Arbëri

Mungesa e kushteve vështirëson mbajtjen e mësimit gjithëditor

Shkolla

Vitin e ardhshëm pritet që tri shkolla në kryeqytet të fillojnë me mësim gjithëditor. Nxënësit e kanë vlerësuar si të nevojshme për zhvillimin e tyre, e nga stafet e shkollave janë shprehur skeptik në realizimin e këtij synimi për mungesë të kushteve. Njohës të arsimit vlerësojnë se kjo do të ndihmonte në zbutjen e analfabetizmit

Mësimi tërëditor i premtuar nga Ministria e Arsimit dhe komunat për ngritjen e cilësisë në arsim nuk po zhvillohet në asnjë institucion arsimor në vend.

Olsa Rrahmani, nxënëse në shkollën “Nënë Tereza” në fshatin Vranidoll të Prishtinës, ka thënë se mësimi gjithëditor do ta ndihmonte në zhvillimin e potencialit të saj intelektual e akademik.
“Mendoj se do të ishte një ide e mirë, sepse nxënësit do të ishin shumë më bashkëpunues edhe shumë më aktivë gjatë asaj kohe, e gjithashtu do të kishin edhe më shumë kohë më të lirë do të thotë pas orës mësimore dhe do të ndikonte më pozitivisht”, ka deklaruar Rrahmani.

E nga viti i ardhshëm, sipas Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, tri shkolla do të fillojnë mësimin gjithëditor. Drejtoresha Besianë Musmurati ka bërë të ditur se do të përzgjidhen shkollat që mësimin e zhvillojnë me një ndërrim.

Nxënësit e shkollës “Nënë Tereza” nga java e ardhshme mësimin do ta zhvillojnë me një ndërrim, pasi do të funksionalizohet objekti i ri. Por drejtori i shkollës Milaim Islami tha se angazhimi i mësimdhënësve në dy e më shumë institucione arsimore e pamundëson për ta mbajtjen e mësimit gjithëditor.

“Stafi ynë është i shpërndarë në paralele të shkollave të tjera dhe të njëjtën ditë të mbajnë mësim në paralele të ndara fizike dhe të gjenden në mësimin tërëditor, praktikisht për momentin është e pamundur”, ka thënë Islami.

Një pilot-projekt për mbajtjen e mësimit gjithëditor ka nisur para 7 vjetësh, por u ndërpre për mungesë të kushteve infrastrukturore.

Nga stafi i shkollës “Emin Duraku”, një prej pesë institucioneve që mbajti mësim gjithëditor për një vit, thonë se sfiduese për ta ishte mungesa e gatishmërisë së nxënësve për të qëndruar 7 orë në shkollë.

“Mësimdhënësit kanë qenë të gatshëm..., por gatishmëria e nxënësve nuk ka qenë. Nganjëherë edhe një pjesë e prindërve nuk kanë dashur që fëmijët të qëndrojnë më gjatë pasi kanë pasur kurse të ndryshme dhe po më duket nganjëherë më shumë kjo ka pasur dëm sesa dobi”, ka theksuar Nuhi Demaj, mësimdhënës në SHFMU “Emin Duraku”.
E drejtori i organizatës për arsim “ETEA”, Agon Ahmeti, ka vlerësuar se mësimi gjithëditor ndihmon në uljen e analfabetizmit.

“Socializimi mes nxënësve përfshin komunikimin mes nxënësve dhe mësimdhënësve. Në anën tjetër, kjo është dëshmuar në rritjen e kreativitet të fëmijëve për shkak se procesi tërëditor pas përfundimit të mësimit të rregullt ndërlidhet me aktivitete reaktive”, ka thënë Ahmeti.

Në Ministri të Arsimit nuk kanë treguar nëse kanë ndonjë plan në lidhje me mësimin gjithëditor.