Drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në komunën e Prishtinës, Vebi Mujku, është shkarkuar nga Komuna nga po kjo pozitë.
Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i pyetur nga KTV-ja për arsyen e shkarkimit të tij, ai shkurt ka thënë se puna i është ndërprerë për shkak të shkeljeve të rënda.
“Nuk i përgjigjem njerëzve qe Komisioni Disiplinor i ka ndërprerë marrëdhënien për shkak të shkeljeve të rënda”, tha Ahmeti.
Por Mujku në faqen e tij zyrtare në Facebook, ia ka listuar rreth 13 arsye Ahmetit që si kryetar, po bën abuzime me shërbimet sociale.
“Kryetari i Komunës së Prishtinës, abuzues i madh me shërbime sociale profesionale”, ka nisur letrën e tij Mujku drejtuar kryetarit Ahmeti.
“Kryetari duke e promovuar veten si individ dhe parti me “vlera social-demokrate”, është treguar njëri prej personave i cili ka neglizhuar dhe keqpërdorë më së shumti më kategoritë sociale në Kryeqytet. Prishtina si kryeqytet apo si “model” siç ishte dashur të jetë, për të mirë, është përballur me një kryetar të papërgjegjshëm deri në maksimum në gjitha fushat, por padyshim se më së shumti, me qytetarët në gjendje të nevojës sociale”, ka shkruar Mujku.
Tutje, ia ka përmendur disa raste që siç thotë ai, Ahmeti kurrë s’ka pranuar t’i vizitojë disa udhëheqës që e kanë njoftuar atë për problemet apo sfidat që po përballen.
Më poshtë gjeni ato:
1. Për 5 vite nuk ka bërë asnjë vizitë në QPS Prishtinë – (QPS - Qendra për Punë Sociale me 3 njësitë e saj) dhe nuk ka pranuar dhe realizuar asnjë takim me udhëheqësit e saj, për t’u njoftuar me sfidat, problemet, të arriturat, nevojat e QPS-së, përjashtuar ndonjë “informatori” (shpijuni) që e ka dëshmuar se e ka ushqim kryesor.
2. Momentin (fatkeq për Prishtinën) e marrjes së mandatit nga ky Kryetar në vitin 2013, QPS Prishtinë ka pasur të punësuar 49 punëtorë e sot e njëjta i ka 36 punëtorë (12 punëtorë social profesional, 6 shefa, 3 arkivi, 2 financa, 13 ndihma sociale), duke mos lejuar pranimin dhe zëvendësimin e punëtorëve të vdekur dhe pensionuar me të rinj, por duke i shfrytëzuar mjetet për punësim në militantë të saj në drejtori të ndryshme dhe kontratë mbi vepër. Shkupi sot ka 255 punëtorë social profesional, Podgorica 99 punëtorë social profesional e Prishtina 12. Paramendojeni shërbimet që mund të ofrohen me këtë numër, dhe me këto probleme sociale në Kryeqytet!
3. Duke mos ua paguar kujdestarinë Punëtorëve social të cilët punojnë nga 16 orë në ditë, dhe 24 orë vikendeve dhe festave. Këtë pagesë ua ka ndaluar pak muaj pas ardhjes në pushtet, veprim i cili do të thotë shkelje elementare e të drejtave të punëtorit. Veç kësaj 65% e personelit janë të gjinisë femërore, që do të thotë se koha e tyre shtesë në punë e larg familjes jo që nuk është kompensuar, por as respektuar!
4. Sot QPS Prishtinë nuk posedon psikolog, nuk posedon punëtor profesional të mjaftueshëm për 47 kategoritë sociale që ofron shërbime sociale profesionale, edhe pse tashmë 5 gjenerata të studenteve kanë diplomuar për punë sociale. Nuk posedon dhoma kontaktimi për 1 200 kontaktime që bëhen brenda vitit në QPS, nuk posedon vetura dhe vozitës për teren dhe shumë tjera, Me një fjalë nuk posedon asnjë nga ato që kërkohen me statutin e QPS-së të aprovuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
5. I njëjti, edhe pse ka pasur informacione të mjaftueshme të shkruara nga ne, për 18 muaj sa ka qenë e mbyllur strehimorja për viktimat e dhunës në familje, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për funksionalizmin e saj, duke i pasur informatat nga ne se sa është e shprehur dhuna në familje në Prishtinë, dhe sa është nevoja për strehimin e viktimave të dhunës (ka harruar se me votat e tyre është ulë aty)
6. Numër i madh i fëmijëve në situatë rruge, e që është përgjegjësi e Komunës... asnjë veprim përkrahës për QPS-në, për eliminim apo zbutjen e situatës, duke fajësuar gjithnjë të tjerët dhe duke ja hedhur përgjegjësinë atyre që nuk ju takon.
