Arbëri

Njohësit të ndarë në dysh nëse situata në Ukrainë mund të shpejtojë pranimin e Kosovës në NATO

Qëndrime të ndryshme kanë njohësit e sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare sa i përket ndikimit që situata në Ukrainë mund të ketë në përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në anën tjetër, nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut thonë se angazhimi i tyre në Kosovë nuk ka ndryshuar.

Situata në Ukrainë nuk ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të NATO-s karshi Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, kanë thënë se janë të përkushtuar të kontribuojnë për një mjedis të sigurt në Ballkanin Perëndimor.

“Angazhimi i NATO-s në Kosovë nuk ka ndryshuar. Ne mbetemi të përkushtuar përmes KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe të mandatuar nga OKB-ja, e cila kontribuon për një mjedis të sigurt dhe për një stabilitet më të gjerë në Ballkanin Perëndimor. Përveç KFOR-it, NATO-s – përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s – vazhdon të kryejë aktivitete për ngritjen e kapaciteteve në mbështetje të organizatave të sigurisë së Kosovës brenda mandatit të tyre fillestar. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte dhe jo i drejtuar nga kalendarët”, ka thënë NATO.

Megjithëkëtë, njohësit e politikave në vend janë të ndarë sa i përket ndikimit që situata mes Ukrainës dhe Rusisë mund të ketë në anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Drejtori ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, thotë se institucionet duhet të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar. Por sipas tij, vendimtare mbetet qëndrimi i shteteve anëtare të NATO-s karshi Kosovës.

“Pjesa vendimtare është e ndërlidhur me nevojën e partnerëve kyç ndërkombëtarë që janë më influencuesit, në këtë rast si Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, për me ngrit presioni ndaj shteteve bllokuese, që janë duke e blloku procesin që me pranu unitetin brenda gjithë kontinentit dhe me u mundu që sa më tepër të jenë vendet si Kosova pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë”, ka thënë Vrajolli.

Profesori i të Drejtës dhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se një proces i tillë përcaktohet nga dinamikat dhe faktorët e tjerë të brendshëm.

“Nuk është ajo që është e pamundur, por nuk diktohet prej faktorëve që po paraqiten. Nuk diktohet prej faktorit rus, raporteve të tyre fqinjësore si Ukraina apo vendeve të tjera. Ajo diktohet prej raporteve tona me Serbinë, sa i përket dialogut”, ka thënë ai.

Ndihmë nga qytetarët në fushatën lobuese për anëtarësimin e Kosovës në NATO ka kërkuar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Por, Ministria që ai drejton, sikurse edhe ajo e Punëve të Jashtme, nuk i janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS, këtë të martë.