Sipas ekspertëve të komunikacionit, në rast aksidenti automobilistik në Kosovë, kompanitë e sigurimit zakonisht kryejnë vetë vlerësimin e dëmit që do ta paguajnë. Sipas tyre, dëmi nënvlerësohet. Kjo praktikë vlerësimi, konsiderohet në shpërputhje me ato që aplikohen në shtetet e BE-së
Ekspertë të trafikut kanë kritikuar praktikat dhe procedurat e sigurimit të veturave. Sipas tyre, ato as nuk korrespondojnë me mënyrën se si është e rregulluar kjo çështje në vendet e Bashkimit Evropian.
Bekim Ahmeti, inxhinier i komunikacionit, ka ngritur si problem metodën e zhvlerësimit të dëmit për palën e dëmtuar, e cila konsiderohet e pafajshme, pasi sipas tij, mungojnë vlerësues të pavarur nga kompanitë e sigurimit.
“Kur pësoni aksident, rregullohet vetura si palë e dëmtuar dhe jo fajtore, por zhvlerësimin e veturës nuk e llogarisin. Ka instrument matës që e matin ngjyrën e automobilit. Kur bëjnë këtë matje ai vërehet që është ngjyrosur dhe menjëherë i zbret vlefshmëria”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka rikujtuar se sigurimi nuk e mbulon dëmin e shkaktuar, pasi një veturë e riparuar nuk e ka vlerën e njëjtë sikur para aksidentimit.
E Valon Mehmeti nga grupi “Marakli t’kerreve”, ka thënë se problem është edhe koha e kompensimit, në rast se palët nuk janë pajtuar.
“Gjatë kohës që vetura është e prishur, sigurimi nuk bën zgjidhje për ta siguruar një veturë tjetër... Pjesa tjetër është që nëse nuk gjejnë gjuhë mirëkuptimi me kompaninë e sigurimit, procedura mund të zgjasë me vite pasi që shkon përmes gjykatës”, ka thënë Mehmeti.
E Uranik Kryeziu, që punon në një kompani sigurimesh në Gjermani, ka thënë se në këtë shtet të BE-së ekzistojnë vlerësuesit e pavarur e profesionalë.
“Praktika në Gjermani është që në rast aksidenti pala e dëmtuar e ka mundësinë të thërras një vlerësues profesional, i cili është i pavarur dhe bën një vlerësim të dëmit në formë të shkruar. Nëse ne si kompani e sigurimit nuk jemi të kënaqur apo nuk pajtohemi me opinionin, atëherë e angazhojmë vlerësuesin tonë të kompanisë”, ka theksuar Kryeziu.
Autoriteti mbikëqyrës e rregullues për çështjen e sigurimeve është Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Në këtë institucion kanë thënë se me vlerësimin e dëmeve merren personat të licencuar nga BQK-ja
“Vlerësimi i dëmeve mund të bëhet vetëm nga personat përgjegjës brenda siguruesit apo personat e kontraktuar nga të siguruarit apo siguruesit, të cilët janë të licencuar nga BQK-ja për të ofruar një shërbim të tillë”, thuhet në një përgjigje të shkruar të këtij institucioni.
KOHA ka kontaktuar me përfaqësues të disa kompanive të sigurimit, të cilët kanë thënë se ato në bazë të ligjit ofrojnë riparimin e veturës, por në rast se pala e dëmtuar ndahet e pakënaqur me vlerësimin që i është bërë, çështja zakonisht shkon në Gjykatë.