Në raportin e fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës, është njoftuar për një sulm seksual dhe për një tentim rrëmbimi të një vajze. Sociologët kërkojnë angazhim të madh edhe të institucioneve e edhe të shoqërisë, me qëllimin për ta ndërruar situatën. E në EULEX shtrojnë nevojën për më shumë fushata vetëdijesimi dhe kujdes të shtuar institucional ndaj viktimave të dhunës seksuale
Raportim për raste të ngacmimeve të vajzave dhe grave ka pas edhe gjatë ditës së mërkurë. Në raportin 24-orësh, Policia ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari për sulm seksual dhe ka treguar për tentimin e dy personave për ta rrëmbyer një vajzë.
Sociologu Jeton Brajshori ka thënë se shpeshtimi i rasteve sjell shqetësimin se kjo problematikë ka nisur të shndërrohet në normalitet në shoqëri. Ai kërkon angazhim të madh edhe të institucioneve e edhe të shoqërisë, me qëllimin për ta ndërruar situatën.
“Duhet prindi të ulet dhe të flasë ndoshta më shumë me djalë sesa me vajzë, t’i shpjegojë se si shkojnë gjërat shoqërore, se si mund të ketë ndikim, se si mund të prishin personalitetin e ndokujt, atëherë që nga familja, pra ku është baza duhet të fillojmë më pas në shkollë, në konsultime të shumta me mësimdhënës, me psikologen e shkollës të konsultohet për gjithçka dhe të ketë fushata sensibilizuese sa i përket dhunës ndaj femrave, të ketë një kampanjë shtetërore, e cila do t’i përfshinte të gjitha dukuritë negative që janë bërë dhe pasojat që mund të vijnë më vonë”, ka thënë Brajshori.
Në Ministrinë e Arsimit thonë se për edukimin seksual kanë hartuar doracakë ndihmës për mësimdhënësit e tri niveleve të arsimit.
“Edukimi seksual në shkolla është përcaktuar të realizohet përmes fushave kurrikulare: Shkencat e natyrës, shoqëria dhe mjedisi, dhe edukata fizike, sportet dhe shëndeti dhe përmes programeve mësimore të lëndëve të këtyre fushave, në harmoni me mundësitë psiko-fizike të nxënësve. Në arsimin fillor –si çështje ndërlëndore (realizimi bëhet përmes disa lëndëve). Arsimi i mesëm i ulët dhe i lartë, me fokus në lëndën e biologjisë, por trajtohet edhe përmes fushave të tjera”, kanë thënë nga Ministria e Arsimit në një përgjigje me shkrim.
Në Ministri thonë se i kanë në zbatim politikat e hartuara për parandalim dhe referim të dhunës brenda institucioneve të arsimit parauniversitar, sipas legjislacionit në fuqi.
Por, krahas komponentit të edukimit, është kërkuar më shumë punë edhe nga institucionet e drejtësisë. Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachan, ka folur për një fushatë, që për qëllim ka ruajtjen e provave pas dhunimit. Ka treguar se kjo kampanjë do të zhvillohet online përmes mediave dhe rrjeteve sociale, si dhe përmes vizitës së shkollave së bashku edhe me Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore po zhvillojmë fushatën ‘Ma thuaj me kohë’ për rëndësinë e mbledhjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale. Kjo do të thotë se ne po e inkurajojmë viktimën e dhunës seksuale të mos i lajë dhëmbët, të mos bëjë dush, të mos i ndërrojë rrobat, të mos pastrohet, në mënyrë që të mblidhen provat biologjike. Ne duam të shohim sanksione dhe ndëshkime efektive. Ne gjithashtu besojmë se duhet të ketë trajnime të specializuara për Policinë, Prokurorinë e dhe për gjykatat, në mënyrë që ata të zbatojnë një qasje më të fokusuar në viktima dhe të jenë në gjendje t’i mbledhin dhe t’i vlerësojnë provat në mënyrën më të mirë për viktimat”, ka thënë Lachan për KOHËN.
Lachan tutje ka thënë se në kuadër të raportit monitorues lidhur me vlerësimin e trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, kanë analizuar 36 aktgjykime me lirime dhe dënime të ulëta. Këtë dukuri e ka quajtur dekurajuese për raportimin e rastit nga viktimat.
Viktimat e dhunës seksuale shpesh janë viktimë e paragjykimit, meqë autoritetet nuk bëjnë mjaftueshëm për t’ua ruajtur privatësinë. KOHA ka kërkuar nga Policia informacione mbi masat e marra mbi konfidencialitetin e informatave për viktimat, e edhe për çështjen e policëve në lagje, por kanë munguar përgjigjet.
“Policia e Kosovës i trajton me seriozitet të lartë të gjitha rastet, duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale. Ndër vite Policia ka realizuar edhe fushata vetëdijesuese me qëllim të inkurajimit të viktimave për t’i raportuar të gjitha rastet, veçanërisht rastet e ndjeshme si dhuna seksuale, dhuna në familje etj., e që përveç punëve operacionale, gjithashtu objektiv i Policisë ka qenë parandalimi dhe reduktimi i rasteve të tilla”, kanë thënë nga Policia.
Sipas të dhënave të Policisë, në shtatëmujorin e parë janë raportuar gjithsej 41 raste dhunimi. Rasti më i fundit ishte ai së shtunës mbrëma, ku një vajzë 11-vjeçare ishte dhunuar nga pesë persona. Policia ka njoftuar se të dyshuarit janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit.