Janë bërë 24 vjet që kur paramilitarët serbë kanë masakruar 52 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. Familjari Hysni Berisha thotë se ai nuk është intervistuar asnjëherë nga Prokuroria Speciale, edhe pse e pa gjithë ngjarjen. Shpreh keqardhje që disa dëshmitarë kanë vdekur duke mos pasur mundësinë të dëshmojnë
Një kuti të vogël me lapsa e kishte me vete 10-vjeçari Mirat Berisha, kur ai dhe 51 anëtarët e familjes Berisha u masakruan nga forcat serbe në mesditën e 26 marsit në Suharekë, para njëzet e katër vjetësh.
Mjetet me të cilat ai synonte të ndriste të ardhmen e tij u gjendën në një gropë me mbetje mortore afër fshatit Korishë të Prizrenit, më 1 shtator 1999, gjashtë muaj pas masakrës.
Tani gjësendet e tij dhe të familjarëve kanë mbetur si dëshmi në lokalin ku ata u vendosën me forcë nga forcat paramilitare serbe, e u qëlluan me breshëri plumbash e bomba.
Gjithçka kishte nisur në mëngjesin e 26 marsit, kur forcat serbe rrethuan shtëpitë e familjes Berisha, të cilat ndodheshin 100 metra larg nga Stacioni policor i Suharekës. Njëra nga shtëpitë e kësaj familjeje ishte vendqëndrim për punonjësit e misionit për siguri dhe bashkëpunim, OSBE. Mirëpo, anëtarët e këtij misioni ishin larguar disa javë para se të ndodhte rrethimi e më pas masakra.
Fillimisht në një shtëpi u vranë Fatime, Bujar, Sedat, Faton e Nexhat Berisha, trupat e të cilëve u dogjën bashkë me ndërtesën. Tani aty gjurmë për këtë nuk ka. Shtëpia është kthyer në godinë të re. E, familjarët e tjerë u vendosën me forcë në lokalin i njohur si “Piceria Kalabria”, i cili ishte rreth 70 metra larg shtëpisë e cila u dogj.
Tash lokali është shndërruar në muze. Kushëriri i të vrarëve, Hysni Berisha, 70-vjeçar, qëndron aty çdo ditë për të pritur vizitorët, e për t’iu rrëfyer krejt çka përjetoi atë ditë. Ai ishte pak metra larg vendit të ngjarjes.
“I kanë ekzekutuar nga dera, pasi që kanë bërë ekzekutimin kanë hyrë për herë të dytë, të shohin se kush po jep shenja të jetës dhe ai që ka dhanë shenja të jetës e kanë ekzekutuar, në mënyrën më mizore me plumb në kokë. Pas një kohe trupat i kanë ngarkuar në kamion”, ka rrëfyer ai.
Guximi për të kërcyer nga kamioni u bë rrugë shpëtimi për Gramozin, i cili në atë ditë tmerri ishte tetë vjeç. E ëma, Vjollca, ai dhe gruaja e axhës, Shyhreti, që ishin në kamionin me viktima e që po transportoheshin drejt Prizrenit, ndonëse të plagosur kërcyen për të shpëtuar.
Edhe Mirati dyshohej se ishte i gjallë, por për shkak të plagës në trup nuk pati fuqi të kërcente nga kamioni. E, sot e asaj dite vetëm 25 trupa të familjes Berisha janë gjetur në varrezën masive në Batajnicë të Serbisë.
Gjumin ende nuk mund ta bëjë rehat Hysni Berisha. Ai rrëfen se sa herë i mbyll sytë, i parafytyrohen anëtarët e pagjetur.
“Me të vërtetë emocionet janë të papërballueshme, edhe sot nuk bëj gjumë, vazhdimisht më fokusohen në mendjen time, në trurin tim, gjithmonë ajo që ende ata janë të zhdukur, edhe më duket që komunikojnë mua, e thonë a po interesohet dikush me na gjet", tregon ai me lot në sy.
Muzeu i fëmijërisë së lënë përgjysmë
Biberoni i thyer ia kujton çdo ditë 70-vjeçarit Hysni Berisha fëmijët e vrarë në këtë masakër. U vranë 19 fëmijë, më i vogli Eroni 22 muajsh.
“S’kanë kursyer askënd. Nuk iu ka interesuar nëse janë të vegjël, gra a të moshuar, të gjithë i kanë vra. Madje edhe ishin të neveritur nëse ndonjë fëmijë qante”, ka treguar 70-vjecari.
