Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë se diskutimet për udhërrëfyesin e zbatimit të propozimit evropian do të nisin në pjesën e dytë të kësaj jave. Por kanë refuzuar të komentojnë përkitazi me draftet që tashmë janë publikuar lidhur me disa nene të marrëveshjes, e veçmas klauzolën sipas së cilës, Kosova nuk do të aplikojë në OKB, pa e marrë pëlqimin zyrtar nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Takimi i parë mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak për ta diskutuar Udhërrëfyesin për zbatimin e planit evropian do të mbahet në pjesën e dytë të kësaj jave në Prishtinë, ka konfirmuar për “Kohën” zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
“Për Planin e zbatimit do të diskutohet e negociohet në mes dy palëve në takimet e radhës. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar. Takimi i parë në këtë drejtim ndërmjet kryeministrit Kurti dhe emisarit Lajçak pritet të zhvillohet në fund të kësaj jave në Prishtinë”, ka theksuar Kryeziu.
Diskutimet zhvillohen pas takimit të 27 shkurtit, ku përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, tha se palët janë dakorduar rreth planit dhe se tani negociohet për udhërrëfyesin e zbatimit të tij.
Derisa presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, refuzoi nënshkrimin e dokumentit 11-pikësh, kryeministri Albin Kurti u shpreh i gatshëm ta firmoste atë.
Megjithëse nuk ka një plan zyrtar për zbatimin e marrëveshjes, mediat në Serbi kanë shkruar se ekzistojnë drafte të nenit që flet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, për të cilën Vuçiqi tha se ka qenë shkas pse nuk e ka nënshkruar marrëveshjen. Sipas raportimit të gazetës “Nova”, në planin e zbatimit do të futet një klauzolë sipas së cilës, Kosova nuk do të aplikojë në OKB, pa e marrë pëlqimin zyrtar nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Por zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se nuk mund të komentojnë raportimet e tilla as nëse është diskutuar futja e një klauzole të tillë.
“Javën e kaluar kemi demantuar një dokument që raportohej të jetë Aneksi i Propozimit Evropian. Nuk mund të komentojmë çdo raportim që qarkullon në medie”, ka deklaruar Kryeziu.
Serbia deri tash e ka penguar mësymjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe këtë ka paralajmëruar ta bëjë edhe pas publikimit të Planit evropian.
Dy ditë pas marrëveshjes, presidenti serb, Vuçiq, tha se problemi është pikërisht në pikën 4, “që nënkupton pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.
Profesori i studimeve të paqes dhe konfliktit pranë Universitetit të Qytetit të Dublinit, Gëzim Visoka, thotë se Kosova duhet ta refuzojë këtë propozim, sepse minon të drejtën e saj sovrane për të ushtruar lirisht marrëdhëniet me jashtë.
“Duke përfshirë një pikë të re në Udhërrëfyesin e Zbatimit që thotë se ‘Kosova nuk do të ndjekë anëtarësimin në OKB pa konfirmimin e qartë të pëlqimit nga të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ajo heq përgjegjësinë e Serbisë për mosbllokimin e kërkesës së Kosovës për pranim në OKB. Po ashtu, e fuqizon Rusinë dhe Kinën në këtë proces, politika e të cilave për Kosovën përcaktohet në raport me rivalitetin e tyre me Perëndimin. Duke iu referuar ‘pëlqimit të qartë të pesëshes së përhershme’, kjo hyrja e re shton një shtresë tjetër të kompleksitetit në përpjekjet e Kosovës për njohje reciproke me Serbinë dhe pranim në OKB”, ka theksuar Vizoka.
Pas finalizimit të diskutimeve rreth Planit të Zbatimit, nënshkrimi i tij synohet të bëhet brenda muajit mars.