Arbëri

MASHTI pa plan për integrimin e nxënësve romë e ashkalinjë në sistemin e Kosovës

Me ndihma sociale për fëmijët romë e ashkalinjë, Ministria e Arsimit e Serbisë mban gjallë sistemin e vet shkollor në Kosovë.

Për ta ndalur shfrytëzimin e fëmijëve të komuniteteve nga sistemi paralel serb, Ministria e Arsimit në Kosovë ende nuk ka plan strategjik.

“Jemi duke e kërkuar një formulë për integrimin e nxënësve që vijojnë mësimin në sistemin paralel dhe dëshirojnë të kalojnë në sistemin e Kosovës, jemi duke kërkuar një formulë. Për ata që e kanë përfunduar arsimin e lartë, formula ekziston, diplomat e tyre njihen për qëllime përfitime, jemi duke e kërkuar një formulë edhe për nivelet e tjera”, ka thënë Dukagjin Pupovci, zëvendësministër në MASHTI.

Në tryezën e organizuar nga “Roma Versitas Kosova”, të enjten, për integrimin e komuniteteve romë, ashkalinjë dhe egjiptianë, në arsim dhe punësim, drejtori i organizatës, Avni Mustafa, kërkoi që të rritet numri i bursave për nxënësit e këtyre komuniteteve.

Për integrimin e nxënësve të komuniteteve në arsimin shqip, Mustafa kërkoi që institucionet vendore t’ua ofrojnë të njëjtën ndihmë si shteti serb.

“Ministria e Arsimit nuk po e merr parasysh ose nuk është e gatshme të japë bursa. Është e nevojshme të theksohet fakti që ne nuk mund të zgjedhim vendndodhjen dhe me kë jetojmë. Për komunitete që jetojnë në Graçanicë, Plemetin e Mitrovicë të Veriut nuk kanë opsion tjetër përpos shkollat serbe. Prandaj, kriteri për përfitim të bursës nuk duhet të jetë se ku e vijon mësimin”, u shpreh Mustafa.

Ndërkaq, zëvendësministri Dukagjin Pupovci theksoi se është e pamundur t’i ndihmojnë financiarisht nxënësit e komuniteteve që ndjekin mësimin në gjuhën serbe.

“Kështu në vitin e kaluar kemi pasur 547 aplikime prej sistemit të Kosovës, sepse vetëm aplikimet e sistemit të Kosovës janë pranuar edhe ka qenë diku 80 aplikime që përkundër faktit se kemi bërë me dije se vetëm këta të sistemit të Kosovës do të financohen kanë ardhur prej sistemit paralel, Qeveria e Republikës e Kosovës nuk mund me dhanë bursa për nxënës që ndjekin shkollën në sistemin paralel, po më vjen shumë keq por asnjë qeveri në botë nuk mundet ta bëjë një gjë të tillë”, pohoi Pupovci.

Për rritjen e përfshirjes së nxënësve të komuniteteve në arsim, u kërkua që t’iu lejohet komunave që të shpërndajnë bursa për komunitetet edhe në nivelin parauniversitar.

“Në formën se si është e rregulluar rregullorja, ne nuk na lejohet të japim bursa për shkollimin e mesëm, këtë rregullore jemi duke rimodeluar në mënyrë që të lejohet një gjë e tillë”, tha Samir Shahini, kryesues i Kolegjiumit për Arsim Parauniversitar.

Në Kosovë llogaritet se funksionojnë 131 shkolla që punojnë me plan-program të Serbisë.