Serbia e ka quajtur skandal dhe ka nisur hetimin për dhënien e disertacioneve të doktoratës për 15 shqiptarë nga Kosova, kryesisht me pozita të larta në institucionet e ndryshme të vendit, nga Universiteti i Kragujevcit.
Në Serbi, më shumë ka shkaktuar skandal sesi ky universitet ka lejuar shtjellim të temave për doktoratë që kanë të bëjnë me shtetësinë e Kosovës.
Mediat serbe kanë nxjerr 15 emra shqiptarësh që sipas tyre kanë marrë diploma në Kragujevc, e disa prek këtyre, të kontaktuar nga KOHA, thanë se nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë universitet. Sipas të apostrofuarve nga mediat serbe, ata kanë doktoruar në Qendrën Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, por meqë dega e këtij institucioni u mbyll në Kosovë, atëherë diplomat i kanë marrë në Shkup, në degën e këtij institucioni.
Në fakt, ky institucion figuron i themeluar nga Kombet e Bashkuara dhe ka filialet e tij janë kudo në rajon.
Mediat në Serbi e kanë lidhur dhënien e diplomave me një profesor serb, Nebojsha Arsenijeviq, që ishte rektor në Universitetin e Kragujevcit dhe dekan në ECDP.
Në fakt, gazeta “KOHA Ditore” kishte shkruar për Qendrën rajonale ECPD, e transformuar në universitet, para gjashtë vjetësh. Pas dy shkrimeve të KOHËS ku u shpalos shumëçka, ndër të tjera edhe se si zyrtarët e vendit shkolloheshin mem para të buxhetit të vendit, ministri i Arsimit në atë kohë, Arsim Bajrami, vendosi të shpallë të jashtëligjshme diplomat dhe vetë ECDP-në.
Në vazhdim mund të lexoni hulumtimin e ndarë në tri shkrime, të publikuara më 9, 10 e 11 shkurt 2015.
Universiteti ilegal “diplomatik”

Besnik Krasniqi e Ganimet Klaiqi
Prishtinë, 9 shkurt – Në Hotelin Grand janë “gatuar” edhe diploma për master e doktoratë. Deri para dy javësh, aty ka pasur selinë një institucion që prej gati një dekade ilegalisht organizon studime dhe lëshon diploma për nivele pasuniversitare.
Është krijuar si qendër rajonale dhe më vonë e ka avancuar statusin në universitet. Pushteti ka qenë në dijeni për veprimtarinë e tij. Jo që nuk e ka penguar, por nëpërmjet një kontrate i ka dhënë lirinë për të funksionuar jashtëligjshëm, pa akreditim dhe pa licencë, dhe që diplomat që lëshon të mos i nënshtrohen njohjes a nostrifikimit. E ka ndihmuar edhe me godina dhe e ka promovuar publikisht. Madje, nga buxheti i shtetit ka ndarë bursa për të “shkolluar” aty kuadro të administratës – që tani janë diplomatë, të shpërndarë nga Zagrebi i afërt e deri në New York e Tokio.
Historia nisë në fund të 2006-s.
Ministria e Arsimit, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Qendra Evropiane për Paqe dhe Zhvillim, kishin firmosur një “letër qëllimi” për hapjen e një qendre, në të cilën do të organizoheshin studime pasdiplomike në fushën e Menaxhimit, studimeve të së Drejtës së Unionit Evropian dhe të së Drejtës për Biznes Ndërkombëtar, Ekonomi Ndërkombëtare si dhe në drejtimin Banka dhe Financa. Qendra quhej shkurtimisht ECPD dhe proklamohej se ishte nën ombrellën e Universitetit të Paqes, e themeluar nga Kombet e Bashkuara.
Paraprakisht, ECPD-ja kishte lidhur një marrëveshje me Komunën e Prizrenit. Për komunën kishte firmosur kryetari Eqrem Kryeziu, atëkohë nënkryetar i LDK-së në pushtet. Nëpërmjet marrëveshjes, komuna siguronte hapësirat e punës, duke përfshirë edhe vendet për personelin administrativ, kolegjiumin e profesorëve, ekspertët dhe udhëheqësit e studentëve, për një pagesë 1 euro në muaj. Kostoja ishte 12 euro për vit. E, kohëzgjatja e marrëveshjes ishte 5 vjeçare.
Për hapësirë pune ishte përzgjedhur një objekt në qendër të Prizrenit, i cili përpara luftës i kishte shërbyer ushtrisë së ish-Jugosllavisë.
Kësisoj, ECPD-ja kishte startuar me 27 studentë, për të rekrutuar qindra sish deri sot.
Starti legal
Një vit më vonë, pra në fund të 2007-s, firmoset edhe një memorandum mirëkuptimi midis të tria institucioneve. Për Ministrinë e Arsimit, firmën e kishte vënë Agim Veliu. Ishte ndër vendimet e fundit të tij, në cilësinë e ministrit. Kjo për shkakun se një muaj më përpara, partia e Veliut, LDK, kishte humbur zgjedhjet nacionale.
Neni 2 i memorandumit thoshte se ECPD-ja do t’i nënshtrohej kërkesave ligjore të Kosovës.
“ECPD-ja do të pajtohet me kërkesat e ligjit për arsimin e lartë në Kosovë (Rregullorja e UNMIK nr. 2003/14) dhe Udhëzimin Administrativ nr. 14/2003 për licencimin e bartësve privatë të arsimit të lartë në Kosovë, përfshirë kërkesat e lidhura me ripërtëritjen e licencës së institutit pas themelimit të tij”, thuhet në këtë nen të memorandumit. “ECPD-ja do të ofrojë dhe parashtrojë te MASHT-i dëshmi të shkruara mbi baza vjetore për vlerësimin e jashtëm lidhur me Qendrën Rajonale ECPD dhe cilësinë e programeve të saj arsimore, kuadrin akademik dhe kapacitetet në Kosovë”.
Udhëzimin Administrativ për licencimin e bartësve privatë të arsimit të lartë kishte një kërkesë strikte: bartësi privat i arsimit të lartë nuk mund të fillojë punën pa pasur paraprakisht licencën nga Ministria e Arsimit. Po ky udhëzim kërkonte në nenin tre që, edhe pas licencës, bartësi privat nuk mund të shpallte aktivitetin e vet nëse nuk ishte akredituar në Kosovë.
