Në Gjykatën Kushtetuese do të përfundojë Kodi Civil, kurdo që miratohet në Kuvend e nuk rregullon martesën mes personave të seksit të njëjtë.
Pas dështimit të miratimit në shqyrtim të parë të projekt-kodit, aktivistë të komunitetit LGBTI+, shpresojnë se deputetët e institucionet në përgjithësi do të reflektojnë e të mundësojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pa asnjë dallim.
“Një kod i tillë, një draft-kodi i tillë diskriminon komunitetin LGBTI në Kosovë dhe rrjedhimisht shkon në kundërshtim me Kushtetutën. Çfarëdo tendence për të kaluar kodin civil në këtë mënyrë siç është edhe provuar, që në të ardhmen të rregullohet bashkësia civile, qoftë edhe nëse vendoset të hiqet ai paragraf, ne si aktiviste dhe aktivistë do të dërgojmë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, dhe si i tillë do të shpallet i gjithë kodi civil jokushtetues”, ka thënë Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Pas ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szuynog, për mosmiratimin e Projekt-Kodit Civil, ka reaguar edhe ai i Britanisë, Nicholas Abbott.
“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Abbott.
Qeveria është kritikuar edhe nga opozita. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se fajin e kanë deputetët në pushtet, derisa e ka konsideruar të pashpjegueshme heshtjen e presidentes Vjosa Osmani karshi mosmiratimit të kodit.
“Qeveria e arrogancës së numrave dështoi të sigurojë votat në radhët e veta për të miratuar Kodin Civil, i cili përveç të tjerash, parasheh edhe përmirësimin e bazës ligjore të të drejtës së grave në trashëgimi. Ne si parti e kemi arsyetuar qëndrimin tonë në Kuvend. Derisa shumica parlamentare mbivoton çdo iniciativë që ne parashtrojmë (qoftë, projektligje, amendamente, rezoluta e akte të tjera, që në epiqendër kanë mbrojtjen e interesit të qytetarëve), duke demonstruar arrogancë pa dhënë asnjë shpjegim, ne nuk mund të rrimë indiferent përballë kësaj qasje përjashtuese e shpërfillëse. Prandaj, ata e kanë përgjegjësinë e plotë edhe në rastin e votimit të këtij projekt-akti. Po ashtu, e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme mbetet heshtja e Presidentes. Mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit të popullit, e mbi të gjitha si një grua – kur bëhet fjalë, si në rastin konkret- lidhur me Projekt-Kodin Civil, i cili rregullon çështjet familjare, trashëgimore e veçanërisht, rolin e gruas në këto marrëdhënie. Presidentja po e ridëshmon për të satën herë radhazi se ka deficit të theksuar të lidershipit dhe është e gatshme ti qëndroj besnike e madje ti nënshtohet kryeministrit, pa tentuar asnjëherë të kundërbalancoj politikat e qeverisë, veçmas kur ato nuk përfillin koncensusin dhe kompromisin e nevojshëm politik. Pozita që mban nuk e toleron kalkulimin personal mbi interesin e përgjithshëm. Përndryshe, kjo cilësohet abuzim me pozitën dhe ushtrimin e detyrës”, ka shkruar Blerta Deliu, deputete e PDK-së.
E përkundër dështimit, nga Ministra e Drejtësisë kanë paralajmëruar se Projekt-Kodin Civil do ta dërgojë sërish për miratim në Kuvend.
“Në lidhje me çështjen e Projekt-Kodit Civil, ju njoftojmë se jemi në pritje të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për mosmiratimin e Projekt-Kodit Civil, ndonëse Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk përcakton afat për riprocedim në raste të tilla, megjithatë ne, Projekt-Kodin Civil do ta procedojmë shumë shpejt për në Kuvend, për detaje do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projekt-kodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.
Ndaj gjuhës së përdorur në Kuvend, të enjten kanë protestuar disa qytetarë.
Me parullat “homofob, s`ki vend në Kuvend” e “dashnia është rezistencë”, ata iu drejtuan objektit të Kuvendit.
“Të drejtat e njeriut nuk janë qejfe dhe nuk duhet të jenë qejfe personale dhe as preferenca të deputetëve. E drejta për t’u martu me personin që don nuk duhet të jetë çështje e qejfeve të deputetëve. E drejta për t’u martu garantohet me Kushtetutën e Kosovës dhe i takon secilit dhe secilës pavarësisht orientimit seksual”, tha aktivistja Mirishahe Syla.
“Kuvendi është institucion ku duhet me u respektu dhe mbrojt të drejtat siç e kemi për obligim secili qytetar, ndërsa në po këtë vend po shkelen të drejtat e njeriut”, shtoi aktivistja tjetër Gresa Rrahmani.
Gjatë procesit të votimit të Projekt-kodit Civil, nga 120 deputetë, 77 prej tyre qëndruan në sallë derisa në votim morën pjesë 61 nga të cilët 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenuan.