Nga përvjetori paraprak i shpalljes së Pavarësisë, Kosova tregoi se është më shumë shtet: Sprapsi agresionin e Serbisë për aneksim të veriut dhe rriti kapacitetet ushtarake, ndërkaq rezultatin kryesor në sferën ndërkombëtare e shënoi me heqjen e izolimit, duke siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve në Zonën Schengen. Megjithëkëtë, brenda një viti, shteti u përball me presionin dhe masat e ndërkombëtarëve shkaku i veprimeve të ndërmarra për forcimin e kushtetutshmërisë edhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, ku kontestohet shtetësia
Kosova mbushi të shtunën 16 vjet shtet. Nga përvjetori paraprak i shpalljes së Pavarësisë, ajo tregoi se është më shumë shtet: Sprapsi agresionin e Serbisë për aneksim të veriut dhe rriti kapacitetet ushtarake, ndërkaq rezultatin kryesor në sferën ndërkombëtare e shënoi me heqjen e izolimit, duke siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve në Zonën Schengen.
Megjithëkëtë, brenda një viti, shteti u përball me presionin dhe masat e ndërkombëtarëve shkaku i veprimeve të ndërmarra për forcimin e kushtetutshmërisë edhe në veriun e banuar kryesisht me serbë, ku kontestohet shtetësia.
Politika e re në raport me veriun dhe Serbinë ka bërë që Kosova të shihet si epiqendër e një konflikti të mundshëm në Ballkanin Perëndimor.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë dhe pozicionimi i vazhdueshëm i ushtrisë së Serbisë përreth kufirit bënë që 25 vjet pas përfundimit të luftës, Kosova të trajtohet si çështje e sigurisë evropiane.
Gati një vit më parë Kosova dhe Serbia u zotuan gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Jo vetëm që nuk pati zbatim të saj, por situata përshkallëzoi me protestat më të dhunshme vitet e fundit në veri dhe një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, si dhe në kundërpërgjigje edhe tre prej rreth 40 sulmuesve.
Zyrtarë të lartë perëndimorë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, së fundi përmendën specifikisht Kosovën si vatër të një konflikti të mundshëm.
Drojën e shtuan edhe udhëheqësit e vendit që kanë denoncuar në vazhdimësi veprimet ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën.
Pas rastit në Banjskë, KFOR-i u përforcua me trupa nga Britania e Madhe, Gjermania e Turqia, dhe katërfishuan patrullimet në veri të vendit.
Paralajmërimet e NATO-s për rrezikun e kthimit të tensioneve në Kosovë shihen si reale dhe bazohen në zhvillimet përreth rajonit.
Veç kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, prioritet për Qeverinë e Kosovës është forcimi i kapaciteteve vetjake.
Procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë (FSK) në ushtri tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.
Në funksion të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, Qeveria pret që në 16-vjetorin e shtetësisë ta bëjë blerjen më të madhe në armatim. Raketa që u bë e njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë, “Javelin”, së shpejti mund të vijë edhe në Kosovë. Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme të 246 raketave në vlerë rreth 75 milionë dollarë.
Paraprakisht nga Turqia mbërritën edhe dronët e parë “Bayraktar” të llojit TB-2, të cilët përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe fituan popullaritet për efektivitetin e tyre kur u dërguan në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas sulmit në Banjskë, prioritet kryesor është ushtria.
“Kemi rekrutuar 1.852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se dy të tretat”, ka thënë ai. “Investimet në armatim janë rritur për 191 për qind”.
Me rrumbullakimin e arkitekturës së sigurisë, Kosova shpreson të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike, e cila për momentin nuk ia njeh FSK-së mandatin e ushtrisë.
Paraprakisht vendi duhet të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, premtim ky qeveritar që nuk u përmbush vitin e kaluar.
Por, Kosova vijoi shterpësinë edhe në anëtarësime të tjera dhe shtim të njohjeve. Njohja e fundit është nga Izraeli, e cila ishte pjesë e marrëveshjes për normalizim ekonomik, që u arrit nën ndërmjetësimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, më 4 shtator 2020.
Në mungesë të njohjeve të reja, fokusi është rikthyer në ruajtjen e atyre që i ka Kosova si pasojë e fushatës së Serbisë për anulimin e tyre.
Serbia nuk i dha fund politikës së vjetër as pas marrëveshjeve që u proklamuan si mundësi ideale për t’u dhënë fund mospajtimeve. Kurti dhe Vuçiqi u pajtuan rreth dokumentit 11-pikësh të BE-së, por munguan nënshkrimet. Sipas marrëveshjes, “palët nuk kanë të drejtë të inkurajojnë të tjerët të bllokojnë rrugën e njëra-tjetrës drejt BE-së”.
