Numri i të papunëve ka rënë për 70 mijë brenda dy vjetësh, e ai i të punësuarve nuk është përcjellë me rritje në këtë proporcion. Përfaqësues të bizneseve thonë të jenë të alarmuar me rënie të fuqisë punëtore, ndërkaq njohës të ekonomisë theksojnë se numri i papunësisë është zbutur si pasojë e migrimit të të rinjve
Bizneset në Kosovë janë duke u përballur me mungesë punëtorësh.
Përfaqësues të bizneseve thonë se kjo situatë përbën brengë shumë të madhe për jo pak kompani.
“Mungesa e fuqisë punëtore është një brengë shumë e madhe që e kanë kompanitë tona anëtare. Ne si Odë Ekonomike Gjermano-Kosovare , përfaqësojmë kompani gjermane që operojnë këtu, mirëpo edhe kompani të Kosovës që operojnë në tregun gjerman, qoftë me eksport të shërbimeve apo mallrave. Këtë shqetësimin e kompanive tona, nuk e vërejmë vetëm prej bisedave dhe takimeve që i kemi me ta, por edhe përmes një ankete që e zhvillojmë një herë në vit”, ka thënë Nora Hasani, drejtoreshë e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se numri i papunësisë ka shënuar rënie rapide. Në vitin 2020 ishin 120 mijë të papunë, e në fund të vitit të kaluar ky numër ka rënë në 50 mijë.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se këto shifra nuk reflektojnë një realitet ku ekonomia e Kosovës ka pasur një zhvillim të hovshëm. Sipas Gërxhaliut, kjo shifër tregon për ikjen e fuqisë punëtore në Perëndim.
“Nuk mund të thuhet zvogëlim i atyre që kërkojnë punë, në qoftë se e kemi këtë shkallë të migrimit dhe definitivisht Kosova po ballafaqohet me një sëmundje të rrezikshme dhe ajo sëmundje e ka emrin pandemia demografike. Në këtë drejtim besoj që është koha të kuptohet e vërteta, se në ekonomi nuk ka gjysmë të vërtetë. Nuk kemi arsye për eufori, nuk kemi arsye për vetëkënaqësi, sepse indikatorët ekonomikë janë shqetësues”, shprehu shqetësimin ky njohës i çështjeve të ekonomisë.
KOHA ka dërguar pyetje në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migrim në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga i cili institucion ka kërkuar të dhënat për numrin e qytetarëve që e kanë lëshuar Kosovën në vitet e fundit, por nuk ka pranuar përgjigje.
Të dhënat e ASK-së tregojnë se ulja e përqindjes së papunësisë nuk është përcjellë me rritje proporcionale të të punësuarave.
Mes viteve 2019-2022, sipas ASK-së, numri i të papunëve ka rënë në 73 mijë e i të punësuarve është rritur vetëm për rreth 35 mijë.
Qeveria e Kosovës ka nisur një iniciativë për punësimin e të rinjve, dhe për bizneset që regjistrohen se kanë nevojë për punëtorë, subvencionon një pjesë të pagës.
Në Ministrinë e Financave thonë që çdo ditë ka të rinj që regjistrohen në platformë.
“Aktualisht, Superpuna numëron 13,435 të rinj të regjistruar, 7,497 punëdhënës dhe 3,477 vende të hapura pune dhe ka mbi 5,100 të punësuar”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga ky institucion
Në Kosovë, sipas ASK-së, janë 730 mijë persona që as nuk janë të punësuar e as nuk po kërkojnë punë. Numri i tyre ka mbetur i ngjashëm ndër vite. Sipas njohësve të ekonomisë, në këtë numër hyjnë gratë që kujdesen për fëmijë e familje, nxënës e studentë në moshë pune, të pa interesuar për punë, veteranë të luftës e të tjerë.