Cilësia e munguar, shkollimi me sfida për shkak të pandemisë, kërcënimet e mësimdhënësve me greva dhe diplomat e kontestuara universitare e kanë karakterizuar sistemin arsimor në Kosovë gjatë vitit që po e lëmë pas. Ky sektor jetik për Kosovën me sfida të shumta pritet të përballet edhe në vitin 2022
Sfida të shumta e përcollën arsimin edhe në vitin 2021. Sigurimi i cilësisë në arsim, fillimi i mësimit me vonesë, zhvillimi i tij në kushte të pandemisë COVID-19, mungesa e teksteve shkollore, aftësimi profesional e kërcënimet e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës me grevë, ishin disa nga problemet që e ndoqën këtë sektor prej nivelit parashkollor deri tek arsimi i lartë.
Raportet e ndryshme ndërkombëtare për Kosovën në vazhdimësi flasin për nevojën e përmirësimit emergjent të planprogrameve, përfshirje të trajnimeve për mësimdhënësit dhe ndërlidhje të arsimit me tregun e punës.
Edhe Raporti për Kosovën i Komisionit Evropian për vitin 2021 kishte vënë në pah që është arritur pak progres në reformimin e sistemit arsimor. Mes tjerash është përmendur përzgjedhja e mësimdhënësve me ndikime politike, pjesëmarrja e ulët e fëmijëve nën kujdesin e hershëm shkollor dhe mungesa e kushteve arsimore. Sipas raportit, përparimi i kufizuar në arsim vjen edhe si rezultat i ndikimit të pandemisë. Përgjatë vitit 2021, Ministria e Arsimit është udhëhequr nga dy ministra.
Zhvillimi i mësimit nën kërcënimin e pandemisë
Tre skenarët e mësimit në pandemi A, B dhe C nuk u përjashtuan nga skema programore e mësimdhënies edhe gjatë vitit 2021. Situata me COVID-19 disa herë pamundësoi mësimin në shkolla (Skenari A) dhe imponoi mësimin e kombinuar (Skenari B) e atë online (Skenari C). Pas një viti pandemik që kishte komplikuar zhvillimin e mësimit, viti 2021 nisi mbarë për shumicën e nxënësve të nivelit parauniversitar. Me vendim të ministrit të atëhershëm të Arsimit, Ramë Likaj, në janar ata ishin kthyer në banka për ta filluar gjysmëvjetorin e dytë. Një muaj më pas Qeveria mori vendim që edhe studentët të ktheheshin në fakultete dhe të përfundonte cikli i ligjëratave online. Për shkak të infektimit të nxënësve e mësimdhënësve shumë herë mënyra e mësimnxënies u çrregullua. Humbja e mësimit bëri që gjysmëvjetori i dytë të zgjasë më shumë. Kështu kishte vendosur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila e kishte marrë detyrën në mars të këtij viti.
Muajt e verës shënuan shifra rekorde te rasteve të reja të infektimit me COVID-19, gjë që ndikoi në shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor. Nga Ministria e Arsimit ishin të vendosur që pavarësisht situatës pandemike fillimin e vitit të ri shkollor ta bënin me prani fizike dhe kësisoj kishin shtuar edhe skenarin e katërt, atë të “rikthimit”, që nënkuptonte mësim në shkolla me orar të plotë. Meqë situata vazhdonte të ishte e përkeqësuar, MASHT-i nga 1 shtatori shtyu mësimin njëherë për 13 e më pas edhe për 27 shtator, por nuk e filloi atë me ndonjërin nga skenarët B dhe C, gjë për të cilën mori kritika se nuk ishte përgatitur gjatë pushimit veror.
Për zhvillimin e mësimit të nivelit parauniversitar, mbi 90 për qind e mësimdhënësve janë vaksinuar ashtu siç ishin kushtëzuar nga Qeveria.
Ndryshe nga nxënësit e nivelit parauniversitar, niveli parashkollor ishte lejuar të punonte deri në mes të shtatorit, me gjithë rrezikun nga pandemia.
Shifrat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik atë kohë tregonin për raste të shumta të infektimit të fëmijëve për çfarë edhe u mor vendimi për mbyllje. Pas mbylljes gati dyjavore të çerdheve, bashkë me shkollat, ato u hapën më 27 shtator. As arsimi i lartë nuk e ka nisur vitin akademik me kohë. Senati i Universitetit të Prishtinës kishte marrë vendim që pas pezullimit dyjavor të aktiviteteve mësimore ligjëratat të fillonin më 15 tetor 2021, me prezencë fizike.
