Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqësisë së Kosovës (FSBK), ka thënë se bujqit kanë bërë padi ndër vite për disa raste të keqpërdorimeve me subvencionet nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, mirëpo ato siç ka thënë, nuk janë marrë parasysh.
Tahiri ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se bujqit madje edhe janë kërcënuar nga zyrtarë të Policisë së krimeve ekonomike, se mund të burgosen për deklarata të rrejshme.
Kjo sipas tij, tregon për kapjen e shtetit, pasi siç ka thënë, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë nuk e kanë pasur problem që të raportohen në Polici për mitmarrje.
“Kemi bërë padi për një rast të keqpërdorimit të Ministrisë së Bujqësisë. Ajo padi ka shkuar të Prokurori i Shtetit që 12 vjet dhe aty ka mbet. Kemi shkuar në Policinë për krime ekonomike, me disa fermerë që kanë ofruar argumente të keqpërdorimeve të Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk na kanë marrë parasysh, kanë thënë që këto janë deklarata të rrejshme, bile na kanë kërcënuar se mund edhe të na burgosin. Kemi shkuar edhe Te Prokurori i Shtetit, mirëpo ai është fakti që shteti ka qenë i kapur. Ka ndodhur që për shembull, zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë i ka kërkuar 30% mito fermerit që ka dashur të ndërtojë shtallën, ky i ka thënë unë t’i jap paret por të lajmëroj në Polici, ai i ka thënë mi jep t’i paratë e shko më lajmëro ku të duash. Ata kanë qenë të lirë të vjedhin pasi kanë qenë në bashkëpunim me Prokurorinë, Policinë, Gjyqësinë. Shpresojmë që tash ka filluar të ç’kapet shteti dhe të luftohet korrupsioni”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, fermerët madje edhe janë kërcënuar vazhdimisht se nuk do të merrnin grante nëse nuk japin ryshfet.
Tahiri ka thënë se pavarësisht veprimeve të shtetit këtë vit për ta luftuar korrupsionin në bujqësi, personat kryesorë të korruptuar në Ministri të Bujqësisë vazhdojnë të punojnë.
“Përderisa ende nuk është arrestuar kupola e korrupsionit në Ministri të Bujqësisë, aty ka me pas telashe. Ata kryesorët i ka ministri aty brenda. Ne i dimë me emër e mbiemër. Ne së pari kërkojmë që ministri të bashkëpunojë”, është shprehur Tahiri.
Ndërkaq, Shefki Shatri, përfaqësues i bujqve të Istogut, ka thënë se ky vit ka qenë shumë i vështirë për bujqit në të gjithë Kosovën.
Sipas tij, fermerët me vite të tëra kanë qenë të shantazhuar dhe kërcënuar.
“Fermerët me vite kanë qenë të shantazhuar dhe të kërcënuar dhe deri te ajo që nuk dyshoj që ndonjë fermer ka gabuar. Kjo ka ndodhur me vite por krejt fermerët e dinë se çka do të thotë fjala “të shti në listë të zezë” nga ata të cilët i kanë pasur në dorë fondet. Për mua është e pakuptimë që inspektorët me 5-10 vite kanë mbetur me kontratë mbi vepër për t’i inspektuar se si janë shpërndarë subvencionet. Kjo çka po ndodh është duke i sjellë më shumë dëme Kosovës”, ka thënë Shatri.
Ai ka shtuar se fermerët në Kosovë nuk janë të mbrojtur as me ligj dhe as me organe sindikale.
“Fermerët nuk po i mbron askush, në asnjë aspekt. Janë goditur fermerët që natë e ditë janë në arat dhe fermat e tyre”, është shprehur Shatri.
Dhjetëra persona janë arrestuar gjatë këtij viti nën dyshimin për korrupsion në ndarjen dhe marrjen e subvencioneve në bujqësi.
Më 5 dhjetor u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji 31 të pandehurve të arrestuar më 3 dhjetor, në rastin e njohur si rasti “Subvencionet”.