Arbëri

Nikolla: Institucionet duhet t’u ofrojnë siguri qytetarëve që të mos kenë arsye të posedojnë armë

Ferdinand Nikolla, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Brendshme, ka identifikuar dy arsye që qytetarët e Kosovës mbajnë armë pa leje. Ai ka thënë se që pas shpalljes së pavarësisë institucionet e vendit kanë bërë hapa pozitivë, porse ende nuk është arritur të vihet nën kontroll kjo dukuri.

Nikolla në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ligji për armët është në Ministrinë e Brendshme dhe se kjo po punon me koncept dokumentin për të futur kritere të reja sa u përket armëmbajtjes me leje, në ashpërsimin e gjobave për armëmbajtësit pa leje, e të tjera.

“Armëmbajtja pa leje përbën një nga rreziqet për sigurinë publike dhe është mjaft shqetësues fakti që qasja apo ardhja deri te një armë pa leje është kaq e lehtë në Kosovë. Janë shumë faktorë që kanë ndikuar të kemi prani të madhe të armëve. Një aspekt që duhet ta trajtojmë është konteksti historik i Kosovës dhe rajonit, duke filluar nga luftërat në Ballkan dhe ajo në Kosovë ku shtetet janë vërshuar nga armët. Dy dekada pas ky problem vazhdon të na shqetësojë. Tjetër aspekt ka të bëjë më sundimin e ligjit, aftësinë e shtetit që tu garantojë qytetarëve siguri dhe drejtësi”, ka thënë ai.

Nikolla ka thënë se për aspektin e dytë, që shteti tu garantojë siguri qytetarëve, “kërkohet angazhim shumë i madh në rritjen e besimit në institucionet e ofrimit të sigurisë, të drejtësisë, që qytetarët të mos kenë arsye fare që t’i posedojnë armët”.

Ai tha se praktikat gjyqësore tregon se ka dykuptimësi dhe kontradikta në mënyrën si po zbatohen disa nene dhe se për këtë arsye po krijohet realitet i ri, me një koncept të ri.

Nikolla ka thënë se policia has në vështirësi jo vetëm me armë pa leje por edhe ato që janë me leje.

“Policia armët që i sekuestron për posedim të paligjshëm, nuk paraqet problem. Problemi shfaqet edhe te armët që kanë leje. Shembull personi ka leje për armë gjuetie apo tjetër por ka specifika se ku duhet të përdoret dhe transporti i saj nuk duhet të jetë në trup, lejohet të bartet në veturë dhe arma e karikatori vendoset ndaras”.

Ndërkaq, tregoi se gjatë vitit 2021 nga afër 1000 armë të sekuestruara, më të shpeshtat kanë qenë armë automatike, gjysmëautomatike e pistoletat.

“Kërkohet të specifikohet tutje praktika dhe rregullat se si mund të barten armët me leje. Çdo vit, policia sekuestron 1000-1200 armë pa leje nga operacione të ndryshme. Në 2021 janë sekuestruar 998 armë, pushke gjysmëautomatike, gjuetie, automatike e të tjera. Aty kryesojnë pushkët automatike dhe gjysmëautomatike dhe pistoletat”.

Nikolla ka thënë se Qeveria do të punojë për iniciativën e dorëzimit vullnetar të armëve.

Ai ka mbështetur raportin e 2015-s sipas të cilit në Kosovë janë rreth 250 mijë armë pa leje. Tha tutje se në vend janë 22 poligone të shenjëtarisë, 35 dyqane të shitjes së armëve, dhe 6 dyqane të shitjes së fishekzjarrëve. Për këtë të fundit, Nikolla ka thënë se do të precizohet më tej sipas ligjit që ekziston prej sa vitesh që shitja e fishekzjarrëve të ndalohet nëpër dyqanet e zakonshme, esenciale e të tjera ku qasje kanë edhe fëmijët, e që sipas ligjit një gjë e tillë ndalohet.