Anëtarët e kabinetit qeveritar në detyrë, që janë edhe deputetë, nuk ndjekin praktikën e njëjtë në lidhje me vendimmarrjen në ekzekutiv. Disa kanë firmosur akte nënligjore, e disa jo. Juristi Yll Zekaj vlerëson se të gjitha vendimet e ekzekutivit para vendimit të Supremes janë valide për aq kohë sa nuk atakohen në gjykatë, por thotë se veprimet e ministrave duhet të ndryshojnë.
12 akte nënligjore janë nxjerrë nga Qeveria e ministritë përkatëse që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Prej tyre, tri figurojnë se janë nënshkruar para zyrtarizimit të rezultateve zgjedhore.
Nga nëntë të tjerat, gjashtë janë nënshkruar prej deputetëve që mbajnë edhe postet ekzekutive, si kryeministri Albin Kurti e ministrat Xhelal Sveçla, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Hajrullah Çeku, ndërkaq një është nënshkruar nga ministri në detyrë, Liburn Aliu, që nuk ka garuar për deputet.
Të martën, Gjykata Supreme shfuqizoi udhëzimin administrativ të nënshkruar nga ministri Murati, me arsyetimin se nxjerrja e tij nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Juristi Yll Zekaj konsideron se aktet nënligjore të nxjerra para aktgjykimit të Supremes janë valide, përderisa nuk ka vendim tjetër. Sipas tij, praktika nuk duhet ndjekur pas publikimit të aktgjykimit.
“Besoj që qeveria duhet ta ketë parasysh këtë vendim dhe të mos marrë më asnjë akt juridik, i cili nuk i takon nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, që thotë se duhet të merren vetëm ato veprime të domosdoshme deri në zgjedhjen e një qeverie që ka mandat të plotë për marrjen e vendimeve”, theksoi Zekaj.
Vendimet e ministrive që drejtojnë nuk i kanë nënshkruar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia e ai i Bujqësisë, Faton Peci.
E ndonëse emri i ministres në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, figuron në udhëzimin administrativ të publikuar në gazetën zyrtare më 14 prill, në këtë ministri thanë se kohëve të fundit dokumentet janë nënshkruar nga zëvendësministri Taulant Kelmendi.
“Nënshkrimi i të gjitha dokumenteve nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit bazohet në legjislacionin në fuqi. Gjatë periudhës së fundit, vendimet, aktet dhe dokumentet janë nënshkruar nga zëvendësministri Taulant Kelmendi”.
Dallimet në veprime mes ministrave të kabinetit qeveritar, Zekaj thotë se reflektojnë moskoordinim brenda ekzekutivit.
“Kjo tregon se ka moskoordinim për zbatimin e ligjit në mes të anëtarëve të Qeverisë, i është lënë në diskrecion të ministrave nëse dojnë të zbatojnë ligjin apo të mos e zbatojnë. Kështu që nuk ka kontroll mbi ministrat nga kryeministri dhe zv.kryeministrit e ishte dashur të kenë”, deklaron Zekaj.
Në lidhje me dallimet në veprime mes ministrave të kabinetit qeveritar, përgjigje nuk kanë kthyer nga Qeveria. Zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë treguar as se si do të veprohet pas aktgjykimit të Supremes, ndonëse janë dhënë paralajmërime se ai do të atakohet në Kushtetuese.
Për nënshkrimet e akteve nënligjore janë pyetur edhe ministritë përkatëse, por as ato nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së premtes.