Në Komunën e Prishtinës, mësimdhënësit kanë vlerësuar se nxënësit në vitin shkollor 2021-22 kishin performancë më të dobët sesa një vit apo dy vjet më parë. Në shkollat e Prishtinës humbën vitin 351 nxënës, ndërkohë në nivel vendi, Ministria e Arsimit ende nuk ka të dhëna. Njohësit e çështjeve të arsimit thonë se ka mungesë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse të arsimit, për t’i evidentuar shkaqet e ngeljes së nxënësve
Në Qendrën e Kompetencës “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, 23 nxënës e kanë humbur vitin shkollor 2021-2022.
Drejtori i shkollës profesionale, Blerim Gërvalla, ka thënë se ka pasur rritje të nxënësve që kanë ngelur në krahasim me vitin paraprak, ku vetëm 12 nxënës kishin mbetur pa e kaluar vitin.
Gërvalla ka thënë se ngelja e nxënësve është rezultat i mosangazhimit si dhe i sjelljeve problematike të tyre.
“Përveç që e neglizhojnë mësimin, ata edhe na shkaktojnë telashe. Shpesh herë kemi probleme shumë të mëdha në orë të mësimit. Ka nxënës që vjen veç të shkaktojë probleme, të mos lejojë me u mbajt ora e mësimit, se për nxënësit që nuk kanë kapacitet për me arrit rezultate mësimore është përgjegjësi e shkollës e mësimdhënësit”, ka thënë Gërvalla.
Meqenëse arsimi i mesëm i lartë nuk është i obligueshëm me Ligjin për Arsimin Parauniversitar, Gërvalla e sheh të arsyeshme që të ketë opsion ligjor për përjashtim të tërësishëm të nxënësve në këtë nivel.
Aktualisht, sipas Rregullores për organizimin e punës në shkolla, parashihet që nxënësit mund të pezullohen deri në tre muaj dhe të kalojnë në një shkollë tjetër.
Për numrin e nxënësve që kanë treguar performancë të dobët këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ende nuk i ka të dhënat.
Në një përgjigje për KOHËN, në ministri kanë thënë se ende janë në mbledhje të informacioneve nga drejtoritë e arsimit nëpër komuna.
E sipas të dhënave të Drejtorisë së Arsimit të Prishtinës nga platforma digjitale “E-shkollori”, 351 nxënës kanë humbur vitin shkollor në arsimin fillor.
Mësimdhënësit e nivelit fillor kanë thënë se ka rënie të suksesit të nxënësve në krahasim me dy vjet më parë.
Brikene Elshani-Sejdiu, mësimdhënëse në SHFMU “Hasan Prishtina”, ka thënë se këtë vit ka pasur dy raste në klasën që ajo kujdestaron, që nxënësit nuk kanë qenë fare të angazhuar dhe po ashtu kanë pasur pjesëmarrje të ulët në orët mësimore.
"Te klasat e gjashta dhe të shtata në krahasim me gjeneratat e kaluara, ka rënie të madhe të notave dhe suksesit të nxënësve”, ka thënë Elshani-Sejdiu, e cila si shkaktar listoi zhvillimin e teknologjisë dhe përmbajtjen jocilësore të teksteve shkollore.
Mosbashkëpunimi i prindërve në raste kur nxënësit tregojnë performancë të dobët, sipas Elshani-Sejdiut, e vështirëson situatën. Ajo tregoi që kur këtë vit njoftoi prindërit e një nxënësi për performancën e dobët të fëmijës së tyre, ata nuk bashkëpunuan. “Kemi biseduar më fëmijën, ka pasur sukses, por prapë pas dy javëve ka filluar shpërqendrimi, pastaj kemi bashkëbiseduar me prindërit, e prindërit e tyre kanë thënë që ne kemi hequr dorë prej tij, ‘bëni çfarë të doni’. Por prapë kemi tentuar në forma të tjera”, ka shtuar ajo.
Njohësi i çështjeve të arsimit, Egzon Gashi, ka thënë se ka mungesë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse të arsimit, për t’i evidentuar shkaqet e performancës së dobët të nxënësve.
“Nëse nuk e kanë pasion mësimin problemi është diku tjetër dhe jo te vetë fëmijët, nëse flasim për resurset ose kushtet në shkollë, është e vërtetë që kemi mangësi në teknologji dhe gjëra të ndryshme. Unë besoj që problemi qëndron te zinxhiri mes MASHTI-t, Komunës e mësimdhënësit”, ka thënë Gashi, i cili shtoi se prindërit duhet të jenë më bashkëpunues me institucionet arsimore, e sidomos me stafin e mësimdhënësve.
Nxënësit kosovarë performancë të dobët kanë treguar edhe në testet ndërkombëtare. Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve, i njohur me shkurtesën PISA, ka radhitur Kosovën në vitin 2015 në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve pjesëmarrëse në test, kurse në vitin 2018, në vendin e 77-të në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Kosova në këtë test ka lënë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.
Edhe sivjet nxënësit kosovarë i janë nënshtruar testit PISA. Rezultatet priten të dalin në dhjetor të vitit 2023.