Profesori në Fakultetin e Mjekësisë, Kreshnik Hoti, në Express Intervistë ka folur lidhur me inteligjencën artificiale për trajtimin e pacientëve, temë për të cilën ai me studiues të tjerë ka punuar një punim që është publikuar në revistën prestigjioze “Nature Medicine”.
Hoti ka thënë se është vlerësuar marrja e terapisë me barna, saktësisht dy lloje të barnave, përmes inteligjencës artificiale. Ai tha se shpreson që ky studim t’i motivojë të tjerë studiues të zhvillojnë të tilla.
“Kemi arritur të shtjellojmë përdorimin e inteligjencës artificiale në aspektin e marrjes së terapisë me barna. Ne kemi përdorur sinjalet pa tela dhe përmes tyre pa asnjë kontakt me pacientin, kemi arritur të vlerësojmë marrjen e terapisë me barna. Është hera e parë që një gjë e tillë është arritur dhe për ta bërë këtë kemi zgjedhur dy lloje të barnave, barna që përdoren shpesh për astmën dhe insulinën që përdorët në diabet”, tha ai.
Sipas studimeve, tha ai, mbi 50 për qind e pacientëve me sëmundje kronike kur përdorën lapsat e insulinës nuk i përdorin siç duhet, e kjo krijon kosto të panevojshme shëndetësore dhe rritë shkallën e hospitalizimeve.
“Kemi përdorur sinjalet pa tela dhe kemi pa si reflektohen përmes trupit të njeriut, sepse trupi i njeriut përbëhet 60 për qind nga uji dhe këto sinjale reflektohen në trupin e njeriut dhe përmes tyre kemi arritur të parashikojmë nëse këta pacientë e marrin terapinë me barna. Kemi arritur të vlerësojmë nëse këta po gabojnë duke e administruar këtë terapi”, ka treguar Hoti.
Hoti ka thënë se Kosova duhet të gjejë mekanizma që bëjnë që mjekët të qëndrojnë e të punojnë brenda vendit dhe jo të ikin jashtë vendit.
“Jemi vend në zhvillim dhe si vend në zhvillim sigurisht merr kohë të arrijmë aty ku dëshirojmë. Fatkeqësisht kemi mjekë që po shkojnë në vendet perëndimore. Më keq është se shkollohen tek ne dhe shkojnë të gatshëm. Duhet si shtet të gjejmë mekanizma ta ndalim këtë trend dhe mekanizma që e kthejnë trurin e Kosovës këtu brenda”, tha ai.