Arbëri

Gjetjet kyçe të Raportit të Progresit për Kosovën

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023.

Në gjetjet kyçe të këtij raporti është thënë se mungesa e bashkëpunimit mes palëve dhe mospajtimet brenda shumicës parlamentare, kanë qenë sfida për reforma.

Po ashtu është përmendur bojkotimi i Kuvendit nga Lista Serbe. Por, është thënë se në periudhën raportuese janë parë disa arritje të rëndësishme ligjore, përfshirë edhe reformat elektorale.

Për dialog është thënë se Kosova ka mbetur në përgjithësi e angazhuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por duhet të dëshmojë më tepër përkushtim serioz, të investojë më tepër kohë dhe të bëjë përparime për të çuar para procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova duhet të mbajë zotimet e saja të dialogut dhe të angazhohet në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe Aneksin e zbatimit të saj. Kosova dhe Serbia pritet të angazhohen në mënyrë më konstruktive për të mundësuar që të fillojnë negociatat për Marrëveshje të normalizimit gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme dhe për të treguar fleksibilitet në mënyrë që të bëhet përparim i shpejt e konkret. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht esencial për rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të raportit”, thuhet në gjetjet ndër të tjera.

Po ashtu në raport është thënë se situata në veri të Kosovës është ndikuar nga disa kriza të intensiteteve të ndryshme, ndërsa është thënë se sulmi i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023, përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit. U tha se sasi të mëdha të armëve janë gjetur në lidhje me sulmin.

“BE-ja pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejtë para drejtësisë dhe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, është thënë në raport.

Po ashtu është përmendur edhe çështja e targave si dhe tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës që ndodhën në nëntor të vitit 2022 dhe mbajtja e zgjedhjeve më 23 prill të vitit 2023.

“Përkundër Marrëveshjes së madhe në rrugën drejt normalizimit të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe Aneksin e zbatimit të tij të dakorduar në Ohër më 18 mars, dhe përkundër se Kosova zgjati afatin për regjistrim të kandidatëve për zgjedhjet në veri, jo të gjitha partitë dhe komunitetet përdorën të drejtën e tyre demokratike për të votuar. Dalja shumë e ulët (3.47 për qind), pas bojkotit nga serbët e Kosovës, tregoi se këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike për ato komuna. Mbetet imperativ që të rikthehet një situatë ku serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, të organizuar në mënyrë të plotë e gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në raport.

Për reformat në administratën publike, është thënë se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar mjaftueshëm.

Ndërsa ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë rrezikojnë të krijojë dhe përkeqësojnë boshllëqet ekzistuese në kapacitetet administrative, është thënë në raport.

Për gjyqësor është thënë se ka pasur përparim të limituar gjatë kësaj periudhe të raportimit, është thënë.

Është përmendur nevoja për të forcuar mjetet ekzistuese që e mbrojnë integritetin, pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

“Ministrja e Drejtësisë dhe krerët e institucioneve kryesore gjyqësore kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët përkushtimi dhe plan veprimi për reforma në drejtësi. Nevojitet ecje e shpejtë për të arritur rezultate të prekshme”, thuhet në raport.

Po ashtu është thënë se ka pasur progres të limituar në luftën kundër korrupsionit dhe se korrupsioni mbetet një çështje shqetësuese.

“Ndërsa vitin e kaluar Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm anti-korrupsion dhe korniza ligjore për konfiskime penale është avancuar, mbetet shumë për t’u bërë për zbatimin e legjislacionit kundër korrupsionit. Pavarësisht përmirësimit të performancës së Agjencisë Për Parandalim të Korrupsionit, mjetet parandaluese anti-korrupsion të përcaktuara në legjislacion ende nuk janë përdorur plotësisht. Kosova duhet t’i shtojë përpjekjet për të pasur hetime më proaktive, vendime prëfundimtare gjyqësore dhe konfiskim përfundimtar të aseteve”, thuhet në raport.

Po ashtu është thënë se Kosova ka pasur përparim të limituar në hetim dhe ndjekje penale të rasteve të krimit të organizuar.

“Kosova ka miratuar një strukturë të re organizative policore dhe ka përmirësuar kapacitetet e inteligjencës dhe analizës. Përkundër kësaj, mjetet e fuqishme të parapara me Kodin Penal dhe Ligjin për kompetencat e zgjeruara të konfiskimit ende nuk janë zbatuar plotësisht. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të mbetet sfidë”, është thënë në raportin e Komisionit.

Po ashtu është thënë se autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efikase në përpjekjet për ta luftuar pastrimin e parave.

“Kosova mbetet aktive në luftën kundër terrorizmit dhe luftën për parandalimin e ekstremizimit të dhunshëm. Ligji për luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit ende nuk është shfrytëzuar. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efikase në përpjekjet e tyre për ta luftuar pastrimin e parave”, thuhet në raport.

Sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, është thënë se Kosova ka bazë ligjore që garanton mbrojtje në vijë me standardet evropiane, por duhet angazhim i mëtejshëm.

“Ndërsa kapacitetet për ta monitoruar zbatimin e politikave dhe legjislacionit është përmirësuar, duhet angazhim i mëtejshëm për t’i zbatuar në mënyrë më efikase të drejtat themelore. Më shumë burime njerëzore e financiare duhet t’u ndahen institucioneve përkatëse. Po vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar barazinë gjinore, por Kosova duhet të forcojë më tej zbatimin e legjislacionit”, është thënë në raport.

Po ashtu për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë është thënë se duhet veprime të mëtejshme për çështjet si mungesa e qasjes në arsim të barabartë e punësim, mungesa e përputhshmërisë së gjuhës dhe përfaqësimi i ulët në institucione publike, përfshirë këtu komunitetin rom dhe ashkali.

Shqetësuese është vlerësuar mungesa e lirisë së shprehjes veçanërisht në veri të Kosovës. Thuhet se ka bërë progres të limituar në adresimin e rekomandimeve nga raporti i kaluar. “Shqetësimet mbesin sa i përket sulmeve fizike dhe kërcënimeve, e gjuhës së urrejtjes”.

Më tej flitet për migrimin ku Komisioni thotë se autoritetet e Kosovës kanë vazhduar të bëjnë progres në menaxhimin e migrimit, por se duhet të ndërmerren hapa për të harmonizuar legjislacionin, përfshirë Ligjin për të huaj, sipas standardeve evropiane.

Sa i përket ekonomisë, pavarësisht progresit sektori privat në Kosovë thuhet se vazhdon të pengohet nga sfidat strukturore si, ekonomia joformale e përhapur, përhapja e lartë e korrupsionit dhe sundimi i dobët i ligjit.

Në raportin e Komisionit thuhet se Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në fazë të hershme sa i përket kapacitetit të saj për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut në BE. Sa i përket arsimit thuhet se sistemi arsimor nuk është në përputhje adekuate me nevojat e tregut të punës.

“Kosova bëri përpjekje në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e rinovueshme, por furnizimi me energji me bazë qymyri, i vjetërsuar dhe jo i besueshëm mbetet shqetësim”, thuhet aty.

Ndërkaq, për marrëdhëniet fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal thuhet se Kosova vazhdon të jetë pjesë e shumicës së forumeve rajonale. Përmendet se nuk ka ndryshim në marrëdhëniet e mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por po ashtu në marrëdhëniet formale me Bosnjën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa thuhet se ka bërë përparim të limituar në fushën e lirisë së lëvizjes për punëtorët, politikën e konkurrencës, shërbimet financiare dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Është thënë se Kosova ka bërë disa përparime në fusha si dogana, tatime, politika sociale, punësim, arsim dhe kulturë, përveç në transformim dixhital dhe media ku përparimi ka qenë i limituar. Për Agjendën e Gjelbër, është thënë se Kosova ka bërë disa përparime në sektorin e energjisë (përfshirë miratimi ne një strategjike energjetike 2022-2031). “Për transport, ambient dhe ndryshime klimatike, ka bërë përparim të limituar”, thuhet në raport. Në resurset dhe bujqësi është thënë se Kosova ka bërë përparim të kufizuar në bujqësi dhe njëfarë progresi në sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare. “Sa i përket peshkimit, nuk ka bërë asnjë progres”, është thënë në raport.

Sa i përket marrëdhënieve të jashtme, në raport vlerësohet se është bërë progres i limituar. Kosova ka bërë përparim në zbatimin e planit të veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, sidomos pasi ratifikoi tri “marrëveshjet e Procesit të Berlinit” për lëvizjen e lirë dhe njohjen reciproke të kualifikimeve.

“Megjithatë, qeveria vazhdon të bllokojë mekanizmat vendimmarrës brenda CEFTA-s për shkak të mosmarrëveshjeve rreth përfaqësimit të Kosovës. Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet shtesë të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe shërbimit. Për më tepër, me vendosjen e një ‘mase të përkohshme operative të sigurisë’ në qershor 2023, duke bllokuar hyrjen në Kosovë të mallrave dhe dërgesave postare serbe, Kosova nuk duket të jetë në përputhje me zotimet e saj sipas CEFTA-s. Masa bie në kundërshtim edhe me frymën e MSA-së”.

Në përgjithësi, Kosova duhet t’i përmirësojë kapacitetet e saja administrative dhe koordinimin në të gjithë sektorët për të arritur zbatimin efikas të Acquisit të BE-së, thuhet në fund.

Raporti i plotë