Dhe, ECPD-ja as nuk kishte licencë dhe as akreditim.
Veliu ka thënë të mos i kujtohet saktë çka ka nënshkruar atëkohë dhe nuk ka treguar arsyen se pse duhej firmosur memorandum mirëkuptimi përkitazi me një bartës privat të arsimit të lartë.
“Memorandum edhe nëse është lidhë, nuk nënkupton se ka licencë institucioni. Pastaj, është dashur të respektoheshin procedurat tjera të licencimit”, ka thënë ish-ministri, tash kryetar i Podujevës. “Memorandumi nuk ia mundëson kurrkujt të organizojë studime”.
Në fillim të 2007-s, Agim Veliu ia kishte lëshuar postin Enver Hoxhajt të PDK-së. Gjatë mandatit të Hoxhajt, ishte formuar Agjencia e Akreditimit. Procesit të vlerësimit të jashtëm i ishin nënshtruar të gjithë bartësit e arsimit të lartë – publikë dhe privatë. Institucionet që kishin dështuar të akreditoheshin, u ishte revokuar licenca.
ECPD-ja përbënte përjashtim në këtë zhvillim. Ishte lënë të vepronte.
Hoxhaj nuk ka qenë në gjendje të tregojë se si institucioni që drejtonte atëkohë kishte mbyllur sytë ndaj veprimtarisë së qendrës rajonale, të transformuar në universitet.
“Puna e operimit të tyre është punë e institucionit të akreditimit, punë e inspektoratit të arsimit”, ka thënë ish-ministri i Arsimit. “Çështja e akreditimit ka të bëjë me atë se a do që të të njihen dhe pranohen brendapërbrenda një vendi një diplomë e një universiteti të caktuar. Ti ke universitete të cilat edhe në perëndim funksionojnë pa akreditim, por diplomat e tyre nuk i pranojmë as këtu në Kosovë”.
ECPD-ja kishte zhvilluar normalisht aktivitetin vite rresht. Si produkt, deri në 2011-n kishte nxjerrë një numër të madh të diplomuarish, të cilët i ishin drejtuar Ministrisë së Arsimit për t’i nostrifikuar apo njohur diplomat.
Edhe ky ishte një vit kur kishte ndërrime në Qeveri, pas zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Hoxhaj kishte shkuar ministër i Jashtëm, duke ia lëshuar vendin bashkëpartiakut të tij, Ramë Buja.
Buja, që në vitin e parë të mandatit si ministër, kishte tentuar të përligjte diplomat e ECPD-së. Me autoritetet e këtij institucioni, kishte firmosur një kontratë voluminoze, nëpërmjet së cilës Ministria e Arsimit dhe ECPD-ja bashkëthemelonin Universitetin Evropian për Studime Zhvillimore, me seli në Graçanicë të Re.
Asnjë ligj nuk krijon mundësinë për themelim universitetesh me status publiko-privat. Ligji për Arsimin e Lartë kërkon ratifikimin në Kuvend të vendimit për themelimin e një universiteti publik. Në rastin konkret, nuk ka pasur një ratifikim të këtillë.
Funksionimi “diplomatik”
Preambula e Kontratës merr parasysh faktin që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka themeluar Universitetin e Paqes, pastaj që nga Universiteti i Paqes është themeluar ECPD-ja në vitin 1985, në bazë të marrëveshjes së përfunduar në mes të këtij universiteti dhe Qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte përmendur në preambulë edhe memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe ECPD-së, e firmosur në fund të 2007-s.
Palët janë pajtuar midis tjerash që autoritetet lokale të Graçanicës së Re, një emërtim joekzistent, të sigurojnë ndërtesën e përshtatshme për selinë e universitetit, dhomat e mësimit, amfiteatrot dhe pajisjet e nevojshme për universitetin. Aty thuhet që ndërtesa e universitetit, e mobiluar dhe e pajisur sipas standardeve ndërkombëtare akademike, i jepet pa kompensim universitetit për një periudhë 99-vjeçare.
Nëpërmjet nenit 6, diplomat pranohen në kundërshtim me ligjet në fuqi.
“Nëpërmjet kësaj, është rënë në dakord se pavarësisht nga ndonjë ligj apo rregullore në kundërshtim, që të gjithë titujt, diplomat dhe certifikatat e dhëna nga Universiteti, sikur ato themelore, specialistike, master, M.Sc. dhe studimeve në doktoraturë, të cilat do të jenë në përputhje me Statutin e Universitetit, të referuar në nenin15 më poshtë, do të duhet të jetë pa ndonjë veprim të mëtejshëm, ligjërisht të vlefshëm dhe të drejtë për njohjen e plotë, për të gjitha qëllimet në Kosovë dhe gjetiu”, thuhet në Kontratë.
Një nen garanton që ambientet e universitetit do të jenë të paprekshme. Në të thuhet se organet kompetente të Kosovës mund të hyjnë në ambientet e universitetit, vetëm me miratim të qartë të rektorit ose presidentit të këshillit, presidentit të bordit ekzekutiv ose drejtorit menaxhues të universitetit.
Një tjetër flet për komunikimet zyrtare të universitetit. I bën të paprekshme ato. Në këtë nen i jepet ECPD-së “statusi ndërkombëtar”, për çka komunikimet e tilla në territorin e Kosovës, sipas kontratës, do të gëzojnë statusin e preferuar si “komunikime diplomatike”.
Kontrata i jep të drejtë Universitetit të veprojë duke shkelur edhe një mori ligjesh tjera, përpos atyre të arsimit që rregullojnë njohjen dhe nostrifikimin e diplomave, por edhe atyre që kanë të bëjnë me aktivitetin e bartësve privatë të arsimit të lartë.
Neni 13 kërkon që të gjitha të ardhurat e arkëtueshme, pagat dhe shpenzimet tjera të punonjësve dhe të gjitha pronat e Universitetit të përjashtohen nga të gjitha taksat, tarifat dhe detyrimet tjera, me fare pak përjashtime. Përpos kësaj, bëhet e mundur që artikujt të cilët importohen nga Universiteti për kryerjen e aktiviteteve të tij, të përjashtohen nga të gjitha detyrimet doganore, si dhe nga ndalimet dhe kufizimet e importit.
