Arbëri

Kosova me qëndrim të ndryshëm nga BE-ja e Gjermania për statusin e vendit kandidat

Raporti i BE-së për Kosovën ka bërë bashkë të hënën udhëheqës të institucioneve, përfaqësues të BE-së e të shoqërisë civile. Në diskutimin lidhur me gjetjet e tij, u theksua rëndësia e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Nga ekzekutivi nuk u pajtuan me vlerësimin e diplomatëve për rrugën që duhet ndjekur për anëtarësim. E sipas shoqërisë civile, me ritmin e tashëm të reformave Kosovës do t’i duhen edhe 45 vjet për anëtarësim në BE.

I vështirë është konsideruar integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian, pa u bërë progres në dialogun me Serbinë.

Në tryezën ku u diskutuan gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për këtë vit, nga diplomatët e huaj në Kosovë, është shtruar nevoja e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, tha se sfidë për Kosovën mbesin reformat në administratën publike, në gjyqësor e lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Rohde u shpreh i shqetësuar edhe për mosbashkëpunimin e partive në Kuvend.

“Ne të gjithë e dimë që për derisa janë shtetet që nuk e njohin Kosovën është vështirë të avancohet në dhënien e statusit kandidat. Për këtë është aq e rëndësishme që të depërtohet në proces të normalizimit”, tha Rohde.

Por, për zv.kryeministrin Besnik Bislimi nuk ka asnjë problem që Kosovës t`i jepet statusi i vendit kandidat. Madje, as mosnjohja e shteteve që përmendi Rohde.

Tek foli për raportin, Bislimi e kritikoi atë për mungesë objektiviteti.

“Vonesat në trajtimin e aplikimit të Kosovës po e dëmtojnë shumë BE-në dhe po shtojnë zërat skeptikë kundrejt BE-së brenda qytetarëve të Kosovës. Masat negative të KE karshi Kosovës janë ende në fuqi dhe besojmë që prezenca e këtyre masave në një masë ka pas ndikim edhe në vlerësimin që është bërë në raport”, tha Bislimi.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sipas ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, do të bëhet në bazë të meritave. Ndonëse tha se Kosova ka shënuar rezultate të mira në reformat e nevojshme, shtroi nevojën se duhet bërë ende, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit.

“Të gjitha vendimet në zgjerimin bëhen nga Këshilli i BE-së me unanimitet, që do të thotë jo të gjithë, nuk është me konsensus, por me unanimitet. Duhet të punojmë së bashku, institucionet e BE-së, ato të Kosovës, vendet anëtare, se si të arrihet ky unanimitet për vendimet e mëtutjeshme në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe këtu duhet të them që progresi substancial në dialog është domosdoshmëri”, tha Szunyog.

Në tryezë, nga Instituti EPIK thanë se me ecurinë e progresit të bërë, Kosova dhe Shqipëria kanë performanca më të mira sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Demush Shasha, nga ky institut, tha se nëse trendi i reformave vazhdon me të njëjtin ritëm, Shqipëria dhe Kosova do të jenë vendet e para që do të anëtarësohen në BE, pas 35, përkatësisht 45 vjetëve.