Mospajtimet Ministri-Sindikatë
Me paralajmërime të SBASHK-ut për grevë të mësimdhënësve u nis e u mbyll viti 2021. Për rrezikshmërinë e punës në kohë pandemie, SBASHK-u qysh në fillim të këtij viti kishte kërkuar shtesa për mësimdhënësit, në të kundërtën kishin theksuar se do të futeshin në grevë. Ky kërcënim ishte marrë parasysh nga Qeveria e atëhershme në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti dhe në mars atyre u ishte ekzekutuar pagesa shtesë prej 100 eurosh. Me ndërrimin e Qeverisë përlasjet mes SBASHK-ut dhe MASHT-it ishin thelluar. Si fillim SBASHK-u kishte paralajmëruar padi për Ministrinë e Arsimit në rast se orët e mësimit plotësues nuk u paguhen mësimdhënësve, pasi MASHT-i kishte marrë vendim për mësim plotësues për shkak të humbjeve gjatë pandemisë. Me akuza për kërcënime kishte reaguar Ministria e Arsimit e cila, mes tjerash, e kishte fajësuar SBASHK-un edhe për rezultatet e ulëta në arsim.
“Në këtë kohën kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndiejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune”, kishte thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, fjali e cila ishte vlerësuar si shantazh e kërcënim nga SBASHK-u.
“Ju duke e përsëritur shpesh këtë deklaratë tuajën sikur po dërgoni mesazh si disa pronarë të firmave private që u thonë të punësuarve, kurdo që ata ankohen arsyeshëm, se duhet të heshtin e të ndihen mirë që janë në punë se njerëz të papunë ka mjaft”, i ishin përgjigjur Ministrisë nga Sindikata.
Më pas përplasje pati kur në opinion u përmend testimi i mundshëm i mësimdhënësve për t’i vlerësuar përgatitjet e tyre gjë që u kundërshtua kategorikisht nga SBASHK-u, ani pse nga Ministria kishin deklaruar se për këtë çështje ishin keqkuptuar.
Tash në fund të vitit SBASHK-u ka dalë edhe me disa kërkesa të tjera. Sindikata ka kërkuar nga Qeveria miratimin e Ligjit të Pagave dhe implementimin në tërësi të Kontratës Kolektive. Në rast të mosadresimit të tyre ata kishin paralajmëruar një protestë më 4 dhjetor e një tjetër më 18 dhjetor e më pas edhe futjen e mësimdhënësve gradualisht në grevë. Por para 4 dhjetorit SBASHK-u kishte ndryshuar agjendën dhe Qeverisë së Kosovës i ka dhënë ultimatum deri në shkurt, që në rast se nuk u plotësohen këto kërkesa shkollat do të mbyllen dhe mësimdhënësit do të futen në grevë. Këtë paralajmërim të SBASHK-ut Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka cilësuar si kërcënim dhe shantazh.
Mungesa e teksteve shkollore dhe kontestimi i 20 mijë diplomave
Edhe pse viti shkollor filloi gati një muaj me vonesë, jo të gjithë nxënësit u pajisën me tekstet shkollore. Nxënës të shumtë nga shkolla të ndryshme të Kosovës u ankuan për mungesë të materialit shkollor, problem që përsëritet çdo vit. Për këtë çështje zëvendësministrja e Arsimit, Edona Maloku-Bërdyna, tha se përgjegjësia bie mbi drejtoritë komunale të arsimit.
“Si Ministri e Arsimit disa herë kemi bërë thirrje që drejtoritë komunale të jenë të kujdesshme në grumbullimin e të dhënave për numrin e nxënësve, sepse tekstet shkojnë vetëm në bazë të kërkesave që ne na dërgojnë DKA-të. Andaj, nëse ndonjë nxënës ka mbetur pa tekste mësimore përgjegjësia mbetet mbi ata të cilët i kanë dërguar të dhënat e nxënësve për pajisje me këto tekste”, është shprehur ajo.
Mungesa e materialit edukativ është përmendur si e metë e sistemit arsimor edhe në Raportin e Këshillit Evropian për Kosovën për vitin 2021. I njëjti problem edhe këtë vit i ka përcjellë edhe studentët e universiteteve. Ata vazhdojnë të hasin në vështirësi për sigurim të literaturës pasi që shumica e profesorëve përdorin libra të autorëve të huaj, titujt e të cilëve shpesh zor që gjenden nëpër libraritë e bibliotekat e Kosovës.
Për klasat e tretë, të tetë dhe të dymbëdhjetë këtë vit Ministria ka përgatitur tekste të reja shkollore meqë të njëjtat nuk ishin përgatitur viteve paraprake. Si dhe, për herë të parë këtë vit, MASHT-i ka përkthyer tekstet shkollore nga gjuha shqipe në gjuhët boshnjake dhe turke.