Dokumenti ofron privilegje të tjera për menaxhmentin e universitetit dhe për stafin. Rektori, zyrtarët e zgjedhur dhe stafi mësimdhënës i Universitetit lirohen nga të gjitha tatimet mbi të ardhurat dhe honorarët që iu paguhen atyre nga universiteti. E, gjatë angazhimit të tyre në universitet, u jepet e drejta të importojnë pa taksa doganore mobile dhe sende të tjera për familjet e tyre, si dhe një automobil të pasagjerëve.
Midis tjerash, në brendësinë e saj Kontrata cilësohet si “marrëveshje ndërkombëtare”, për të cilën thuhet se “do të udhëhiqet nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjeve të Kosovës”.
Kushtetuta saktëson se marrëveshjet ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Por, Kontrata e Ministrisë së Arsimit dhe ECPD-së nuk plotëson kërkesat për të marrë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare.
Neni 18 i Kushtetutës flet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Aty saktësohet se Kuvendi i Republikës me votat e dy të tretave e të gjithë deputetëve ratifikon një kategori marrëveshjesh. Një kategori tjetër ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti. Dhe, Presidenti ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare.
Kontrata nuk ishte qitur asnjëherë në Kuvend dhe Kuvendi nuk ishte njoftuar asnjëherë për të, as nga Presidenti e as nga Kryeministri. Kjo, pavarësisht se është nënshkruar nga Buja, që në vitin dhjetor të 2011-s, në tri versione gjuhësore të njëjta dhe në dy kopje të çdo versioni gjuhësor – në anglisht, në shqip dhe në serbisht.
Përgjigjja këtë javë
Gazeta nuk ka mundur të vejë kontakt me ish-ministrin Buja, i cili aktualisht nuk ka ndonjë post as në ekzekutiv dhe as në legjislativ.
Arsim Bajrami është ministër arsimi prej dy muajsh. U është referuar si institucione në thonjëza, kur ka folur shkurtimisht rreth funksionimit të Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë dhe pararendëses së tij, Qendrës Rajonale të ECPD-së. Ai ka thënë se, mbështetur në informatat që ka nga Agjencia e Akreditimit, as ECPD-ja dhe as Universiteti nuk janë të akredituara.
Ministri Bajrami ka dhënë zotimin se, pasi ta shqyrtojë veprimtarinë e tyre, shumë shpejt do të marrë masa.
“Në parim, asnjë institucion i arsimit të lartë në Kosovë nuk mund të funksionojë pa i kaluar procedurat e akreditimit dhe licencimit, siç parashihet me Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë. Çdo veprimtari pa ju nënshtruar këtyre procedurave është e paligjshme dhe nuk do të lejohet. Studentët që kanë vijuar studimet apo vijojnë studimet në ‘institucione’ të paakredituara dhe palicencuara duhet të kenë kujdes sa i përket njohjes së diplomave të fituara. Secila ‘diplomë’ duhet t’i nënshtrohet procesit të nostrifikimit dhe ligjërisht kjo nuk mund të bëhet për ‘diplomat’ e lëshuara nga ‘institucionet’ që nuk janë të akredituara dhe të licencuara”, ka thënë ai, nëpërmjet e-mailit. “Ne do të shqyrtojmë këtë rast dhe brenda javës do të përgjigjemi dhe do të marrim masat në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë”.
Nehat Maxhuni është koordinator i ECPD-së për Kosovë. Derti para dy jave ai e ka pasur zyrën në Hotelin Grand, nga ku ka mbajtur kontaktet me studentë. Tash ka zbritur në Pejton, një lagje në qendër të Prishtinës.
Ai ka insistuar se as universiteti dhe as qendra rajonale nuk ka nevojë t’i nënshtrohen as licencimit dhe as akreditimit. Sipas tij, këto institucione kanë statusin diplomatik dhe se për gjithçka i binden vetëm Kombeve të Bashkuara.
“Në asnjë vend nuk i nënshtrohet procesit të akreditimit. Mua më vjen turp kur takohem me akademikë dhe thonë se veç ju nuk e keni rregulluar këtë punë. ECPD nuk i nënshtrohet procedurave që iu nënshtrohen universitete e tjera, jo vetëm në Kosovë por në asnjë shtet tjetër”, ka insistuar Maxhuni, i cili ka qenë kandidat për deputet i Nismës për Kosovë. “ECPD-ja i përgjigjet vetëm Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Nuk i përgjigjet institucioneve nacionale, atje ku vepron”.
Ai ka thënë se nga Universiteti i Paqes është themeluar ECPD-ja në vitin 1985, në bazë të marrëveshjes së përfunduar në mes të këtij universiteti dhe Qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ka thënë që të dyja dhomat e Kuvendit federativ e kishin miratuar. Prandaj, ka gjykuar se të gjitha shtetet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia janë të obligueshme ta pranojnë, pa pasur nevojë për licencë a akreditim.
Sipas tij, elitat ligjërojnë lëndët në nivelin master e doktoratë. Ka thënë se pjesë e këtij institucioni janë nobelistë, akademikë shtetesh e diplomatë karriere. Prandaj, ka thënë se midis qindra të regjistruarish, vetëm disa dhjetëra studentë kanë mundur të diplomojnë deri tash në master e doktoratë, pasi ka këmbëngulur se ka kritere të forta për diplomim.
Çmimi për studime është nga 12 mijë euro deri në 14 mijë euro. Aty nuk ka ndonjë kriter regjistrimi. Pranohet kushdo që ofrohet, derisa të përmbushen kuotat për secilin program.
Shteti shkolloi kuadrat në universitetin ilegal

Besnik Krasniqi e Ganimet Klaiqi
Prishtinë, 10 shkurt – Qendra Rajonale ECPD, e shndërruar në 2011-n në Universitet, ka pranuar “infuzione” financiare nga shteti i Kosovës dhe është promovuar publikisht nga institucionet. Të diplomuar aty, janë shpërndarë në ambasada e konsullata gjithandej botës.
Ramë Buja, në kohën sa kishte qenë ministër, kishte marrë obligim për të ndarë bursa me rastin kur kishte firmosur kontratën voluminoze, nëpërmjet së cilës Ministria e Arsimit dhe ECPD-ja bashkëthemelonin Universitetin Evropian për Studime Zhvillimore, me seli në Graçanicë të Re.
Neni 12 i Kontratës përcaktonte që “taksat e shkollimit të një numri të caktuar të studentëve, do të mbulohen me kontribut të qeverisë, të autoriteteve lokale, organizatave ndërkombëtare dhe fondacioneve”.
Burimet tjera të të ardhurave të universitetit ishin paraqitur pagesat e shkollimit, pjesëmarrja në Bashkimin Evropian dhe projekte të financuara nga fonde të tjera ndërkombëtare, sikur që janë projekte të ngjashme, aktivitetet kërkimore për palët e treta dhe aksione të përshtatshme të donatorëve.
Fehmi Zylfiu, zyrtar i Ministrisë së Arsimit në Departamentin për Buxhet dhe Financa, ka thënë se për ECPD-në nuk ka pasur planifikime të buxhetit të dikasterit që përfaqëson.
Ka disa nëpunës të kësaj ministrie që kanë vijuar studimet në ECPD. Është Ferit Idrizi, drejtor për integrim evropian, por edhe eksperti për teknologji informative, Argjend Osmani.
Bursat shtetërore
Gazeta ka siguruar një listë kandidatësh që kanë marrë ose janë në proces të marrjes së diplomave për master a doktoratë, e që kostoja e shpenzimeve të tyre është hequr nga arka e shtetit. Bursa për një kandidat ka shkuar deri në 14 mijë euro.
Kësisoj, Ministria e Punëve të Jashtme ua ka financuar studimet Adriatik Kryeziut, Asdren Gashit, Fitim Gllarevës, Prindon Sadriut, Rudina Bukoshit, Visar Fetajt , Visar Recajt,Ylber Kryeziut e Lulzim Rafunës. Ky i fundit është shef i Doganave. Disa nga këta janë familjarë të politikanëve aktivë. Gati të gjithë janë staf diplomatik, të shpërndarë në misionet e Kosovës, nga Zagrebi i afërt e deri në Neë York e Tokio.
Në Ministri kanë bërë përpjekje t’i fshehin këto të dhëna. Prej dy javësh kanë refuzuar të japin informacione për numrin e kandidatëve që u janë mbuluar bursat, për koston e bursave dhe për bazën ligjore, mbështetur në të cilën është bërë shkollimi i kuadrove në një institucion që vepron pa licencë dhe pa akreditim.
Zyrtari për informim, Artan Behrami, disa herë ka premtuar se do të ofrojë përgjigje, por një e tillë nuk ka mbërritur deri të martën.
Bursa ishin dhënë në kohën sa ministër i Jashtëm ishte Skender Hyseni i LDK-së. Mandatin e shkuar, në këtë detyrë ishte Enver Hoxhaj i PDK-së, që paraprakisht ishte ministër i Arsimit.
Si kryediplomat, në tetor të 2013-s Hoxhaj kishte organizuar pritje për një delegacion të ECPD-së (Qendrës Evropiane për Paqe dhe Zhvillim). Mbështetur në një komunikatë shtypi që ishte lëshuar atëkohë, Hoxhaj kishte folur edhe për kuadrot e shkolluar aty.
“Ministri i Jashtëm i Kosovës ka çmuar lartë kontributin e ECPD-së në zhvillimin e kuadrove të Ministrisë së Jashtme”, thuhet në komunikatë. “Hoxhaj theksoi nevojën për të pasur një bashkëpunim më të avancuar, në mënyrë që përvoja e këtij Universiteti të jetë e dobishme për sfidat e politikës së jashtme të Kosovës”.
Anëtarët e delegacionit të ECPD-së, që kryesohej nga presidenti i bordit ekzekutiv, Albert Maes, kishin falënderuar Hoxhaj “për mbështetjen e ofruar” dhe kishin shprehur gatishmërinë “që të jenë bashkorganizatorë të disa ngjarjeve akademike” që kanë të bëjnë me Kosovën.
Hoxhaj tash ka thënë se përfaqësuesit e ECPD-së i kishte takuar në cilësinë e ish-diplomatëve.
“Takimi që kam pasur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ka qenë takim mes të ish-diplomatëve të OKB-së, ku ne kemi folur për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe rolit që ata mund të kenë në rrafshin individual”, ka thënë Hoxhaj. “Unë nuk di që dikush ka shkuar prej ministrisë sime në atë institucion. Me mua kurrkush nuk e ka diskutuar këtë temë”.
Edhe Ministria e Drejtësisë, nën udhëheqjen e ministrit Hajredin Kuçi, ka mbuluar shpenzimet e tre kandidatëve, për të bërë doktoratë në ECPD: Arsim Gërxhaliut, Musa Gashit dhe Naim Ukës.
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim që Zyra për informim e kësaj ministrie ka ofruar, bursat janë ndarë duke u bazuar në raportet e shumta ndërkombëtare, e në veçanti në raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, të vitit 2013, ku është theksuar që Departamenti i Mjekësisë Ligjore nuk i ka kapacitetet për të plotësuar standardet e kërkuara për rimarrjen, analizimin dhe identifikimin e qëndrueshëm dhe adekuat të mbetjeve të njerëzve. Në këtë raport i ishte kërkuar ministrisë dhe Zyrës së Kryeministrit që të bëjnë më shumë dhe të investojnë në rekrutimin dhe zhvillimin e ekspertëve të nevojshëm për një praktikë të qëndrueshme të mjekësisë ligjore. Por, raporti nuk kërkonte që investimi të bëhej në një institucion ilegal.
Në këtë përgjigje është thënë se vendimi për t’i mbështetur me bursa kandidatët, është bërë me kërkesë të tyre. Megjithëkëtë, është insistuar se paratë nuk ishin dhënë nga buxheti i shtetit.
“Duke pasur parasysh që Ministria e Drejtësisë ka pasur një Memorandum të Mirëkuptimit me Zyrën Belge, këto studime janë mbështetur nga Granti Belg për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, duke mbuluar pjesën financiare”, thuhet në përgjigje. “Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë ka përpiluar edhe raportin e nevojshëm për shpenzimin e mjeteve nga ky Grant, i cili është dorëzuar në zyrën Belge në fund të vitit 2014”.
