Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, ka thënë se rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A” mund ta nxjerrë Kosovën nga kriza energjetike, për të cilën e ka fajësuar politikën.
Sipas tij, sektori i energjisë kërkon konsensus politik, pa të cilin vendi do të vazhdojë të përballet me reduktime të ashpra.
Kosova, sipas tij, këtë krizë energjetike nuk do ta kishte sikur ta zhvillonte projektin e Termocentralit “Kosova e Re”.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Çeku ka thënë se Kosova ka pasur mundësi të evitonte krizën sikur të mos ishin politikat e gabuara.

“Këto janë politikat e gabuara që janë bërë nga qeveritë, të cilat nuk e kanë lejuar zhvillimin e projektit të termocentralit ‘Kosova C’, dhe duke larguar katër konsorciumet e mëdha botërore të asaj kohe, të cilët kishin konkurruar për ndërtimin e blloqeve për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova C’, që më vonë e ndërruan emrin dhe e bën ‘Kosova e Re’. Po ashtu e ndërruan edhe projektin në tërësi dhe kjo bëri që të largohen nga Kosova investitorët që ishin të fuqishëm.
Kosova humbi rastin që të ndërtojë termocentrale të reja, që në atë kohë kishin mbështetje edhe të Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian. Banka Botërore ndau fonde, u dhanë garanci bankare për zhvillimin e sektorit të energjisë. Vendet e Bashkimit Evropian mbështetën zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë. USAID bëri një punë të madhe, dërgoi ekspertët më të mirë të fushës së energjisë dhe u bë një ekip i jashtëzakonshëm për ndërtimin e termocentralit, por termocentrali nuk u ndërtua”, ka thënë ai.
Fajtori është te politika, sipas tij.
“Zhvillimet politike që u bënë më vonë e eliminuan ndërtimin e termocentralit dhe bënë që Kosova të jetë një nga vendet më të varfra në fushën e energjisë. Investitorët nuk pranojnë lojëra politike në sektorin e energjisë. Veprimet politike e dëmtuan Kosovën. Asnjë mandat qeveritar nuk mjafton për të zgjidhur problemin e sektorit të energjisë, prandaj kërkohet një qëndrueshmëri në projekt, kërkohet një politikë e përbashkët e Qeverisë dhe Parlamentit. Energjia kërkon përkushtim, profesionalizëm dhe jo politikë. Nuk mund ta zhvillosh sektorin e energjisë, nëse nuk arrin një konsensus politik. Pa një konsensus politik, sektori i energjisë do të mbetet me linjit të bollshëm, të politizuar skajshmërisht, pa ndërtimin e termocentraleve të reja dhe me reduktime të mëdha. Shpresoj që kjo qeveri ta kërkojë konsensusin dhe të punojë me ekspertë. Për 20 vjet, asnjë kapacitet në fushën e termos nuk është zhvilluar dhe u zhvilluan vetëm disa kapacitet tjera të vogla të energjisë së ripërtërishme. Prandaj kemi këtë situatë të vështirë dhe kjo situatë e vështirë do të vazhdojë edhe për shumë vite, nëse kjo Qeveri nuk e ndërton një koncept për daljen nga kriza”, ka shtuar ai.
Ai ka akuzuar edhe Qeverinë Kurti për “vazhdim të avazit të gabimeve që kanë bërë qeveritë e kaluara”.
“...ku po intervenon me mjete financiare të kohëpaskohshme për ta blerë paqen sociale. Energjia nuk duron paqe sociale, ajo kërkon investime dhe kërkon ekip të ekspertëve për të zhvilluar projektin”, ka shtuar ai.
Sipas tij, dalja nga kriza mund të bëhet nëpërmjet rehabilitimit të blloqeve të “Kosovës A”.
“Nëse investohet në blloqet e ‘Kosova A’, ne mund t’i kemi pesë blloqet në veprim që mund t’i kemi 800 megavatë energji elektrike vetëm nga ‘Kosova A’. Po ashtu, ne duhet urgjentisht të investojmë në sektorin e minierës, sepse jemi në fazën e fundit të shfrytëzimit të minierës, prandaj duhet të hapen miniera të reja”, ka thënë ai.
Sipas tij, me një plan strategjik të veprimit në periudhë afatmesme tre-katër vjeçare, Kosova mund ta eliminojë problemin e energjisë.