Në fund të këtij viti nga Qendra Kombëtare për Njohje të Diplomave (NARIC) u raportua se në Kosovë janë mbi 20 mijë diploma të pavlefshme të lëshuara nga kolegjet private. Kjo kishte ardhur për shkak se kolegjet private ndër vite e kanë tejkaluar numrin e studentëve përtej vendimeve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Faji për këtë gjë nga qendra NARIC i ishte vënë Ministrisë së Arsimit për mungesë të librit amë. Për shkeljet që janë bërë nga universitetet private nga NARIC kanë dorëzuar edhe një raport në Prokurori. Nga Ministria e Arsimit kishin deklaruar se nuk kanë informacione që ekziston një numër i tillë i diplomave të pavlefshme. Zëvendësministri Dukagjin Pupovci ishte shprehur se janë në proces të formimit të një komisioni, i cili do t’i shqyrtojë kërkesat individuale të studentëve në mënyrë që të adresohet ky problem.
“Të gjitha ato diploma që janë lëshuar nga institucionet e akredituara dhe të licencuara janë diploma të vlefshme, aty nuk kemi çka të flasim. Tani paraqitet problemi kur kërkohet që studenti të shkojë jashtë vendit, atëherë parashihet një procedurë që MASHTI dhe ajo e Punëve të Jashtme duhet ta verifikojnë diplomën dhe shpeshherë këto diploma nuk mund të verifikohen për shkak të lëshimeve që janë bërë gjatë procesit”, kishte thënë Pupovci.
Reformat
Në arsimin e lartë nga Qeveria aktuale gjatë vitit 2021 janë bërë disa ndërhyrje. Para fillimit të vitit akademik 2021/22, Ekzekutivi pati marrë vendim që t’i heqë pagesat e semestrave për të gjithë ata që do të studiojnë në nivelin bachelor dhe atë master, si dhe nga pagesa e regjistrimit për herë të parë. Ndërsa për studentët e doktoratë janë paraparë lehtësime të veçanta.
“Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke filluar prej të rinjve e të rejave, studimet e të cilëve financohen nga familjet e deri tek bashkëqytetarët tanë të cilët vendosin që në moshë të pjekur të vijojnë studimet universitare”, kishte thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nga Ministria janë subvencionuar dy mijë maturantë për ndjekjen e kurseve në fushën e teknologjisë informative, si dhe janë dhënë një mori bursash, mes tyre edhe 500 për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, që vijojnë mësimin në shkollat e mesme të larta.
Intervenimi në arsim u tentua edhe me reformën e ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati, e cila ishte ndalur në gjysmë prej kur në mars udhëheqjen e Qeverisë e mori Lëvizja Vetëvendosje. Shkollat nën qeverisjen e Kastratit ishin mbyllur nga 2019-a pas arsyetimeve se ndryshimet demografike në Kamenicë kishin ulur numrin e nxënësve në 40 për qind më pak dhe, sipas tij, ishte i domosdoshëm riorganizimi. Pak pasi LVV-ja kishte marrë pushtetin qendror, kishte hapur shkollat duke nisur mësimin e përshpejtuar alternativ për 441 nxënës të Kamenicës për kompensimin e orëve të humbura. Këtë vendim të Ministrisë Kastrati e kishte cilësuar si të pakonsideratë ndaj të gjithë të prekurve në këtë reformë.
“Deklarata publike gjysmëfaqëshe e ministres së Arsimit rreth mësimit të përshpejtuar të nxënësve të Kamenicës është pasqyra e trajtimit shkel e shko të problemit të shkallëzuar e kompleks të arsimit në Komunën e Kamenicës nga Ministria”, kishte thënë ai.
Sfidat e 2022-s
Përmirësimi i cilësisë, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, përmirësimi i teksteve shkollore, zbatimi i plotë i kurrikulës, përmirësimi i menaxhimit në shkolla, avancimi i infrastrukturës shkollore e të tjera, do të jenë çështje për të cilat do të duhej angazhim i Ministrisë për vitin që vjen e edhe më larg, për të ndërtuar sistem të mirëfilltë në të gjitha nivelet e arsimit. Qysh në fillim të vitit të ri Ministria e Arsimit duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët me SBASHK-un ose edhe t’i plotësojë kërkesat e tyre, pasi që në të kundërtën pritet të përballet me grevën e paralajmëruar të mësimdhënësve. Ministria do të ketë punë edhe në përgatitjen për testin PISA (Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), i cili për shkak të pandemisë është shtyrë për vitit 2022. Pikërisht për shkak të humbjeve në mësim nga pandemia, nga MASHT-i nuk janë optimistë për rezultatet. Vetë në një përgjigje nga Ministria e Arsimit kanë thënë për KOHËN se testimi në PISA më shumë do të shfrytëzohet për t’i evidentuar mangësitë në arsimin parauniversitar.
“Është vështirë t’i përcaktojmë pritshmëritë, duke marrë parasysh faktin se për më shumë se një vit kemi pasur çrregullime të procesit mësimor si pasojë e pandemisë. Megjithatë, me rëndësi është të shfrytëzohen rezultatet e testit që të identifikohen dobësitë në sistem dhe të merren masa adekuate”, kanë thënë nga Ministria.