Vepra dhe puna e tij do të vazhdojnë të mbeten udhërrëfyese për ne, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas homazheve që ka bërë te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 16-të të vdekjes. Vlerësim të lartë për kontributin e Rugovës ka dhënë edhe kryeministri Albin Kurti. Edhe para se të ishte president, sipas Kurtit, Rugova ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist. E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar atë si “njeriu i madh i historisë së Kosovës”
Me vlerësimin e lartë për kontributin e tij intelektual e patriotik është përkujtuar ish-presidenti i Kosovës dhe lider i LDK-së, Ibrahim Rugova, në 16-vjetorin e vdekjes. Liderë institucionesh e kryetarë partish kanë bërë homazhe te varri i tij, të premten, ndërsa kanë folur për angazhimin e tij në projektin e shtetndërtimit.
Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur Rugovën arkitekt të pavarësisë.
“Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por i gëzojmë edhe këto miqësi që me aq shumë mund i ndërtoi presidenti Rugova për shkak të punës së tij dhe të shumë burrave e grave të tjerë që punuan që ne sot ta kemi shtetin dhe ta kemi lirinë, prandaj kujtimi për të do të jetojë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës përjetësisht, ndërkaq vepra dhe puna e tij do të vazhdojmë të mbeten udhërrëfyese për ne, përderisa përpiqemi që në procesin e shtetndërtimit ta bëjmë Kosovën sa më të fortë dhe sa më të begatë”, ka thënë Osmani.
Kurse kryeministri Kurti e vlerësoi Rugovën dhe për atë tha se ishte para se të bëhej president.
“Doktor Ibrahim Rugova edhe para se të ishte president ishte intelektual i angazhuar, njeri paqësor dhe i qetë, racional dhe humanist. Ai dha kontribut tejet të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore dhe gjithashtu në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Në nder të ish-presidentit Rugova homazhe ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e anëtarë të kësaj partie. Ai tha se Rugova mbetet patriot i papërsëritshëm dhe i cili, sipas tij, dha vizionin e ardhshëm të Kosovës.
Pas përfaqësuesve të LDK-së, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova ishin për homazhe edhe përfaqësues të listës “Guxo”. Faton Peci, ministër i Bujqësisë, tha se kontributi i presidentit Rugova ka qenë vendimtar në krijimin e unitetit mbarëshqiptar.
Ish-presidentin Rugova e ka vlerësuar lart edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se urtësia dhe filozofia politike e presidentit Ibrahim Rugova mbeten ndër modelet më të avancuara të të bërit politikë.
“Unë kam përfituar shumë, sepse në një fazë të shtetndërtimit të Kosovës kemi bashkëpunuar ngushtë. I përjetshëm kujtimi për presidentin historik Rugova”, ka shkruar Haradinaj.
“Njeri i madh i historisë së Kosovës” ka qenë vlerësimi që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë ish-presidentit Ibrahim Rugova, derisa e ka kujtuar atë në 16-vjetorin e vdekjes.
“Në këtë ditë të ngarkuar emocionale të vitit kujtojmë edhe njeriun e madh të historisë së Kosovës, udhëheqësin më atipik ndër të shquarit e historisë sonë, presidentin e parë të shtetit tjetër të pavarur të shqiptarëve, Ibrahim Rugova, i cili u nda nga jeta sot e 16 vjet më parë, por në çdo vit që kalon ylli i tij rritet në qiellin e kujtesës sonë kombëtare”, ka shkruar Rama.
Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u konfirmua lider politik i Kosovës në dy palë zgjedhje të mbajtura në vitet ‘90, përkatësisht më 1992 dhe 1998. Ai është zgjedhur president i Kosovës dy herë edhe pas çlirimit, përkatësisht pas zgjedhjeve nacionale të vitit 2001 dhe atyre të 2004-s.
Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare, ndërsa mbante postin e presidentit.
Në përvjetorin e parë të vdekjes, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë që u jepet figurave historike.