Plani të cilin e pati publikuar para një viti Bujar Osmani për llogari të misionit të OSBE-së po konsiderohet konfirmim i kërkesave që kishin ndërkombëtarët për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Megjithëse analistët kontestojnë disa propozime që ishin dhënë atëherë, sipas tyre, publikimi i Planit në kulmin e fushatës parazgjedhore në Maqedoni të Veriut mund të jetë bërë për ta dëmtuar Osmanin
Plani 9-pikësh të cilin e kishte hartuar Bujar Osmani në emër të OSBE-së për shtensionimin e situatës në veri po shfrytëzohet si kartë elektorale në Maqedoninë e Veriut. Edhe pse Osmani, aktualisht kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, e kishte paraqitur në qershor të vitit të kaluar, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e aktualizuan së fundi. Fillimisht zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, shkroi se e kuptuam të shtunën që plani 9-pikësh i OSBE-së është hartuar nga vetë Bujar Osmani, duke e cilësuar një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë.
Kundërkandidat i Osmanit nga partitë shqiptare është Arben Taravari, i cili reagoi pas publikimit të njoftimit nga Qeveria e Kosovës. Sipas tij, Osmani e ka keqpërdorur pozicionin e tij për t’ia bërë argatin Serbisë duke i bërë të vetat kërkesat e Beogradit.
“Dokumenti i Bujar Osmanit ka kërkuar që të mos qëndrojnë në veri ata heronj që na bënë krenarë të gjithëve në rastin e sulmit të Vuçiqit në Banjskës, ku u vra nga terroristët serbë polici dëshmor Afrim Bunjaku. Fatmirësisht mendoj, Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar planin e Bujar Osmanit, sepse po të ishte pranuar ai plan, bandat e Vuçiqit nuk do të kishin gjetur rezistencë. Na vjen të gjithëve vështirë kur një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, siç është Bujar Osmani, mban qëndrime të tilla antikombëtare në rastin e Kosovës”, ka shkruar Taravari, i cili është kandidati i koalicionit të partive opozitare nga Maqedonia e Veriut.
Por atij i reagoi Osmani duke thënë se plani është bërë në koordinim me vendet aleate, për të parandaluar zgjidhje territoriale.
“Po ta dinte Arben Taravari se si është sintetizuar, përgatitur dhe miratuar plani nëntëpikësh i kryesuesit të OSBE-së për deeskalim në veri dhe rolin e këtij plani për të parandaluar zgjidhje territoriale për çështjet etnike në Kosovë, do të mendonte dy herë para se të involvohet në lojëra elektorale që nuk i njeh dhe që mund ta dëmtojnë shumë interesin e Kosovës! Kosova është çliruar me rezistencë dhe përpjekje të koordinuara. Dhe, liria dhe pavarësia e Kosovës mund të mbrohet vetëm me veprime të koordinuara”, ka shkruar Osmani.
Pikat e planit të OSBE-së i kishte publikuar Bujar Osmani më 3 qershor të vitit të kaluar.
Mes tjerash, plani sugjeronte largimin e njësive speciale nga veriu si dhe dorëheqjet e kryetarëve shqiptarë për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
Ky postim i Osmanit atëbotë pati nxitur edhe reagime të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mes tjerëve, aktivisti Alban Krasniqi kishte komentuar në postimin e Osmanit duke thënë për ta “nuk janë befasuese deklaratat pro Vuçiqit të politikanëve të korruptuar shqiptarë në Shqipëri dhe Maqedoni”.
“Republika e Kosovës ka kushtetutën e saj, ka ligje dhe procedura të detyrueshme për t'u ndjekur. Ky është sulm i qartë ndaj sovranitetit dhe integritetit të shtetit tonë, por nuk do të kalojë”, pati komentuar Krasniqi më 4 qershor.
Analisti nga Maqedonia e Veriut, Albert Musliu, thotë se Plani i Osmanit ishte në përputhje me kërkesat ndërkombëtare megjithëse i sheh kontestuese disa pika.
“Normalisht kishim një proces të bllokuar, serbë jashtë institucioneve të cilët fatkeqësisht Beogradi i keqpërdori për interesa të veta sikurse edhe procesin e dialogut, kurse tani kemi hyrje në një fazë të normalizimit. Realisht prej atyre nëntë pikave mundet eventualisht të komentohet pika e tërheqjes së njësive speciale por mos të harrojmë se z. Osmani ishte kryesues i OSBE-së ndërsa qëndrimi i anëtarëve më të fuqishëm të OSBE-së, shteteve të Bashkimit Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin për atë drejtim të shtensionimit të situatës në veri. Kështu që mendoj se politikanët në Maqedoni në momentet më të vështira për Kosovë asnjëherë nuk kanë bërë kompromis me interesat e Kosovës edhe në dëm të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Musliu.
Ai ka shtuar se rikthimi i këtij plani në kohë fushate nuk mund të jetë i rastësishëm.
“Ndodh në momentin kur kandidati presidencial Bujar Osmani është në pikun e fushatës zgjedhore. Nëse nuk është ashtu, atëherë mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të japë sqarime se pse nuk ka ndodhur në momentin kur e ka dorëzuar planin 9-pikësh. E kemi pasur edhe takimin e Ohrit që është organizuar pikërisht nga z. Osmani. Prej atij takimi doli humbës Vuçiqi që tha se e pranon por nuk e nënshkruan marrëveshjen ndërsa kryeministri i Kosovës kishte qëndrimin se takimi duhet të mbarojë me nënshkrimin e marrëveshjes. Prej kësaj perspektive mund të shihet se u zgjodh momenti pikërisht për shkak të kampanjës zgjedhore në Maqedoni të Veriut”, është shprehur Musliu.
Me vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut në gusht të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti pati nxitur reagime tek spektri politik shqiptar. Madje Osmani të cilin as Kurti e as vartës të tij nuk e takuan, pati deklaruar se “Kurti me siguri që nuk vjen si kryeministër”.
Fronti Evropian dhe koalicioni VLEN janë dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut të cilat garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që mbahen më 24 prill dhe 8 maj.
Bashkimi Demokratik për Integrim edhe pse fillimisht tentoi të krijonte një koalicion të gjerë me Lidhjen Social Demokrate të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, megjithatë vendosi që koalicioni Fronti Evropian të përfshijë partitë më të vogla shqiptare dhe të bashkësive të tjera etnike.
Katër partitë opozitare shqiptare që janë rreshtuar në koalicionin VLEN janë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët e kandidatit për president Arben Taravari dhe partia Alternativa.