Arbëri

Marsh proteste në veri pas moslejimit të zgjedhjeve serbe

Moslejimi që të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet e Serbisë ka bërë që serbët mesditën e së premtes të protestojnë në Mitrovicën e Veriut. Protesta, e cila zgjati rreth një orë, përfundoi në mënyrë të qetë, derisa në krye të saj ishte ministri Goran Rakiq. Përveç për kryeministrin Kurti, ai kishte një porosi edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Nga të gjitha komunat veriore, serbë të Kosovës kanë marrë pjesë në marshin protestues në qendër të Mitrovicës së Veriut. Pankartat e flamujt veç se i kishin gati, derisa qytetarët serbë ishin në pritje të udhëheqësve të protestës. E kur këta mbërritën, marshit iu bashkuan të gjithë.

Protesta është organizuar pas përcaktimit të kryeministrit Albin Kurti për të mos lejuar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Por, i gjithë reagimi në të ishte i fokusuar te suspendimi i kryetares së Gjykatës në Mitrovicë, Liljana Stefanoviq, shkaku i pjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë.

Protestuesit u prinë nga një grup të rinjsh, që në duar mbanin pankartën me mesazh kryeministrit Kurti, se me shkatërrimin e marrëveshjes së Brukselit ka shkatërruar gjithçka. Pas tyre ishin përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës, në krye me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

Ecja e nisur nga sheshi “Car Lazar” përshkoi rrugët përreth tij, dhe vazhdoi deri në fund të sheshit, afër Urës së Ibrit, aty edhe ku u ndalën.

Pas disa minutash, para tyre doli ministri Rakiq, i cili është edhe kryetar i Listës Serbe. Ai tha se serbët janë të shqetësuar, por jo edhe të frikësuar. Dha edhe një mesazh për kryeministrin.

“Edhe një herë: e shihni këtë unitet njerëzish këtu, e shihni sa njerëz janë këtu sot, e them edhe një herë, njerëz të shqetësuar... Askush nuk është i frikësuar dhe do të jemi bashkë. Me këtë rast i çoj mesazh, edhe Prishtinës dhe z. Kurtit dhe së ashtuquajturës Njësi Speciale në jug, që nuk na kanë frikësuar dhe do të jemi këtu të bashkuar e në unitet, dhe do të luftojmë për të drejtat tona”, ka thënë Rakiqi. “S’kërkojmë as më shumë e as më pak se sa që kanë shqiptarët. Duam që ato t’i kemi edhe ne, e krejt nacionalitet, si goranët, boshnjakët, edhe romët, ashkalinjtë e të gjithë të tjerët. Nuk duam t’i marrim e t’i rrëmbejmë askujt asgjë. Duam atë që na takon. Para së gjithash, duam paqe”.

Përveç për shefin e tij në Kosovë, ministri Rakiq kishte një kërkesë edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Siç tha Rakiqi, për herë të parë nuk kanë arritur të dakordohen me të, pas refuzimit të tij që të pajtohet me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

dhe qëndrimi ynë në atë takim ka qenë që të dalim prej krejt institucioneve. Dje e sot kam komunikuar dhe ai na ka lutur të mos e bëjmë këtë. Por, president Vuçiq, ky është mesazh edhe për ty: Nuk jemi ne ata që e shkelim marrëveshjen e Brukselit, Prishtina po e shkel marrëveshjen e Brukselit, z. Kurti po e shkel, z. Bislimi po e shkel atë”, deklaroi Rakiq, derisa kërkoi ndihmë nga ai. “President Vuçiq, ju lutem ndikoni tek Evropa e te bashkësia ndërkombëtare, te Prishtina. Nuk jemi të frikësuar, president. Nuk mund të na frikësojnë. Ne jemi tanët në (vendin) tonë dhe do të jemi këtu”.

Fjalimi i Rakiqit u përcoll me duartrokitje, ndonëse i njëjti nuk mundi të dëgjohej nga të gjithë pjesëmarrësit.

Me të përfunduar ai, protestuesit u shpërndanë të qetë. Disa prej tyre thanë se janë duke kërkuar vetëm të drejtat që u takojnë.

“Gjë pa lidhje është krejt kjo. Duhet të lejoni të dalim në zgjedhje”, tha njëri nga pjesëmarrësit në protestë.

“Na janë cenuar krejt të drejtat. Nuk kemi liri të lëvizjes, na ndalohet çdo ditë. Protestë e qetë, por te populli ka pakënaqësi të mëdha”, deklaroi një tjetër.

“Kërkojmë të drejtat, kjo është e tëra”, theksoi një protestues, i cili pohoi se për të marrë pjesë në zgjedhje, do të shkojë në Serbi javën e ardhshme.

Protestë sikurse në Mitrovicën e Veriut, u mbajt edhe në Graçanicë, e asaj i priu kryetari i Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq. Së bashku me të nga Shtërpca drejt Graçanicës u nisën edhe serbë në mënyrë të organizuar me dy autobusë.

“Përmes kësaj proteste të qetë, përmes kësaj heshtjeje, po protestojmë pa asnjë incident. Po japim porosi të qartë se duam të luftojmë me mjete demokratike dhe se është përgjegjësi e të gjithëve, si atyre që mbajnë qeverinë në Prishtinë, ashtu edhe e bashkësisë ndërkombëtare, nga të cilët kërkojmë mbrojtje, mbrojtje institucionale”, deklaroi Jevtiq.

Ai më tej është ankuar për “dhunë institucionale”, derisa ka paralajmëruar takime ditëve në vijim me presidentin e Serbisë, Vuçiq.

“Vendimi për ta pamundësuar votimin e serbëve dhe suspendimi i kryetares së gjykatës në Mitrovicë Liljana Stefanoviq është edhe një dëshmi shtesë e planit të qartë të Qeverisë së Kosovës. Me këtë protestë kërkojmë që të ndalet dhuna institucionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në ditët e ardhshme do të kemi konsultime me Vuçiqin dhe të marrim vendime”, ka thënë ai.

Pak minuta para orës 12, kur edhe ishte planifikuar të niste marshi, vendet e QUINT-it dhe BE-ja, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet. Në një deklaratë të përbashkët, ato janë shprehur të shqetësuara për rrezik të përshkallëzimit të situatës në Kosovë me nisjen e protestave të paralajmëruara në disa qytete me shumicë serbe.

“Qytetarët kanë të drejtë për tubim në mënyrë paqësore si dhe përgjegjësi për të siguruar që tubimet e tilla janë paqësore dhe nuk kthehen në të dhunshme. Ndër të drejtat tona të përbashkëta demokratike janë edhe e drejta për tubim në mënyrë paqësore dhe që zëri ynë të dëgjohet, të drejta këto që organet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësi për t’i mbrojtur. Organet e zbatimit të ligjit e kanë detyrim të ruajnë rendin publik dhe do të duhej ta bëjnë këtë pa shkelur parimet demokratike të lirisë së shprehjes dhe të tubimit”, thuhet në deklaratën e publikuar.

Serbët kanë shprehur pakënaqësitë, pas vendimit të kryeministrit Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë, por edhe pas suspendimit të kryetares së Gjykatës së Mitrovicës, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nën arsyetimin se ajo kishte marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë së Serbisë. Zgjedhjet përgjithshme të Serbisë do të mbahen të dielën e 3 prillit.