Arbëri

Kërkohet platformë dhe strategji para rinisjes së negociatave

Platformë dhe një strategji për dialog, e cila përmban pikat kyç në këtë proces, është duke kërkuar shoqëria civile. Në kabinetin e kryeministrit Kurti nuk kanë treguar për angazhimet rreth platformës, miratimi i së cilës parashihej edhe në programin e Qeverisë Kurti 1. E, çështja e cila mund ta zbehë entuziazmin e palëve po konsiderohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kundër të cilit është partia që drejton qeverinë

Në pritje të ftesës së Brukselit për vazhdimin e negociatave, Qeveria ende nuk e ka miratuar platformën për dialogun me Serbinë. Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë treguar për angazhimet rreth këtij dokumenti, miratimi i të cilit parashihej edhe në programin e Qeverisë Kurti 1.

Platformën e ka përmendur edhe presidentja Vjosa Osmani, pas një takimi që kishte zhvilluar më 7 prill me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett. Osmani ka thënë se angazhohet për një platformë të mirëfilltë me gjithë spektrin politik, duke cekur se theks të veçantë do t’u japë konsultimeve me opozitën, si dhe përfshirjen e tyre aktive në çështje të interesit të veçantë për vendin.

E, përfaqësues të shoqërisë civile i kanë kërkuar qeverisë që dialogu me Serbinë të mos e gjejë Kosovën pa strategji dhe platformë.

Shasha: Tri elementet e Platformës

Demush Shasha nga Instituti Epik thotë se platforma për dialogun me Serbinë duhet t’i përmbajë së paku tri elemente kyç.

“Elementi i parë dhe ndoshta më i rëndësishëm, cilat janë vijat e kuqe në bisedimet me Serbinë. Duhet të definohet se çka është e papranueshme në negociata me Serbinë, të bëhet e qartë se integriteti, sovraniteti vënia në dyshim e Kushtetutës së Kosovës janë vijat e kuqe. Gjëja e dytë të sqarohet cilat janë parimet e negociatave me Serbinë, pra parimet siç është transparenca, diçka që ka penguar më së shumti dialogun dhe ka penguar krijimin e konsensusit në vend”, ka thënë Shasha.

“E treta, kush do të jetë ekipi dialogues me Serbinë, pra Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kryeministri në nivelin më të lartë duhet ta udhëheqë, por pas tij kush do të jenë ato ekipet teknike dhe si do të zhvillohet dialogu, kush do të jetë nga ekzekutivi, nga opozita dhe kush nga shoqëria civile”.

Edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) u ka bërë thirrje kryeministrit Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që si bashkudhëheqës të politikës së jashtme, t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj çështjeje.

Në një komunikatë të këtij instituti thuhet se vazhdimi i dialogut nuk duhet ta gjejë Kosovën të papërgatitur, pa plan dhe pa qartësi rreth këtij procesi.

“KDI-ja kërkon nga Qeveria në koordinim me Presidencën, që sa më parë ta përgatisin Strategjinë dhe Platformën Shtetërore për Dialogun me Serbinë, ku artikulohen qartë e argumentohen mirë kërkesat e Kosovës lidhur me këtë proces. Konsolidimi i këtyre dokumenteve nuk duhet ta anashkalojë rolin mbikëqyrës të Kuvendit në këtë proces të rëndësishëm shtetëror, duke garantuar bashkërendim të institucioneve, gjithëpërfshirje, llogaridhënie dhe transparencë”, thuhet në komunikatën e tyre.

KDI-ja, po ashtu, ka ftuar bartësit e këtij procesi, që krahas hartimit të Strategjisë dhe Platformës për Dialogun, të ndërmarrin hapa konkretë drejt arritjes së konsensusit të gjerë politik për dialogun.

