Mungesa e vendeve të punës dhe e ngritjes profesionale janë preokupimet kryesore të të rinjve në Komunën e Graçanicës. Te komuniteti rom situata raportohet më e rënduar shkaku i gjendjes së vështirë ekonomike. Shoqëria civile në Graçanicë tregon edhe për mungesën e aktiviteteve për të rinjtë, që mbështeten nga institucionet, e që, sipas tyre, i shtyn të rinjtë të largohen nga Kosova
Banorët e të gjitha komuniteteve në Komunën e Graçanicës thonë se perspektiva për të rinjtë në Kosovës është e zymtë.
Shqetësim nuk përbën vetëm mungesa e vendeve të punës. Edhe të punësuarit ankohen se pagat nuk ofrojnë jetë të dinjitetshme, duke i shtyrë drejt alternativave të tjera, përfshirë ikjen drejt qyteteve të mëdha të rajonit, apo edhe migrimin në Evropë.
Shpend Ramadani, banor 24-vjeçar i fshatit Kishnicë të Graçanicës, thotë se bashkëmoshatarët e tij e shohin të ardhmen jashtë vendit.
“Jam kuzhinier, por për momentin s’jam duke punuar. E gjithë rinia, moshatarët e mi, nuk është se shohin shumë perspektivë, nuk është se ka shumë perspektivë. Në atë pikëpamje si e shoh unë nuk është se ka shumë të ardhme këtu gjithsecili… duke u bazuar prej lagjes sime e këtu pari”, ka thënë Ramadani.
Në një ushqimore në qendër, Jovica Vasiq, banor i fshatit Bërnicë të Poshtme, ka thënë se për të ardhmen e fëmijëve e nipave të tij duhet të përmirësohet arsimi e punësimi.
“Fëmijët e mi punojnë në dyqan ushqimor dhe janë të punësuar në Shtëpi të Shëndetit e këtu i kam djemtë e tyre e edhe ata u ndihmojnë. Për të ardhme këtu na duhet vetëm punë e të hapen shkollat këtu dhe normalisht bashkëjetesa, jeta në bashkësi me shqiptarët”, ka thënë Vasiq.
Për këto shqetësime është diskutuar të premten në Qendrën Mediale të Çagllavicës.
Disa nga pjesëmarrësit kanë vlerësuar se ka pak të rinj serbë që flasin gjuhë të huaja si një mundësi për tregun evropian të punës.
Petar Gjorgjeviq, drejtues i organizatës “Të rinjtë aktivë të Graçanicës”, ka thënë se ky përbën një dallim madhor në mes të të rinjve shqiptarë e atyre serbë.
“Në biseda me shqiptarët mund ta shohim se dallojnë shumë synimet dhe vizionet për të ardhmen. Për shembull të rinjtë shqiptarë më shumë kanë synim që të largohen nga Kosova dhe zakonisht këtu zgjedhin ndonjë nga vendet evropiane në Perëndim, ndërsa për të rinjtë serbë është shumë arritje të shkojnë deri në Beograd, pra ambiciet janë shumë më të vogla, do të thosha unë”, thotë ai.
Gjorgjeviqi thotë se shpesh, pasi ta kryejnë shkollimin nëpër qytetet më të mëdha të Serbisë, serbët e Graçanicës nuk kthehen më.
“Ata më shumë duan të shkojnë në Beograd, Novi Sad e Nish ,ku për herë të parë ndiejnë njëfarë lloj lirie, për herë të parë e ndiejnë që nuk janë të ngarkuar me temat e përditshëm të tensioneve dhe kjo ndoshta është arsyeja përse nuk kthehen pasi të shkojnë në Nish, Beograd apo në Novi Sad”, është shprehur ai.
Kritike për rininë e kësaj komune ka qenë Bojana Manitasheviq, menaxhere në OJQ-në “Komunikimi për Zhvillim Shoqëror”.
“Arsyeja pse të rinjtë tanë janë më shumë të përqendruar në pjesën qendrore të Serbisë është mu për shkak të asaj se të rinjtë tanë nuk punojnë mjaft për t’i ndërtuar kapacitetet e veta. Ka shumë pak të rinj nga komuniteti serb që flasin anglisht dhe ka shumë pak që duan të provojnë ta mësojnë sepse nuk duan të dalin nga zona e rehatisë”, ka thënë Manitasheviq.
E synimi i të rinjve, sipas Nikola Kovaçeviqit, i cili sapo ka themeluar një klub kikboksi në fshatin Llapna Sellë, është kryesisht punësimi në sektorin publik.
“Mendoj që të rinjtë që mbeten këtu kanë për synim të punësohen në shëndetësi e arsim ose në administratë të Komunës së Graçanicës sepse aty janë pagat më të larta, ndërsa kemi harruar disa punë shumë të rëndësishme, siç janë bujqësia e tregtia dhe çdo herë e më shumë të rinjtë largohen nga Graçanica dhe zhvendosen në Serbi”, ka thënë Kovaçeviq.
Ndërkaq, përfaqësues të komunitetit rom të kësaj Komune kanë thënë se problem është vazhdimi i shkollimit të lartë dhe pamundësia e punësimit në institucionet publike.
Admir Miftari, kryetar i Iniciativës rome “Hak”, ka theksuar se as në nivel lokal nuk plotësohen kriteret e punësimit të komuniteteve joshumicë.
“Synimi i rinisë është ta përfundojë shkollën e mesme e pas përfundimit të shkollës së mesme megjithatë të gjithë kërkojnë një vend pune, që është e natyrshme... Shumica e tyre kërkojnë, siç thashë, strehë në ndonjë vend të Perëndimit, si të rinjtë romë, ashtu edhe romet e reja. Ka të rinj që shkojnë edhe në Beograd dhe, siç e tha kolegu, edhe në Novi Sad... Kur flasim për punësimin në Komunën e Graçanicës, nuk plotëson asnjë kriter që është i paraparë me ligj”, është shprehur Miftari.
Krahas këtyre ankesave, pjesëmarrësit e panelit “Pozita dhe problemet e të rinjve në territorin e Komunës së Graçanicës” i kanë rekomanduar pushtetit lokal që t’i mbështesë aktivitetet rinore që hapin horizonte të reja për të rinjtë dhe që të rinjtë të motivohen drejt mësimit të gjuhëve të huaja dhe shkollimit profesional.