.