Gjurmët ku plumbat goditën trupat e familjarëve janë ende të dukshme në muze. Muri me vrima si pasojë e plumbave nuk është prekur. Mbi të është vendosur një xham për ta evidentuar atë që ndodhi. Emrat e 52 familjarëve të vrarë, janë në ballë të lokalit, i cili ndodhet matanë rrugës ku gjendet objekti i Komunës së Suharekës. Fotografitë e trupave të gjetur në Serbi janë të parat që bien në sy. Dy palë këpucë, të vendosura afër banakut, i cili është i mbuluar me pluhur, e shishe të thyera, janë veshmbathjet e vetme fizike që janë të ekspozuara në muze. Aty nuk mungojnë fotografi të veshmbathjeve të tjera që janë gjetur bashkë me trupat e zhvarrosur. Xhaketa prej lëkure, një shami me ngjyrë të kuqe, e pantallonat e gjakosura tregojnë për tmerrin që ata përjetuan. Në një skaj tjetër janë dy batanije të copëtuara, që sipas Hysni Berishës nënat i kanë mbështjellë fëmijët e tyre para se plumbat t’i godisnin trupat e tyre.
Drejtësia që nuk u vendos
Për gjithë krimin e kryer, Berisha, ishte ftuar të dëshmonte në Tribunalin e Hagës gjatë gjykimit ndaj Slobodan Milosheviqit. Por nuk arriti të ballafaqohej me të, pasi disa ditë para se e kishte kohën për dëshmi, Milosheviqi vdiq.
“Ka ardhur prokurori Gefray Nice dhe më ka thënë zotëri, Berisha i akuzuari është i sëmur, i kanë dhënë mjekët pushim mjekësor nuk dihet se sa do të zgjasë, e ti duhesh të shkosh te shtëpia të takosh familjen tënde. Ti shko dhe qetësohu, e ne nuk do ta lëmë të vdesë, më tha”, tregon ai. “Kur e takova më vonë prokurorin i thashë, megjithatë e latë të vdesë”.
Për masakrën në Suharekë dhe të tjerat, në Hagë janë dënuar gjashtë serbë. Vlastimir Gjorgjeviq, Nikola Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Sreten Lukiq janë të dënuar me nga 18 deri në 22 vite burgim.
Departamenti për Krimet e Luftës në Gjykatën e Qarkut të Beogradit, i cili u themelua për hetimin e krimeve të kryera në Kosovë, ka dënuar katër persona të përfshirë në këtë masakër.
“Gjykimi nuk ishte i drejtë, tetë persona kanë qenë duke u hetuar, vetëm katër janë dënuar. Ndërsa Radojko Repanoviqit, komandant i Stacionit policor të Suharekës, duke ia ulur dënimin, përgjegjësinë për veprat ia bartën disa policëve të rangut më të ulët”, ka thënë Berisha.
Për mungesën e rezultateve për të vendosur drejtësi, në Prokurorinë Speciale nuk kanë dhënë sqarime.
E, misioni ndërkombëtar për sundimin e ligjit, EULEX, i cili kishte mandat ekzekutiv deri në vitin 2018, për mosndëshkimin e kryerësve të masakrave, është arsyetuar me ikjen e tyre nga Kosova.
“Deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, misioni nuk ishte në gjendje të procedonte me shumë raste për krime lufte që supozohej se ishin kryer nga individë të përkatësisë etnike serbe, pasi shumë nga këta të dyshuar kishin ikur në vendet jashtë Kosovës”, thuhet në përgjigjem e këtij misioni për KOHËN.
Tani që me ligjet në vend lejohet gjykimi në mungesë, në EULEX kanë thënë se është përgjegjësi e institucioneve vendore të vazhdojnë me gjykimin e të dyshuarve.
“Dosjet e lëndëve për këto raste tani janë në duart e prokurorëve të Kosovës, të cilët mund t'i çojnë përpara bazuar në hetimin e nisur nga EULEX-i, si dhe në kornizën ligjore të ndryshuar, e cila tani lejon -në rrethana të caktuara- gjykimin e një të pandehuri në mungesë të tij. Është e rëndësishme të theksohet se krimet e luftës dhe krimet e tjera kundër ligjit ndërkombëtar nuk u nënshtrohen kufizimeve ligjore”, thuhet tutje në përgjigje.
Sot, kutia me lapsa nuk gjendet në muzeun e familjes, por aty si dëshmi për tmerrin, është një foto kur në Batajnicë u gjet trupi i 10-vjeçarit Mirat Berisha bashkë me lapsat.
