Bashkimi Evropian ka konfirmuar pranimin e një versioni përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes së cilës ishte zotuar se Serbia nuk e zbaton nenin që obligon palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Megjithëse nuk e kanë zbardhur përmbajtjen finale të dokumentit, në BE kanë thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj janë obliguese.
Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj do të jenë pjesë integrale e rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj.
Ishte Serbia që përmes një letre nga kryeministrja Ana Bërnabiq, e njoftoi BE-në se nuk merr përsipër zbatimin e të gjithë marrëveshjeve.
Serbia ka kundërshtuar nenet që i kërkojnë të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në. Megjithatë, mund të konfirmojmë se BE-ja ka marrë një version përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Bërnabiq. Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane. Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, ka deklaruar Stano.
BE-ja pret nga palët që të demonstrojnë përkushtim serioz dhe përpjekje për të arritur kompromisin që çon përpara normalizimin e marrëdhënieve.
“Ato (palët) duhet të mbështesin angazhimet e tyre të dialogut dhe të angazhohen për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu i kaluar, në veçanti Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit”, ka theksuar Stano.
Por eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se reagimi i BE-së e SHBA-së karshi obstruksioneve të Serbisë, përfshirë moszbatimin e marrëveshjeve ka qenë i zbehtë.
“Në Kosovë, Beogradi e ka kaluar veten. Ai largoi serbët nga policia, gjykatat dhe administrata e Prishtinës në katër komunat veriore me shumicë serbe. Sponsorizoi një bojkot të zgjedhjeve komunale, organizoi turma për të protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve joserbë dhe për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s, trajnoi dhe pajisi një operacion terrorist më 24 shtatorit që synonte të krijonte pretekstin për ndërhyrje ushtarake, mohoi vlefshmërinë e marrëveshjeve për të cilat SHBA-ja dhe BE-ja pretendojnë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka theksuar Serwer.
Në mungesë të rezultateve në dialog, liderët e Kosovës në disa raste e kanë përsëritur se prioritet është siguria në vend duke paralajmëruar se Serbia po përgatit sulm tjetër në veri, pasi atij në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.