Por, kur Kosova deponoi aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 22 maj të vitit të shkuar, marrëveshja u shkel sërish nga ana e Serbisë. Veç votës kundër, Beogradi kërcënoi edhe anëtarët e tjerë që votuan pro aplikacionit të Kosovës.
Me nenin 7 të Marrëveshjes bazë u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit për komunat me shumicë serbe në Kosovë, që vijon të nxisë përplasje të brendshme.
Liderë shtetërorë e pranuan se Kosova bëri lëshime jo të lehta duke paralajmëruar se fjalën e fundit për marrëveshjen duhet ta thotë Kuvendi. Por, veç diskutimeve dhe përplasjeve rreth dialogut mungoi vendimmarrja në institucionin ligjvënës rreth këtij dokumenti.
Krahas kërkesës për shtensionimin e situatës, ndërkombëtarët vazhdojnë ta shohin Asociacionin si çelës për zgjidhjen e problemeve.
Refuzimi i Qeverisë që t’i largojë njësitë speciale nga objektet komunale në veri, pas tensioneve të vitit të kaluar, bëri që BE-ja për herë të parë t’i vendosë Kosovës masa sanksionuese.
Dakordimi për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në këtë pjesë të shtetit u arrit më 10 korrik 2023 në Bratislavë, pas takimit mes emisarit evropian, Miroslav Lajçak, dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Kosova nisi largimin e njësive speciale përreth objekteve komunale dhe u pajtua për mbajtjen e zgjedhjeve të reja atje.
E mungesa e vendimmarrjes nga ana e Bashkimit Evropian për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës u pa si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione të tjera në veri. Rreziku se ato mund të rikthehen vazhdon të përmendet, duke iu referuar vendimeve të Qeverisë, sikurse ai për ndalimin e dinarit të Serbisë.
Për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut konsiderohet i pakuptimtë derisa BE-së po i kërkohet që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit në Banjskë.
Ndëshkimi për Serbinë mungoi e zyrtarë të BE-së janë duke i vazhduar përpjekjet për rikthimin e palëve në tryezën e negociatave.
Polarizimet pushtet-opozitë dhe mungesa e konsensusit e shoqëruan rrugëtimin e deritashëm të shtetësisë.
Problemet me veriun e dialogu me Serbinë vazhdojnë të jenë pika ndarëse dhe karta që përdoren për hesape të brendshme politike.
Me akuzat për prishje të aleancave e mospërfillje të kërkesave të SHBA-së u ballafaqua Qeveria Kurti. E, hendeku në marrëdhëniet mes qeverisë Kurti e aleatit kryesor u konfirmua në disa raste. Së fundi ai u qortua edhe në Seancën e Këshillit të Sigurimit, e cila u thirr me kërkesë të Serbisë pas hyrjes në fuqi të Rregullores së re të BQK-së, që njeh vetëm euron valutë zyrtare në vend.
Në pritje të dakordimit final mes Kosovës e Serbisë, siguria në veri vazhdon të mbetet prioriteti kryesor.
Zbatimi i marrëveshjeve të dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbeten thelbësore për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Në funksion të përmbushjes së synimit që nga akti i shpalljes së Pavarësisë, Kosova më 22 dhjetor 2022 aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE. Por, së fundi Belgjika që kryeson Këshillin e BE-së nga 1 janari i këtij viti e bëri të qartë se shqyrtimi i aplikacionit varet nga përparimi në dialog me Serbinë.
Prej të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë aplikuar për anëtarësim në BE, vetëm Kosova ka mbetur pa status kandidati.
Pavarësisht ngecjes së aplikacionit dhe masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian vazhdon t’i mbajë ndaj Kosovës, qeveritarët në disa raste e kanë përsëritur se kjo nuk ua zbeh përkushtimin në përmbushjen e agjendës evropiane.
Niveli i përmbushjes së kritereve që dalin nga MSA-ja trajtohet edhe në raportin e përvitshëm të Komisionit Evropian. Aty vazhdon konstatimi i përvitshëm për “përparim të kufizuar” në shumicën prej fushave që vlerësohen.
Por, marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi kushtëzon rrugën evropiane me zbatimin e dokumentit. E, zbatimi nuk ka njohur përparim. Autoritetet në Kosovë thonë se tani prioritet është siguria.