Ministria nuk ka treguar shumën e mjeteve që ka ndarë për këtë qëllim. Ka sugjeruar gazetën që këtë informatë ta kërkojë në ECPD.
Burime të gazetës kanë thënë se me bursa ka mbështetur disa nëpunës të saj edhe Ministria e Integrimeve Evropiane, por nuk është arritur të konfirmohet kjo e dhënë. Zyra për informim nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet që i janë adresuar përkitazi me këtë çështje.
Por, as ECPD-ja nuk e ka dhënë.
Nehat Maxhuni, koordinator i ECPD-së për Kosovë, cilësinë dhe atë që e ka quajtur legalitet veprimi, është përpjekur ta argumentojë edhe me faktin se në këto institucione që nuk kanë as akreditim dhe as licencë, kanë ndjekur studimet zyrtarë shtetërorë, të financuar po nga shteti.
“ECPD është brend”, ka thënë Maxhuni. “Diplomat lëshohen me vulë të OKB-së, si institucioni më i madh se shtetet veç e veç. ECPD-ja ka status diplomatik”.
Në ECPD kanë doktoruar apo kanë vijuar studimet edhe figura publike, qoftë të skenës politike apo edhe të artit. Midis tyre është Haxhi Abdyli, kryetar i LDK-së për Prizren, dhe Albatros Rexhaj, shkrimtar.
Marrëveshja me UP-në
ECPD-ja ka marrëveshje edhe me institucionet publike të arsimit të lartë. Por, ato ishin lidhur para se të merrte start në Kosovë procesi i akreditimit.
Në shkurt të 2007-s një memorandum e kishte lidhur me Universitetin e Prishtinës. Për Universitetin kishte firmosur rektori i asaj kohe, Enver Hasani, tash kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Palët ishin zotuar të eksploronin projekte të përbashkëta dobiprurëse në mësimdhënie, kërkim, konsulentë dhe programe arsimore, përfshirë edhe këmbimin e profesorëve dhe ekspertëve. Memorandumi fliste edhe për zhvillim të programeve të përbashkëta dhe eventualisht edhe krijimin e institucione të përbashkëta. Kohëzgjatja e memorandumit ishte 10 vjet, me mundësi ripërtëritjeje.
Ish-rektori Hasani ka thënë se memorandumi ishte nënshkruar sipas ligjit të asaj kohe, që ia lejonte rektorit të lidhte marrëveshje me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë. Për një pjesë të tyre ka thënë se nuk është realizuar kurrë, sepse qoftë Rektorati ose pala e kundërt nuk kanë dashur ta qojë më tutje, për arsye të ndryshme. E, sa i takon memorandumit me ECPD-në, ka theksuar se ai nuk ka dalë asnjë detyrim konkret juridik.
“Në asnjë rast memorandumi i mirëkuptimit nuk nënkupton marrjen e vendimeve kundër ligji. Në rastin konkret ai institucion është dashur t’i ndjekë procedurat ligjore që lidhen me themelimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe të kthehet në Rektorat si partner ligjor. Nga memorandumi nuk del asnjë detyrim konkret juridik. Është vetëm zotim moral i institucioneve, i kryer brenda ligjit”, ka thënë Hasani. “Në moment që memorandumi bie ndesh me ligjin, kurrkush nuk do ta zbatonte. As unë po të isha rektor, nuk do ta zbatoja në momentin kur ta shihja se do të dilte jashtë kufijve ligjorë”.
Disa profesorë të rregullt të UP-së, janë pjesë e ECPD-së. Janë nga fusha e drejtësisë dhe ekonomisë. Ka nga ta që më përpara kanë ushtruar edhe detyrën e dekanit të fakultetit, e që tash janë në pension.
Ka juristë që kanë bashkëpunuar me ECPD-në edhe në hulumtime. Midis tyre është edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Denoncimi i kotë
Dilemat se ka ECPD-ja ka funksionuar jashtëligjshëm i kanë hequr në dy institucione – në Inspektoratin e Arsimit dhe në Agjencinë e Akreditimit. Por, janë munduar të heqin përgjegjësinë nga vetja, duke u arsyetuar ose për mungesë informatash ose duke drejtuar gishtin te institucione të tjera.
Prej dy javësh gazeta ka adresuar në Ministrinë e Arsimit një varg pyetjesh. Nëpërmjet tyre është bërë përpjekja të dihet statusi i ECPD-së dhe universitetit, pastaj autoritetet që e kanë themeluar, por edhe të mësohet baza ligjore e funksionimit. Janë kërkuar edhe informata përkitazi me aplikimin e mundshëm për licencim, për financimet e mundshme, për numrin e të diplomuarve dhe për mungesën e inspektimit.
Besa Bytyçi, udhëheqëse e departamentit për Komunikim Publik, të hënën ka përcjellë përgjigjet e shkurtra të dy zyrtarëve, midis të cilëve edhe të Defrim Gashit, drejtor i Departamentit të Inspekcionit. Ai ka thënë se institucioni që drejton nuk ka përgatitur asnjë raport për ECPD-në dhe Universitetin e krijuar më vonë.
“Ne si Inspektorat nuk keni qenë fare në dijeni se e ushtron veprimtarinë arsimore”, ka deklaruar Gashi.
Por, në Agjencinë e Akreditimit kanë thënë se Inspektorati ishte në dijeni.
Ferdije Zhushi, shefe e Bordit të Agjencisë, ka thënë se disa herë janë dërguar shkresa edhe në Departamentin e Inspektimit në Ministri, nëpërmjet të cilave është kërkuar që të hetohet dhe të ndalohet veprimtaria e ECPD-së dhe Universitetit. Ajo ka hequr përgjegjësinë për funksionimin e papenguar të këtyre institucioneve, pasi ka thënë se Agjencia është përgjegjëse për vlerësimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë që aplikojnë për t’u akredituar, por jo edhe për ta ndaluar veprimtarinë e ndonjë institucioni që vepron i pa akredituar dhe i pa licencuar. Kjo është përgjegjësi e Ministrisë, ka insistuar Zhushi.
Ajo ka konfirmuar se Universiteti Evropian për Studime Zhvillimore në Kosove nuk është i akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, as me këtë emërtim dhe as me emërtimin e mëhershëm si Qendra Rajonale e ECDP-së, e cila fillimisht ka funksionuar në Prizren.
