Arbëri

Nimanbegu sinjalizon Kurtin për statusin e Kishës Ortodokse Serbe

Deputeti shqiptar në Malin e Zi dhe kryetar i partisë Forca e Re Demokratike, Genc Nimanbegu, ka shprehur në Prishtinë shqetësimin për ndërhyrjet e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale të Malit të Zi. Në një takim me kryeministrin dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas njoftimit të VV-së të shtunën, është thënë se kjo kishë ka tensionuar raportet etnike në Malin e Zi.

Njoftimi ka theksuar se në takim janë diskutuar marrëdhëniet ndërshtetërore “me ç’rast u përmend edhe ndërtimi i rrugës Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë, çka do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve dhe forcojë lidhjen ekonomike dhe tregtare”.

“Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Mali i Zi njoftuan me situatën politike atje me theks të veçantë ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe në jetën politike e institucionale çka ka tensionuar edhe më shumë raportet etnike dhe ndërhyrjet e Serbisë në shtetin e Malit të Zi”, thuhet në njoftim të VV-së të publikuar të shtunën në mbrëmje në Facebook.

Rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka qenë një nga pikat të propozimit franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi, sipas publikimeve të deritashme. Aty është thënë se duhet të formalizohet statusi i kësaj kishe në Kosovë e të ofrohet nivel i lartë i mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

Pikërisht kjo çështje, sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, dhe publicistit Veton Surroi, është një ndër sfidat që mund t’i paraqiten Kosovës nëpërmjet këtij plani. “Dy janë sfidat imediate të inkorporuara në këtë projekt. Është çështja e vetadministrimit të serbëve të Kosovës, dhe është përligjja e statusit të Kishës Ortodokse serbe”, pati thënë Surroi të enjten në “Konfront” të KTV-së. Duke përmendur disa problemet që i sheh në këtë plan, Hasani pati thënë se ndër to është “rregullimi formal i Kishës”. Ai po ashtu ka shtuar se për të mendohet që të bëhet “një zgjidhje që është bërë në Mal të Zi”.

Tensione të mëdha shkaktoi marrëveshja që vitin e shkuar e nënshkroi kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me Kishën Ortodokse Serbe, duke i dhenë kompetenca ligjore publike dhe duke i hapur mundësinë futjes së arsimit fetar në shkolla. Me marrëveshjen me Kishën, shteti i Malit të Zi nuk mund të ndërmarrë masa sigurie në ndërtesat e kultit ortodoks serb e po ashtu shteti mori përsipër t’i regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.