Arbëri

Diploma e llamarintë

Foto: Koha

1.

Një mik dhe bashkëpunëtor imi i atëhershëm kishte për komshi disa mjeshtër të llamarinës që u kishte dalë zëri edhe për rregullimin e veturave të dëmtuara nga ndeshjet. Kur Serbia i mbylli shkollat dhe Universitetin në Kosovë, shtëpia e mjeshtërve të llamarinës u bë me ofertë bujare të mjeshtërve, Dekanati i njërit prej fakulteteve më të mëdha e miku im u bë njëri prej njerëzve më të popullarizuar në qytet. Kishin mbetur disa djem e vajza që i njihnim e që nuk e kishin të kryer fakultetin, disa për shkak të gjendjes politike, disa prej përtacisë e mosdijes, e disa prej kombinimit të dy a më shumë faktorëve, dhe miku im si komshi i llamarinxhinjve ishte në pozicion ideal fizik për të ndihmuar që ky apo ajo ta kalonin këtë apo atë provim. Ustallarët e llamarinës u bënë faktorë të besuar tek njëra apo lënda tjetër universitare. Nga duart e tyre të ushtruara me çekanë e mjete të tjera hekurosëse të metaleve i dorëzoheshin mikut tim indekset me nota kaluese, ndonjëherë edhe më shumë se kaq, për provimet e mbetura për të diplomuar.

Diplomat mund të ishin të llamarinta; se edhe koha ishte e atillë. Kishte një lloj dalldisjeje të veten ajo punë: të shkosh te miku im që ai të shkojë të marrë një diplomë te ustallarët në Kosovën e okupuar prej forcave të Serbisë që dëbonin me të madhe shqiptarët edhe prej punës e edhe prej dheut. Por, kjo dalldisje doli të kishte efekt. Disa prej atyre që morën diplomën e llamarintë u bënë persona publikë, disa u bënë doktorë shkencash, disa prej tyre hynë në njërin prej rrëfimeve më të dashura të një shtrese aspiruese intelektuale kosovare, atij të deklamimit “unë dhe studentët e mi....”. Pra, u bënë profesorë.

2.

Sot është dita e parë e mësimit online, një provë e Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa shikoj në TV fillimin e këtij eksperimenti kam parasysh sallonin e madh të shtëpisë së dr. Fehmi Aganit. Jam në sallon së bashku me anëtarët e tjerë të Këshillit koordinues të partive politike. Këshillin e kryeson dr.Ibrahim Rugova. Shqetësimet e të gjithë neve i adreson me thjeshtësi profesor Agani, me një fjali të thjeshtë:

-Shkollat nuk janë godina.

Dhe, vazhdon elaborimin se shkollat janë sistem mësimdhënieje, janë sistem financimi i asaj mësimdhënieje dhe janë sistem përkrahjeje të plotë shoqërore ndaj tërë asaj përpjekjeje. Ai flet për diçka që tashmë të gjithë ne jemi të bindur, se çështja më neuralgjike për shqiptarët, për ne shqiptarët e Kosovës, është arsimi. Çdo i katërti qytetar i vendit është ose nxënës, ose mësimdhënës; çdo familje ka ose nxënës, ose mësimdhënës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.