“Ne si Agjenci për Akreditim i kemi kontaktuar disa herë përgjegjësit e këtij institucioni dhe iu kemi bërë me dije se ata nuk mund të funksionojnë në Kosovë pa iu nënshtruar paraprakisht proceseve të akreditimit dhe licencimit, ashtu siç e parasheh Ligji për Arsimin e Lartë në Kosove. Kjo ka qenë e paraparë edhe në Memorandumin e bashkëpunimit të nënshkruar në mes të kësaj qendre dhe MASHT-it, në kohën e ministrit Agim Veliu”, ka thënë Zhushi. “Edhe në kohën kur ministër i arsimit ka qenë Enver Hoxhaj, janë ftuar disa herë përgjegjësit e ECDP-së që të informohen se janë të obliguar që t’iu nënshtrohen procedurave të akreditimit dhe licencimit sipas ligjeve në Kosovë”.
Tek ka folur për këtë kohë, shefja e Bordit të Agjencisë së Akreditimit ka thënë se, në takimin ku ka qenë pjesëmarrëse edhe Agjencia, përgjegjësit e kësaj qendre kishin deklaruar se programet që ata i ofrojnë janë të akredituara në një shtet tjetër – Kostarikë. Një certifikatë për të tillë akreditim, nuk ishte përcjellë ndonjëherë nga përfaqësuesit e këtij institucioni që ka vepruar pa licencë.
E, kur i është referuar shndërrimit të Qendrës Rajonale të ECDP-së në Universitet me seli Graçanice, Zhushi ka thënë të jetë bërë pa asnjë përfshirje të Agjencisë që drejton, edhe pse ka thënë që vazhdimisht ka alarmuar se kjo ishte një veprimtari që konsiderohet ilegale.
“Agjencia e Akreditimit ka qenë dhe mbetet e brengosur për cilësinë e programeve të studimit, sidomos për ato të nivelit të VIII, konkretisht të doktoratës, nga një institucion i cili vazhdimisht ka shmangur që t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të jashtëm te cilësisë”, ka deklaruar ajo. “Është për t’u befasuar pse diplomat e ECDP nuk i nënshtrohen procesit të nostrifikimit në MASHT”.
Ministri Bajrami e shpall të jashtëligjshme ECPD-në

Ganimet Klaiqi & Besnik Krasniqi
Prishtinë, 11 shkurt – Qendra Rajonale ECPD, e transformuar në 2011-n në universitet, është shpallur institucion i jashtëligjshëm, e për pasojë, edhe diplomat që ka lëshuar prej gati një dekade në Kosovë, nuk do të njihen. Ky haber tashmë iu ka mbërritur edhe autoriteteve të ECPD-së.
Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, ka kumtuar këtë vendim nëpërmjet një shkrese që mban datën 10 shkurt, e të cilën e ka përcjellë te Don Ëallace, kryetar i këshillit akademik të ECPD-së, si dhe te Jonathan Bradley, president i Bordit ekzekutiv i po këtij institucioni.
Aty theksohet se Qendra Rajonale ECPD nuk i është përmbajtur kushteve të një memorandumi mirëkuptimi me ish-ministrin Agim Veliu, për t’iu nënshtruar licencimit dhe akreditimit. Po kështu, shpallet jolegale edhe kontrata e firmosur nga ish-ministri Ramë Buja për themelimin e Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë, si pasues i ECPD-së.
Ministri Bajrami iu ka dhënë një mesazh konkret në fund të letrës trifaqëshe: “Çdo veprimtari e juaja e cila nuk bazohet në aktet juridike në fuqi, është e paligjshme dhe si e tillë nuk do të pranohet”.
Mosplotësimi i detyrimeve
Shkresa përmban si referenca marrëveshjet e ish-ministrave të arsimit me përfaqësuesit e ECPD-së.
Tek i është referuar memorandumit të dhjetorit të 2007 ndërmjet Ministrisë së Arsimit, UNMIK dhe ECPD, ministri Bajrami ka vënë theksin tek neni 2 që flet për licencimin dhe akreditimin. ECPD-ja pajtohej dhe ishte e obliguar që t’i përmbahej dispozitave të Ligjit për Arsimin e Lartë në Kosovë që atëkohë ishte në fuqi dhe Udhëzimit Administrativ për Licencimin e Institucioneve Private të Arsimit të Lartë, duke përfshirë edhe kërkesat lidhur me ripërtëritjen e licencës pas themelimit.
“ECPD-ja asnjëherë nuk ka përmbushur obligimet ligjore që përcaktoheshin me Ligjin për Arsimin e Lartë (Nr. 2002/3). ECPD-së asnjëherë nuk i është lëshuar licencë nga MAShT-i”, thuhet në shkresën e Bajramit. “Titujt dhe diplomat e lëshuara nga institucioni juaj nuk kanë plotësuar asnjëherë kriterin e përcaktuar në nenin 12, paragrafi 12.6 të Ligjit për Arsimin e Lartë (Nr. 2002/3)”.
Në këtë shkresë është përmendur edhe një klauzolë e memorandumit, sipas së cilës ECPD-ja obligohej të ofronte dhe parashtronte në MAShT dëshmi të shkruara mbi baza vjetore për vlerësimin e jashtëm dhe cilësinë e programeve arsimore, kuadrin akademik dhe kapaciteteve në Kosovë. Ministri ka shkruar se ECPD-ja asnjëherë nuk ka përmbushur këtë obligim. Aty ka përmendur edhe dispozitat ligjore që ishin në fuqi, lidhur me licencimin dhe akreditimin, të cilat ECPD-ja ka dështuar t’i respektojë.
Neni 6 përcaktonte që “bartësit publikë të arsimit të lartë mund të krijohen vetëm me vendim të Ministrisë” dhe që “vendimi duhet të ratifikohet nga Kuvendi”. Po kështu, aty thuhet se themelimi i një bartësi publik të arsimit të lartë shoqërohet me dhënien e një licence në bazë të dispozitave dhe varësisht nga kriteret e përcaktuara në Nenin 10.
E, neni 10 përcaktonte që “çdo bartës i arsimit të lartë në Kosovë duhet të ketë licence për të kryer punën e tij”, dhe që “çdo bartës që plotëson kriteret, do t’i jepet një licencë”.
