Pavarësisht masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbajë ndaj Kosovës, zyrtarë qeveritarë thonë se nuk është zbehur përkushtimi i tyre në përmbushjen e agjendës evropiane, teksa shpresojnë që aplikimi të trajtohet gjatë Presidencës së Belgjikës, e cila ka marrë kryesimin nga janari i këtij viti. Por njohës të integrimeve thonë se prej të gjitha vendeve evropiane që aplikuan për anëtarësim, vetëm Kosova mbeti pa status kandidati për shkak të mungesës së vullnetit politik në BE
Plan ambicioz të reformave që dalin nga marrëdhënia kontraktuale me Bashkimin Evropian parasheh Qeveria e Kosovës, mbështetur në Programin Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028. Detyrimet janë përmbledhur në tri blloqe kryesore, të cilat trajtohen ndër vite edhe në raportet e Komisionit Evropian për Kosovën.
“Programi është gjithëpërfshirës për kah fushëveprimi. Ai parasheh reforma afatshkurtra për vitin 2024 dhe objektiva prioritare afatmesme për përmbushjen e detyrimeve të dala nga MSA dhe nga mekanizma të tjerë për integrim në BE, përmes përfarimit të legjislacionit kombëtar me acquis-në e BE-së dhe zbatimit të legjislacionit të përafruar. Bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, ai është i ndarë në tri blloqe: Kriteret politike, Kriteret ekonomike, dhe Standardet evropiane – përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në e BE-së”, shkruan në Programin Kombëtar.
Ky është dokumenti kryesor strategjik i Republikës së Kosovës për zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian (BE), i orientuar kah adoptimi i acquis-së së BE-së në legjislacionin kombëtar dhe zbatimi i tij. Programi Kombëtar për Integrim është i shtati me radhë që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Republikës së Kosovës.
Blloku i parë përfshin kriteret politike dhe mbulon legjislativin, kushtetutën, sistemin zgjedhor, administratën publike dhe bashkëpunimin rajonal.
Blloku dy flet për kriteret ekonomike, që duhet të jenë në harmoni me Programin për Reforma Ekonomike (PRE). Ai gjithashtu reflekton prioritete dhe aktivitete të dala nga mekanizma të tjerë të dialogut me BE-në, si prioritetet vjetore, konkluzionet e strukturave të MSA-së, ose nga mekanizmat multilateralë, si marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Standardet evropiane e përafrimi i legjislacionit të Kosovës me acquis-në dhe BE-në janë në kuadër të bllokut të tretë, ku përfshin të gjitha fushat e acquis-së së BE-së, me të cilën duhet të përafrohet legjislacioni vendor.
Përmbyllja e zbatimit të fazës së dytë të prioriteteve politike në kuadër të ERA 2 përmendet në Programin Kombëtar.
“Zhvillim tjetër me rëndësi përbën përmbyllja e zbatimit të fazës së dytë të prioriteteve politike për zbatimin e MSA-së – Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II), përkatësisht 15 prioriteteve të dakorduara me BE-në dhe të zbatuara përmes Planit të Veprimit për zbatimin e prioriteteve (PV ERA II). Në kuadër të ERA II, nga mesi i vitit 2021 deri në fund të vitit 2023 Kosova ka zbatuar reforma kyç ekonomike, për fuqizimin e sundimit të ligjit, konsolidimin e qeverisjes së mirë, si dhe përafrimin me standardet e BE-së në fushat e punësimit, arsimit e shëndetësisë. Kjo e ka sjellë Kosovën më afër BE-së dhe ajo është e përgatitur – politikisht, ekonomikisht, ligjërisht dhe institucionalisht – për fazën e ardhshme drejt anëtarësimit në BE”, shkruan në dokument.
Në Qeveri thonë se nuk ua zbehin përkushtimin masat ndëshkuese të BE-së
Por BE-ja vazhdon ta mbajë Kosovën nën masa sanksionuese që u vendosën pas tensioneve në veri dhe nuk ka qartësi se kur mund të hyjë në procedurë aplikimi për anëtarësim në BE, që u deponua para një viti.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se masat sanksionuese të BE-së nuk e ngadalësojnë përkushtimin në përmbushjen e reformave që dalin edhe nga prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA).
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin e saj për avancimin në agjendën evropiane dhe përmbushjen e reformave. Numri më i madh ndonjëherë i projektligjeve të miratuara e zbatueshmëri të më shumë se gjysmës së reformave e obligimeve të ndërmarra brenda agjendës evropiane, janë sinjale të vullnetit, por edhe rezultateve të prekshme që po i arrijmë”, ka thënë Klisman Kadiu – këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Masat ndëshkuese të padrejta ndaj Kosovës nuk e zbehin përkushtimin tonë apo ngadalësojnë punën nga ana jonë dhe institucioneve tona. Ne e mirëpresim fillimin e Presidencës belge të Këshillit të BE-së, dhe do të punojmë ngushtësisht duke ofruar argumentet tona se pse Kosova, si shtet demokratik e progresist, meriton të bëjë hapa para, në një proces i cili duhet të bazohet në meritokraci".
Nga janari i këtij viti, Presidencën e Këshillit të BE-së e ka Belgjika. Zgjerimi me vende të reja trajtohet në kuadër të prioritetit të parë të Presidencës belge, që është mbrojtja e sundimit të ligjit, demokracisë dhe unitetit.