“Në këtë drejtim, kryeministri dhe presidentja, konform përgjegjësive të tyre kushtetuese duhet të iniciojnë dhe t’i kontribuojë ndërtimit të konsensusit politik lidhur dialogun. Ndërsa, subjektet opozitare duhet të jenë të përgjegjshme për arritjen e konsensusit për këtë çështje të interesit shtetëror, duke treguar përkushtim dhe konstruktivitet në tejkalimin e pengesave në arritjen e pajtueshmërisë”, kanë thënë në KDI.

Referuar programit të Qeverisë Kurti 1, tek pjesa e dialogut ishte thënë se angazhimi do të jetë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut dhe në frymën e parimit të reciprocitetit.

Aty parashihej edhe miratimi i një platforme për dialog dhe miratimi i saj në Kuvendin e Kosovës, me synim arritjen e 2/3 të votave.

Por në programin prej 52 faqesh për zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka përmendur fare dialogun me shtetin serb.

E, çështjet të cilat qeveria zotohej t’i negocionte janë të pagjeturit, reparacionet e luftës, suksesimit të ish-Federatës Jugosllave në të cilën Kosova ishte element konstituiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis shteteve.

Mbështetur në programin e Qeverisë Kurti 1, temë e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë çështje që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit, me rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit.

Po ashtu, është përjashtuar krijimi i një pushteti të tretë administrativ për vendbanime me popullsi të veçanta etnike, se është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Mospajtimet rreth Asociacionit

Por çështja e cila mund ta zbehë entuziazmin e palëve për një marrëveshje finale po konsiderohet Asociacioni i komunave serbe, kundër të cilit është subjekti që udhëheq me qeverinë.

Demush Shasha vlerëson se Asociacioni është obligim, të cilin Kosova e ka marrë përsipër ta zbatojë dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese duhet të dalë me një opsion për organizimin e tij.

“Nuk duhet të frikësohemi përderisa është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, e tek e fundit është i paraparë si i tillë edhe në kuadër të Pakos së Ahtisarit, ku jepen të drejta për serbët në fushën e bashkëpunimit me Serbinë, sa i përket kulturës, arsimit...”.

“Me një anë është e qartë se Serbia nuk pret ngritjen e një Asociacioni që duket si OJQ. Në anën tjetër, e qartë se Kosova nuk do të lejojë ngritjen e një asociacioni që ka elemente të një pushtetit të tretë. Mes këtyre dy ekstremeve, ekziston një mes i cili mund të definohet pasi që Kosova do ta propozojë atë model organizativ të Asociacionit që është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova duhet ta hartojë statutin, ta prezantojë në Bruksel dhe më pas Serbia do të ishte në defansivë duke thënë se nuk është e kënaqe. Për momentin ne jemi në defansivë, sepse duhet jetësuar hapat për obligimet që janë marrë në Bruksel”, ka thënë Shasha.

Themelimi i këtij mekanizmi vazhdon të jetë edhe kërkesë e Bashkimit Evropian, duke rikujtuar se Kosova ka marrë obligime në marrëveshjen e prillit të vitit 2013, si dhe marrëveshjen e parimeve të Asociacionit më 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese pati konstatuar shkelje në të shtatë kapitujt e asaj marrëveshjeje, duke kërkuar që përmirësimet e nevojshme të bëhen me rastin e draftimit të statutit.

Duke iu përgjigjur deklaratës së Bashkimit Evropian, ku është ritheksuar se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë më herët se mund të ketë asociacion të komunave të Bjeshkës së Rugovës apo maleve të Sharrit, por jo asociacion një etnik.

Qeveria pati paraparë edhe një rishikim të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, me qëllim të analizimit të shkallës së zbatimit të tyre nga ana e Serbisë, dhe siç thuhej, në bashkëpunim me BE-në, të shtrohen këto çështje në tavolinën e dialogut.

Aktualisht nuk dihet se kur do të rinisin takimet e nivelit të lartë. Por në letrën e tij dërguar Kurtit, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell, ka thënë se me dëshirë do ta presë për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejt të jetë e mundur dhe se qëndron fort i vendosur për t’i ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.