Një premtim të madh e kishte dhënë para shumë viteve kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, në Kijevë të Malishevës.
“Nëse gjatë luftës Kijeva ka qenë vendi më me rrezik në botë, unë u them tash se Kijeva do të jetë komunë, dhe do të jetë momuna më e bukur e Republikës së Kosovës”, kishte premtuar Thaqi para qytetarëve të tubuar në oborrin e shkollës së mesme.
Ai kishte veçuar se “Kijeva bëhet komunë për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë partiake”, së këndejmi kishte kërkuar mbështetjen e gjithë spektrit politik lokal për vendimin.
Thaçi kishte deklaruar aso kohe se “formimi i kësaj komune nuk lidhet aspak me fushatën elektorale”, e cila ishte në prag.
Ishte maji i viti 2014 kur Thaçi lëshoi këso deklarata duke i entuziazmuar banorët e Kijevës.
Shtatë vjet më vonë Kijeva ka mbetur një fshat i rëndomtë, me hallet dhe preokupimet e përditshmërisë si shumica e fshatrave të tjera.
Zenel Berisha nga Grupi Nismëtar për themelimin e Komunës së Kijevës thotë se procesi ka stagnuar.
“Prej takimit të fundit qe kishim në shtator të vitit 2016 me Bajram Gecajn, ish zv.ministër i Pushtetit Lokal. nuk kemi pas më takime edhe gjithçka ka stagnuar”, ka thënë Berisha për KOHËN. “Gecaj na pat thënë se është kërkesa më serioze prej të gjitha kërkesave për komuna, ajo e jona, por prej atëherë nuk ka lëvizur më asgjë”.
Kijeva me rrethinë kishte themeluar më 2014 Grupin Nismëtar për Rithemelimin e Komunës së Kijevës, pasi Kijeva e ka pasur statusin e komunës në fillim të shekullit të kaluar dhe deri ne vitin 1924. Komuna në Kijevë ishte rikthyer gjatë Luftës së Dytë Botërore, kurse nga viti 1946 e deri më 1960 ishte njësi administrative.
Në mars të vitit 2014 banorët e Kijevës dhe të fshatrave përreth u bashkuan për rithemelimin e Komunës së Kijevës. Më datë 17 Mars 2014 Grupi Nismëtar hapi edhe zyrën e vet në Kijevë!
“Misioni i Komunës së re të Kijevës është që përmes një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë qytetarët, ndërmarrësit dhe organizatat shërbyese të mbroj, të ruaj, të promovoj dhe të përparoj kualitetin e jetës së qytetarëve të vet, të krijoj një ambient ku do të mbizotëroj transparenca, afërsia dhe mendimi i lirë për tërë komunitetin në frymën e tipareve demokratike, të ofroj një qeverisje lokale të hapur e cila i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të popullatës, të inkurajoj dhe të promovoj mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerave kulturore”, thuhej nga Grupi Nismëtar.
Në Komunën e Kijevës parashihej përfshirja e rreth 20 fshatrave të rrethinës.
Në të njëjtën periudhë kohore statusi i komunës ishte premtuar edhe për fshatin Rogovë të Gjakovës dhe disa fshatra të tjera, nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.
Kryetari aktual i fshatit Rogovë, Islam Gashi thotë se asnjë hap nuk është bërë drejt realizimit të kërkesës së banorëve për komunë. Gashi ka treguar se në periudha të caktuara në të kaluarën, Rogova ka qenë komunë dhe se është një qendër e njohur administrative. Ai ka bërë thirrje që çështja e formimit të komunave të reja, e në këtë kuadër kjo e Rogovës, të riaktualizohet dhe të marrë formën zyrtare.
Teki Shala nga Rogova, që në zgjedhjet e sivjetme ka qenë kandidat për kryetar të Gjakovës nga radhët e LDK-së, ka treguar për KOHËN se pas kërkesës nga fshati Rogovë, MAPL kishte bërë një elaborat për themelimin e komunës së Rogovës duke mbledhë të dhënat nga komunat e Prizrenit dhe Gjakovës për kadastër, arsim, shëndetësi, banorë etj.
Në Has ishin bërë edhe debate publike, organizuar nga MAPL, ku procesit i kishte prirë zv.ministri, Basri Musmurati.
Pas debateve kishte ardhur edhe deri te disa pakënaqësi nga fshatrat e Hasit të cilët janë ankuar pse komuna të kishte selinë në Rogovë. Kjo kishte bërë që kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi të premtonte edhe një komunë, për fshatin Gjonaj të Hasit pasi kishte mbajtur dy takime me banorët e fshatrave të Hasit.
Teki Shala kujton se në vazhdën e zhvillimeve për formimin e komunave të reja atë kohë ishte përgatitë projekt propozimi mbi ndryshimin e Ligjit mbi Kufijtë Administrativ të Komunave, me ndryshimin, për formimin e komunave të reja.
Dokumenti sipas tij ishte dërguar në Kuvendin e Kosovës për miratim, por ishte tërhequr më pas nga Qeveria.
Shala mendon sot se "premtimet e ish kryeministrit Thaçi për komuna të reja ishin puro elektorale".
Nexhmedin Shala, një banor i fshatit Rogovë ka thënë të shtunën për KOHËN se ky fshat e meriton statusin e komunës si për nga numri i banorëve ashtu edhe nga pozita gjeografike. Ai ka treguar edhe vendin ku ka qenë selia e Komunës së Rogovës në të kaluarën, afër xhamisë së fshatit, ku tash qëndronin objekte biznesore
Ai së bashku me disa banorë që po qëndronin afër xhamisë, kanë kërkuar që të riaktivizohet kjo nismë dhe Rogova ta ketë statusin e komunës.
Ndërkaq Zyrafete Berisha, 23-vjeçare nga Rogova ka thënë për KOHËN se atë nuk e brengosë shumë statusi zyrtar, por gjendja faktike e lokalitetit ku jeton.
“Edhe pse s’jemi komunë zyrtarisht, asgjë s’na mungon”, ka thënë ajo të shtunën.
KOHA ka provuar të marr një qëndrim rreth kësaj teme edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por ndonëse nga Ministria janë kërkuar pyetjet me shkrim, nga ky institucion nuk kanë ardhur përgjigje në pyetjet rreth fatit të kërkesës konkrete të banorëve të Kijevës së Malishevës për statusin e komunës. MAPL nuk ka dhënë përgjigje edhe se ku kanë ngecur procedurat në këtë rast konkrete.