“Zgjerimi i Bashkimit tonë duhet të na bëjë të gjithëve më të fortë. Prandaj, Presidenca është e përkushtuar të mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për t'iu bashkuar Bashkimit tonë. Në të njëjtën kohë do të jetë thelbësore të përgatiten politikat, burimet dhe strukturat vendimmarrëse të Bashkimit në funksion të aderimeve të ardhshme”, thuhet në prioritetin e parë të Presidencës belge.
Palokaj: Kosova pa statusin e kandidatit, ka mungesë vullneti politik në BE
Prej të gjitha vendeve evropiane që kanë aplikuar për anëtarësim në BE, vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidati. Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se kjo po ndodh për shkak se nuk ka vullnet politik.
“Sikur të ketë vullnet Belgjika gjatë kryesimit të radhës mund ta vërë në rend dite së paku shqyrtimin e aplikimit të Kosovës. Por nëse Belgjika insiston se i duhet konsensus i të gjitha vendeve anëtare, atëherë gjasat që të ketë lëvizje janë shumë të vogla”, ka thënë Palokaj.
Sipas tij, suksesi i Kosovës varet nga dy çështje.
“E para, është qëndrimi i vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe e dyta vlerësimi nëse Kosova është duke i përmbushur apo jo obligimet nga dialogu. Nëse do të ketë vlerësim pozitiv dhe vullnet politik, atëherë gjërat edhe mund të lëvizin, mirëpo kjo nuk duket reale që të ndodhë gjatë kryesimit të Belgjikës”, ka potencuar Palokaj.
Më 15 dhjetor 2022, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE.
Aplikimi i ishte dorëzuar Qeverisë së Çekisë, në kapacitetin e Presidencës së Këshillit Evropian, përkatësisht ministrit për Çështje Evropiane, Mikulaš Bek, nga kryeministri Albin Kurti.
Më 20 dhjetor 2022, Këshilli i BE-së është informuar nga ana e Presidencës së Çekisë për aplikimin, ndërsa Presidenca e Suedisë është shprehur e gatshme që ta trajtojë atë gjatë kryesimit të Këshillit nga ana e tyre. Megjithatë, gjatë Presidencës Suedeze, Këshilli i BE-së nuk ka arritur të marrë ndonjë vendim lidhur me aplikimin. Sipas asaj që shkruan në Program, Republika e Kosovës është në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim, në mënyrë që pastaj së bashku me BE-në të fillojë përgatitjet për të nisur negociatat e anëtarësimit.
Por në BE aktualisht nuk janë të sigurt nëse në hapin e parë duhet vendim unanim apo mjafton që askush të mos jetë kundër, apo edhe shumica. Por Suedia që kishte Presidencën e kaluar synonte që edhe për këtë të ketë unitet, në mënyrë që më pas procesi të shkojë më lehtë, prandaj edhe nuk e vendosi fare në agjendë. Ndërsa Spanja nuk deshi të ketë pune fare me Kosovën.
Hapi i parë nënkupton dhënien e mandatit Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth kandidaturës së Kosovës. Në këtë mendim Komisioni, pas shqyrtimit të hollësishëm, vlerëson nëse i përmbush apo jo aplikuesi kriteret dhe dhënien e statusit të kandidatit dhe nisjes së negociatave të anëtarësimit. Nëse vlerëson se i përmbush, atëherë Komisioni rekomandon dhënien e statusit të kandidatit, apo edhe nisjen e negociatave. Komisioni Evropian është shprehur i gatshëm t’ia dërgojë pyetësorin Kosovës dhe të përpilojë mendimin sipas procedurave ekzistuese.
Ngecjet e konstatuara në raportin e KE-së
Niveli i përmbushjes së kritereve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim- Asociimit trajtohet edhe në raportin e përvitshëm të Komisionit Evropian. Në Raportin e fundit për Kosovën, ky institucion konstatoi “përparim të kufizuar” në shumicën prej fushave që vlerësohen.
Aty përmenden situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës, si dhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
KE-ja ka shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur së zbatuari obligimet nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i kërkohet që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, mbi bazën e propozimit të fundit për draftstatusin për Asociacionin, i cili u ishte prezantuar palëve më 21 tetor.
Kosova vlerësohet të jetë në një fazë të hershme edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Është bërë përparim i kufizuar gjatë periudhës raportuese dhe korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese. Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe korniza ligjore për konfiskimet penal është avancuar, mbetet ende shumë për t’u bërë në zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Kosova duhet t’i rrisë përpjekjet për hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim aseteve”, thuhet në raportin për Kosovën.
Sipas KE-së, Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme edhe sa u përket kapaciteteve për t’u përballur me konkurrencën e tregut në BE, derisa për sistemin arsimor thotë se nuk është në përputhje adekuate me nevojat e tregut të punës.
Në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve evropianë më 8 nëntor të vitit të kaluar, u miratua paketa e zgjerimit, së bashku me raportet individuale të progresit për të gjitha shtetet e përfshira në këtë proces.
Për herë të parë u miratuan edhe raportet e progresit për dhjetë shtete që janë në këtë proces- Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina.
Nga këto dhjetë vende, Kosova mbetet i vetmi vend që nuk ka rekomandim për statusin e kandidatit.
Udhëheqës të BE-së në disa raste e kanë bërë të qartë se përparimi i Kosovës drejt BE-së varet nga zbatimi i marrëveshjeve në dialog me Serbinë.