7. Me 20 Nëntor 2015 i njëjti deklaron publikisht se do t’i përkrahim familjet strehuese krahas pagesës së MPMS-së, dhe kurrë nuk e realizon këtë premtim, çka e bllokon tërësisht punën e strehimit familjar, e që Prishtinës ende i mungojnë këto familje. Komunat tjera i përkrahin familjet strehuese në vazhdimësi.
8. Duke i lënë njësitë e QPS-së për 5 vite pa shef njësie, pa kontrata për Udhëheqës të Shërbimeve, me qellim të bllokimit të punës, edhe pse e ka pasur gjithë informacionin e duhur në të shkruar, me një zyre të personelit të politizuar skajshmërish.
9. Bazuar në deklaratat e tij në media, ai nuk e di aspak se cilat janë kompetencat e Komunës për shërbimet sociale, rolin dhe mandatin e QPS-së, duke u munduar gjithnjë që të njëjtat ti bartë në nivele qendrore apo OJQ (mbase ka menduar se si kryetar duhet të ‘mbjellë’ vetëm kungja...) Ligji për shërbime sociale dhe familjare - Roli i Komunës - Neni 5 5.1. Secila komunë, përmes drejtoratit të saj përkatës, është përgjegjëse për sigurimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare brenda territorit të saj sipas standardit të specifikuar nga Ministria.
10. Ka shfrytëzuar vdekjen e dy fëmijëve për poenë politik, duke derdh lot krokodili dhe asnjë lloj përkrahje për familjen për vite të tëra, asnjë përgjegjësi morale as institucionale, deklaruar nga vet kryefamiljari.
11. Ka shfrytëzuar projektin e nisur nga qeverisja e mëparshme, të ndërtimit të 100 banesave sociale, dhe 2 vite pas ndërtimit të tyre, duke mos filluar ndarjen, me qëllim të ruajtjes së tyre për fushatë zgjedhore. Ato filloi t’i ndajë vetëm disa muaj para zgjedhjeve dhe raporti i auditorit gjen shkelje të shumta në procesin e shpërndarjes.
12. Duke mos ndarë asnjë cent për buxhetin e QPS Prishtinë ku QPS Prishtinë nuk ka pasur mjete dhe vazhdon të mos ketë as për një shishe ujë për një fëmijë e mos të flasim për nevoja tjera për kategoritë sociale në nevojë.
13. Duke penguar Ministritë dhe OJQ-të në hartimin e politikave sociale përmes ndalesave të pjesëmarrjes së punëtorëve të QPS-së në grupe punuese.
Qytetari i Prishtinës, thotë Mujku, duhet ta dijë së këto “pak fakte” të prezantuara për mos punën e Kryetarit të Prishtinës në fushën e shërbimeve sociale, janë vetëm disa fakte të pa kontestueshme, të cilat mundë ti faktoj secili person me një vizitë në QPS Prishtinë.
“Personalisht ndjehem shumë keq për fëmijët tanë që sot nuk kemi krijuar kushte minimale për një jetë më të dinjitetshme, ashtu siç e meritojnë, viktimave të dhunës në familje, pa asnjë përkrahje por vetëm ri-viktimizim, banim social për Nëna vetushqyese, përkrahje për Nënat të cilat i braktisin fëmijët në mungesë të përkrahjes së familjes dhe Komunës, viktimave të trafikimit të mitura, asnjë shërbim për përdorues të substancave narkotike, për të cilët jemi bërë sikur nuk ekzistojnë, duke ju mundësuar që ti shfrytëzojnë shtëpitë e pabanuara për të cilat nuk kujdeset Komuna, fëmijët në rrugë të mërdhirë dhe të pashkolluar, e shumë të tjera!”, ka shkruar tutje Mujku.
Në fund, pas gjithë këtyre kritikave, Mujku ka thënë se “Nuk është krejt jeta: politikë, demarkacion, asociacion. Sot po prishet dhe nuk po ruhet bërthama e shtetit, e bërthamë të një shteti unë e konsideroj FAMILJEN”.