Arbëri

Liberalizimi i vizave, nga premtim që sillte vota në rrezik elektoral

Foto: Driton Paçarada / Koha

Prej vitit 2009 qytetarëve të Kosovës u është premtuar liberalizimi i vizave. Kanë kaluar 10 vjet dhe kjo çështje mbetet aktuale, porse tash, politikanët duket se janë heshtur me premtime se do të ndodhë liberalizimi.

Të zëshëm ishin krejt liderët e koalicionit PANA të legjislaturës së kaluar, por para zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, kur Kosova ende s’ka hyrë zyrtarisht në fushatë, në parafushatë premtimet për viza nuk po dëgjohen.

Demush Shasha nga Instituti EPIK, në një deklaratë për Koha.net thotë se ndër vitesh, partitë politike kanë keqpërdorur premtimet për liberalizimin e vizave për qëllime zgjedhore. E sipas tij, tash premtimet për liberalizim janë shndërruar nga premtime zgjedhore që sjellin vota në rrezik elektoral që i humbin ato.

“Tani, duke parë dëshpërimin dhe frustrimin e qytetarëve ndaj premtimeve të proklamuara dhe të parealizuara, partitë politike e kuptojnë se premtimet për liberalizimin e vizave janë shndërruar nga premtimet zgjedhore që sjellin votat, në rrezik elektoral që humb vota. Rrjedhimisht, po shohim një përmbajtje të partive nga përfshirja e premtimeve për liberalizimin e vizave në fushatat e tyre respektive”, tha Shasha.

Shasha rikujton se në vazhdimësi, pothuajse të gjitha institucionet e BE-së kanë kërkuar nga skena politike në Kosovë që të heqin kontrollin mbi, dhe ndikimin në sistemin e drejtësisë.

“Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, Këshilli i Bashkimit Evropian ka kërkuar që Kosova të shënojë progres në fushën e sundimit të ligjit, me theks të veçantë tek shënimi i rezultateve në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Kosova, 3 vite pas kërkesës për progres në kuadër të korrupsionit të nivelit të lartë, nuk ka arritur të përfundojë me sukses në gjykatë as edhe një rast të vetëm të korrupsionit të nivelit të lartë”, tha ai.

Njëkohësisht, thotë Shasha, zhvillimet negative siç është ‘kidnapimi’ i 6 shtetasve turq, apo rasti i Prokurorit Blakaj, u kanë ofruar argumente shtesë vendeve hezituese të BE-se për të mos marrë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

“Prandaj, në kontekst të fushatës zgjedhore, partitë politike duhet të pranojnë që sfida kryesore me cilën ballafaqohet Kosova në procesin integrues është kapja e sistemit të drejtësisë nga politika. Rrjedhimisht, partitë politike duhet të prezantojnë në kuadër të programeve të tyre vizionin e tyre se si do të çkapin sistemin e drejtësisë nga politika”, tha tutje ai.

Shasha, duke komentuar situatën aktuale politike dhe parafushatën zgjedhore, thotë se sa i përket zgjedhjeve, konsideron se zgjedhjet duhet parë si mundësi të tejkalimit të bllokadës së krijuar në kuadër të procesit integrues të Kosovës.

“Rrjedhimisht, duhet shpresuar se qeverisja e ardhshme në Kosovë do të ketë mazhorancën e bollshme parlamentare dhe vullnetin politik për të avancuar proceset e ngecura integruese të vendit, qoftë ato të ndërlidhura me liberalizimin e vizave, apo ato të ndërlidhura me statusin e vendit kandidat. Duhet të shpresojmë se konfigurimi i ardhshëm qeverisës do të ketë vullnet politik për të shënuar progres në dy aspekte: (1) progres në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë; dhe (2) ç’kapja e sistemit të drejtësisë nga politika dhe rrjedhimisht arritja e rezultateve bindëse në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar”, tha Shasha, duke shtuar se vetëm kështu mund të bindim vendet anëtare të BE-së se Kosova meriton liberalizimin e vizave dhe avancimin e rrugës së saj Evropiane.

“Është po thuaj e pamundur që të ketë vendimmarrje pozitive për liberalizimin e vizave gjatë vitit 2019. Rrjedhimisht i gjithë procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave pritet të shtyhet për vitin 2020”, përfundon ai.

Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, që tash garon për postin e kryeministrit, disa herë ka kritikuar qeverisjet e deritashme për dështim të liberalizimit të vizave dhe se sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e korrupsionit të lartë në vend.

“S’ka liberalizim pa luftimin e korrupsionit”, ishte shprehur kohë më parë Kurti. Por në këtë parafushatë, Kurti s’e ka përmendur liberalizimin e vizave.

Arlind Manxhuka nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për Koha.net se liberalizimi i vizave do të vije natyrshëm, kur qeverisja e re në krye me Albin Kurtin kryeministër, do të fokusohet në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“LV mendon se një qeverisje e re që do t’i përvishet punës dhe të jetë e fokusuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit natyrshëm do të sjellë liberalizmin e vizave. Kosova nuk duhet të japë territor për vizat, ajo duhet të çkapë shtetin nga këta politikanë që janë të gatshëm të japin gjithçka vetëm që te mbesin vet në pushtet”, i ka thënë portalit Koha.net Manxhuka, zëdhënës për media.

Manxhuka thotë se liberalizimi i vizave nuk është premtim në këto zgjedhje, sepse krejt partitë kësaj radhe, “po kopjojnë premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Premtimet e tyre janë dëshmuar si të rrejshme. Janë pothuajse 10 vite prej kur në fushata zgjedhore është premtuar me data konkrete liberalizimi i vizave, herë pas një muaji e herë pas një viti, por kjo ende nuk ka ndodhur. Madje shpesh kemi dëgjuar nga kryeministri i kaluar tek thoshte se liberalizimi veçse ka ndodhur. E për këtë u dha edhe territor. Por ja ku jemi, afër fundit të vitit 2019, dhe ende qytetarët nuk mund të lëvizin në vendet e Evropës”, thotë Manxhuka duke shtuar se Vetëvendosja, ka qenë gjithnjë pesimiste se me këto qeveri do të arrihej liberalizimi i vizave për aq kohë sa lufta ndaj krimit e korrupsionit ishte kushti kryesor për të lëvizur lirshëm në vendet e BE-së.

“Në njërën anë kishim raportin për vendin i cili çdo vit thotë se shqetësuese, mbetet niveli i korrupsionit dhe kapja e shtetit, ndërkaq në anën tjetër kishim qeveritarët që thonin se liberalizimi do të ndodh brenda pak muajsh e ditësh. Kjo është vërtetë paradoksale. Dhe tash kur nuk ka mbetur më asnjë gënjeshtër për të thënë ky premtim është larguar nga rendi i ditës”, tha tutje ai.

Ndërsa nënkryetarja e AAK-së, tash kandidate për deputete, Magbule Shkodra, i ka thënë portalit Koha.net se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arsye pse në këtë parafushatë s’po e përmend liberalizmin.

“Kemi arsye për të cilat nuk po përmendim tash në fushatë liberalizimin. Ne i kemi kryer të gjitha punët që është dashur t’i kryejmë. Të gjitha kriteret janë përmbushur. Haradinaj, në qeverisjen e vet është kujdesur që të plotësohen të gjitha kriteret. Tash, po na duket e tepërt të flasim. Po presim që edhe Bashkimi Evropian t’i kryejë punët e veta e mos të na mbajë të ndarë, ne jemi pjesë e Evropës”, tha Shkodra.

Shkodra ka shtuar se qëndrimi i AAK-së mbetet i pandryshueshëm.

“Ne e meritojmë liberalizimin e vizave. Ky liberalizim është i vonuar kështu që ne vazhdojmë të qëndrojmë pranë asaj se ne detyrat tona i kemi përfunduar”, tha ajo.

Megjithëse tash s’jep premtime për vizat në këtë parafushatë, Haradinaj ka folur veç kur është pyetur në debatin e organizuar nga Lëvizja Fol. Të enjten, tha se Kosova është në pritje prej Këshillit të Ministrave, dhe është veç opsionale që Kosova të marrë lajmin për vizat para 1 nëntorit.

“Është e vërtetë që Qeveria që kam udhëhequr unë ka pasur dinamikë shumë të madhe për t’i plotësuar kriteret për liberalizim. Nëse e merrni kohën dhe dinamikën qeverisës të fokusimit të pjesës kontraktuale për vizat është kohë rekorde. Tani jemi te Këshilli i Ministrave dhe mundet me hy në rend dite para 1 nëntorit. Është opsionale që me marrë lajmin para Krishtlindjeve. Duhet me vazhdu komunikimin me Francën. Nuk mendoj se ka veto prej dikujt, ose nuk është një situatë e vetos. Mendoj se po vijmë te ajo koha që një e drejtë e munguar kaq gjatë do të ndodh”, tha Haradinaj.

Koha.net ka kontaktuar edhe me partitë tjera në garë për zgjedhjet e 6 tetorit. Nga LDK-ja nuk janë përgjigjur, derisa nga PDK-ja e Nisma-AKR-PD, ndonëse kanë premtuar se do të kthejnë përgjigje, tash e 3 ditë ato s’janë kthyer.

Parë nga një retrospektivë procesin e liberalizimit të vizave, në vitin 2009 kur presidenti aktual Hashim Thaçi ishte kryeministër, kishte premtuar vizat, madje, me një afat rekord brenda 15 ditësh! Ndonëse s’kishte ndodhur, të njëjtin premtim e dha edhe në vitin 2011 e 2013. E në vitin 2015 kur kryeministër ishte Isa Mustafa, edhe ai kishte premtuar se qytetarët e Kosovës në vitin 2016 do të lëvizin lirshëm pa viza, por as atë vit s’ndodhi. Premtime për liberalizimin e vizave, pa dyshime se dha edhe kryeministri tash i dorëhequr Ramush Haradinaj. Premtimeve i janë përfshirë edhe Behgjet Pacolli, Kadri Veseli e Fatmir Limaj. Bile atë, Haradinaj thoshte se “është çështje javësh” sa ishte kryeministër.

Kujtojmë gjithashtu se çështja e liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka nisur në vitin 2012 por ende s’ka epilog.

Vlen gjithashtu të theksohet se Franca, Holanda e Belgjika, janë vendet të cilat vazhdojnë të kenë dilema në procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët, derisa nga Gjermania, politikanët kosovarë kanë deklaruar disa herë se kanë marrë mbështetjen, apo “PO-në” e Gjermanisë, ashtu siç ishte shprehur Haradinaj sa ishte kryeministër.