Neni 22 thoshte që “një bartës privat i arsimit të lartë mund të fillojë aktivitetin vetëm pasi ka marrë licencën”.
Në anën tjetër, neni 12 saktësonte që “vetëm ata tituj dhe diploma që lëshohen nga bartësit e akredituar të arsimit të lartë mund të njihen nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes për arsye punësimi, për marrjen e funksioneve publike ose për kryerjen e funksionit të njohjes ndërkombëtare”.
Në shtator të 2011-s kishte hyrë në fuqi Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë, i cili shfuqizonte ligjin paraprak.
Ministri Bajrami ka shkruar se ECPD-ja nuk u ishte përmbajtur ndonjërës prej kërkesave ligjore.
“ECPD-ja asnjëherë nuk ka përmbushur obligimet ligjore që përcaktohen me Ligjin Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës. ECPD-së asnjëherë nuk i është lëshuar licencë nga MAShT”, thuhet në përgjigje. “Gradat dhe diplomat e lëshuara nga ECPD-ja nuk kanë plotësuar kriterin e përcaktuar në nenin 16, paragrafi 7, të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës (Nr. 04/L-037)”.
Diplomat që s’njihen
Në shkresë janë listuar edhe dispozitat ligjore që janë aktualisht në fuqi, lidhur me licencimin e bartësve të arsimit të lartë, të cilat ECPD-ja ka dështuar t’i respektojë.
“Ju rikujtoj që ECPD-ja nuk është akredituar asnjëherë nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe si e tillë nuk mund te funksionojnë në Kosovë pa iu nënshtruar paraprakisht proceseve të akreditimit dhe licencimit, siç parashihen me Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet në shkresë. “Diplomat e lëshuara nga ECPD nuk kanë plotësuar kriterin e përcaktuar në nenin 16, paragrafi 7, të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe si të tilla ato ligjërisht nuk mund t’i nënshtrohen procesit të nostrifikimit meqenëse janë dhënë nga një institucion që nuk është akredituar dhe i licencuar”.
Ka folur edhe për kontratën MAShT-ECPD të 2011-s, për themelimin e Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë. ECPD-ja te ministri Bajrami e kishte prezantuar si “marrëveshje ndërkombëtare”.
Bajrami ka shkruar se ky dokument nuk përbën marrëveshje ndërkombëtare për Republikën e Kosovës, meqenëse nuk ka ndjekur procedurat e përcaktuara për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të përcaktuara me nenin 18 të Kushtetutës.
“Themelimi i institucionit ‘ECPD - Universiteti Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë’ sipas marrëveshjes së datës 9 dhjetor 2011, është në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës. Ju rikujtoj që sipas Ligjit ..., bartësit publik të arsimit të lartë mund të krijohen vetëm me vendimin e Ministrisë, i cili duhet të ratifikohet nga Kuvendi. Për themelimin e institucionit ‘ECPD - Universiteti Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë’ asnjëherë nuk është marrë vendim nga Ministria dhe rrjedhimisht nuk ka ndodhur ratifikimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në shkresë. “Neni 6 i dokumentit të datës 9 dhjetor 2011, të cilit ju i referoheni dhe të cilin e keni prezantuar bashkëlidhur në shkresën tuaj, është në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës”.
Ky nen i kontratës që ka përmendur ministri i Arsimit, thotë: “pavarësisht nga ndonjë ligj apo rregullore në kundërshtim, që të gjithë titujt, diplomat dhe certifikatat e dhëna nga Universiteti, sikur ato themelore, specialistike, master, M.Sc. dhe studimeve në doktoraturë, të cilat do të jenë në përputhje me Statutin e Universitetit, të referuar në nenin15 më poshtë, do të duhet të jetë pa ndonjë veprim të mëtejshëm, ligjërisht të vlefshëm dhe të drejtë për njohjen e plotë, për të gjitha qëllimet në Kosovë dhe gjetiu”.
Gjithë këtë kontratë të nënshkruar nga bashkëpartiaku i tij, Buja, ministri Bajrami e ka quajtur joligjor, si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja, pasi ka rikujtuar se nuk mund të krijohet një universitet pa vendimin e Ministrisë dhe ratifikim të Kuvendit dhe se asnjë institucion i arsimit të lartë në Kosovë nuk mund të funksionojë në kundërshtim me Ligjin për Arsimin e Lartë.
“Rrjedhimisht ky dokument është i pavlefshëm”, ka shkruar ministri Bajrami. “Institucioni ‘ECPD - Universiteti Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë’ nuk është akredituar asnjëherë nga Agjencia e Kosovës për Akreditim rrjedhimisht nuk mund te funksionojnë në Kosovë pa iu nënshtruar proceseve të akreditimit dhe licencimit”.
Vendimi i ministrit Bajrami, është kualifikuar në ECDP si i pavlefshëm.
Koordinatori i këtij institucioni në Kosovë, Nehat Maxhuni, ka thënë se kontrata e 2011-s duhet zbatuar.
“Kontrata është ligj. Ajo lidhet mes dy palëve, pa presion dhe shkëputet me marrëveshjen e dy palëve”, ka thënë Maxhuni, i cili ka pyetur se si mundet që ministri Bajrami ta quajë një kontratë të pavlefshme, pavarësisht që e ka nënshkruar ish-kolegu i tij ministër, Ramë Buja.
“Ne do t’i kthejmë përgjigje e ministrit”, ka thënë Maxhuni, duke ngulmuar se ECPD-ja nuk ka nevojë për akreditim në asnjë shtet.
Në adresë të redaksisë kanë ardhur edhe një përmbajtje voluminoze përgjigjesh, që i ka kthyer Don Ëallace, kryetar i këshillit akademik të ECPD-së me seli në Ëashington, përkitazi me pyetjet që gazeta i ka adresuar dhjetë ditë më parë. Në to janë përmendur një numër dokumentesh, në përpjekje për të arsyetuar ligjshmërinë e veprimtarisë së ECPD-së në Kosovë. Gazeta i ka përmendur thuajse të gjitha, në dy vazhdimet e deritashme të publikimit të hulumtimit.
Qeveritarët në dokumentet e ECPD-së
Pasi ministri Bajrami ka nisur këtë shkresë në adresë të autoriteteve më të larta të ECPD-së, zyrtarët e këtij institucioni që selinë për Evropë e ka në Beograd, nëpërmjet dokumenteve të ndryshme të vulosura dhe të protokolluara është përpjekur të argumentojë se personalitete të larta të Kosovës kanë pasur marrëdhënie me ECPD-në. Midis tyre, janë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, Ministri aktual i Arsimit, Arsim Bajrami, ish-zëvendësministri i FSK-së, Bejtush Gashi, dhe ish-rektori i UP-së, tashti kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Përfaqësuesit e ECPD-së nuk kanë mundur t’i dëshmojnë pjesëmarrjet e këtyre personave në aktivitete e ECPD-së në Kosovë, qoftë me ndonjë kontratë, ndonjë nënshkrim të tyre, ndonjë korrespodencë, apo ndonjë transaksion financiar.
Kur është kërkuar dëshmi, koordinatori i ECPD-së për Kosovë, Nehat Maxhuni, ka përmendur një referencë që Bajrami kishte lëshuar për një kandidat që e kishte regjistruar doktoratën në këtë institucion – ish-zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Refki Morinën.
Në një dokument të qendrës së ECPD-së në Beograd, si anëtarë Komisioni për mbrojtje të disertacionit të doktoraturës së Morinës ishin prezantuar: Nano Ruzin – kryetar komisioni, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Bejtush Gashi dhe Miodrag Ivanoviq.
Të tre anëtarët shqiptarë kanë mohuar të kenë pasur çfarëdo lidhjesh me këtë. Mosdijen e të shënuarve në këtë listë e ka pohuar edhe kandidati, i cili do të mbronte disertacionin e doktoraturës në ECPD, Refki Morina. Ai ka thënë se anëtarët janë caktuar nga përfaqësuesit e ECPD-së dhe se i është thënë atij që t’i pyes nëse do të pranojnë, porse, siç ka theksuar Morina, asnjërin nuk e ka takuar.
”Unë kam kryer master në Fakultetin Juridik dhe kam dashur që në degën time profesionale të bëj edhe doktoraturë. Kam menduar që pagesën ta bëj vetë, duke hyrë edhe në kredi, por gjithnjë duke besuar se është brenda kornizave me ligjet e Kosovës”, ka thënë Morina. “Nuk më duhet asfare diplome që s’është e pranuar me ligjet e vendit tim”.
Ai ka bërë vërejtje edhe në institucionet e vendit që nuk kanë marrë masa më herët, “në mënyrë që njerëzit të mos derdhin djersë e të harxhojnë në gjëra të paqarta”.
Ministri Bajrami, që në dokumentin e ECPD-së figuron si anëtar komisioni për doktoratën e Morinës, ka thënë se “dokumenti” që përmban emrin e tij paraqet një dëshmi të mirë që flet për veprimet e paligjshme të këtij institucioni të paligjshëm.
“Asnjëherë dhe në asnjë variant unë nuk kam qenë anëtar i ndonjë ‘komisioni doktorate’ apo ndonjë aktiviteti tjetër të tij”, ka thënë Bajrami. “Dokumentin të cilin po e shoh për herë të parë nga ju, paraqet një veprim abuziv nga ana tyre, ku ata keqpërdorin emra profesorësh pa dijen e tyre. Shumicën nga emrat tjerë në këtë ‘komision’ as nuk po i njoh fare dhe as nuk kam dëgjuar ndonjëherë për ta. Për më keq, as që jam në dijeni që kandidati i përmendur po i ndjeka studimet e doktoratës, aq më pak për punimin e tij të doktoratës në këtë ‘institucion’ të paligjshëm”.
Ministri e ka quajtur “dokument mashtruese” atë dhe ka theksuar se, nga ajo që ka vërejtur, “është në praktikën e tyre që të mundohen të përligjin aktivitetin e tyre me letra të tilla”.
“Gjithsesi, për dokumente të tilla abuzive ata duhet të japin përgjegjësi dhe organet e rendit do të duhej ta trajtonin këtë mashtrim, që njëherësh paraqet edhe vepër penale. Si duket është në qasjen abuzive të tyre që të manipulojnë me takime dhe emra të personave publikë, ish-diplomatëve apo akademikëve nga Akademitë e Shkencës nga rajoni. Kjo nuk do të tolerohet më”, ka thënë Bajrami.
i shkurtër ka qenë i përmenduri tjetër në dokument, Bejtush Gashi. Ai ka mohuar të jetë në dijeni për një propozim të tillë, apo të jetë kontaktuar nga dikush.
“Informacionin për këtë universitet apo kolegj e mora nga ‘Koha Ditore’. Mua nuk më ka kontaktuar askush, ndërsa se si jam caktuar unë në këtë ‘listë’ si anëtar komisioni për mbrojtjen e tezës së disertacionit pa më kontaktuar askush, nuk e di”, ka thënë Gashi. “Do të përpiqem t'i kontaktoj autoritetet kompetente të këtij universiteti”.
Në një dokument tjetër, që quhej vendim për formimin e Këshillit të përkohshëm të Universitetit Evropian për Studime Zhvillimore në Kosovë, pos ndërkombëtarëve, figuronin edhe emrat e dy kosovarëve që duhej t’i propozonte Qeveria e Kosovës – Hajredin Kuçi e Enver Hasani.
Të dy e kanë mohuar se kanë qenë ndonjëherë anëtarë të kësaj trupe.
“Është hera e parë që po dëgjoj. Kurrkush nuk ma ka përmend këtë deri tash”, ka thënë Hasani, kryetar i Kushtetueses. “Me ligj e kam të ndaluar të jem anëtar bordi, prandaj edhe po të më bënin ofertë dhe të ishin në rregull me ligjin, nuk do të mund t’u përgjigjesha pozitivisht”.
I shkurtër ka qenë edhe Kuçi, ministër i Drejtësisë.
“Kurrë në jetë askush nuk më ka thënë dhe as pyetur për këtë çështje. Është falsifikim”, ka insistuar Kuçi. “Kam dhënë në shumë vende mësim dhe nuk është marre, por kurrë në jetë nuk kam qenë aty dhe as ide nuk kam se ku gjendet. Njerëzit mund ta përdorin emrin tim për çkado, por unë nuk e di për këtë angazhim”.