Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit është folur pak për korrupsionin. Më pak edhe është punuar. Pjesë e Qeverisë aktuale u bënë persona me të kaluar kriminale. Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka aktakuzë për konflikt interesi, e zëvendësministri i Shëndetësisë, Pjetër Ndou, është i akuzuar për korrupsion e i dënuar për shitje ilegale të barnave. Gjatë këtij viti në mënyrë spektakolare u vodhën 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, hetimi nisi por ende nuk ka rezultate. Paratë nuk u ngrinë, e askush nuk dha dorëheqje. Pati skandale me punësime të jashtëligjshme e nepotizëm, megjithatë hetuesia nuk u mor me këto raste
Gishtat e një dore mjaftojnë që të numërohen aktakuzat e korrupsionit të profilit të lartë e aktgjykimet dënuese për dy vjetët e fundit.
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit është folur pak për korrupsion. Më pak edhe është punuar.
Edhe pse institucionet e drejtësisë janë arsyetuar se situata epidemiologjike me COVID-19 e ka vështirësuar punën e tyre, rezultatet e munguara të viteve të kaluara nuk flasin për trend në rënie, por për pandëshkueshmeri sistematike nga të gjitha hallkat e hetuesisë e të gjyqësisë.
Java që po shkon ka shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Me pak aktivitete nga Shoqëria Civile, e as me deklarime të përgjegjësve të institucioneve, të cilët detyrë do të duhej ta kishin luftimin e korrupsionit, ka kaluar kjo javë.
Ndërkohë kur gati është fundi i vitit, lehtësisht mund të vihet në peshore puna e institucioneve të drejtësisë. Pak aktakuza dhe me cilësi të kontestueshme kanë arritur në gjykatë. Shqyrtimi i tyre ende nuk ka marrë epilog përfundimtar.
Të pakta kanë qenë rastet e të akuzuarve, të rasteve më të vjetra që kanë dalë në gjykatore. Arsyetim është bërë rreziku nga virusi. Ndërkohë, fajësia e personave publikë është konfirmuar, në dy raste, por vendimet nuk kanë marrë formë të prerë.
Numri i rasteve të hetimeve dhe gjykimeve në regjistrin që monitorohet nga Bashkimi Evropian që njihet si “Track Record” është rritur, por jo edhe aktgjykimet dënuese.
Pa rezultate, sistemi i drejtësisë po e përmbyll këtë vit edhe në fushën e konfiskimeve.
Përderisa për disa vjet vlera e pasurisë së ngrirë ose sekuestruar është rreth 150 milionë euro, kthimi i pasurisë pas aktgjykimeve të plotfuqishme nuk ka arritur ta tejkalojë shumën e 200 mijë eurove.
Pandemia si arsyetim
Vota e Etem Arifit për votimin e Qeverisë Hoti ka qenë vendimtare. Pa votën e tij, votimi i Qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja do të dështonte.
Megjithatë Arfifi, i dënuar për korrupsion, në kohën kur do të duhej të ishte në burg, u bë shkak që Qeveria suksesshëm të formohej.
Arifi më vonë qëndroi në arrati e dikur u dorëzua për vuajtje të dënimit.
Deputeti i pakicave është një nga njerëzit e paktë që është dënuar me burg efektiv.
Shumica e kolegëve të tij, të akuzuar për korrupsion ose janë liruar, ose janë dënuar me kusht. Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Speciale.
Deputeti Arifi dhe një person tjetër akuzoheshin për keqpërdorime me dhjetëra mijëra euro.
Gjykata e Apelit i pati shqiptuar Etem Arifit dënim me burgim prej 1 viti e 3 muaj, ndërsa Bajram Gashit i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 1 viti. Deputeti Etem Arifi dhe Bajram Gashi, drejtori i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, akuzoheshin për përvetësim të rreth 26 mijë eurove. Sipas aktakuzës, Arifi e Gashi subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas, si dhe subvencionet nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e Ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe për persona të tjerë.
Arifi qe rreth 5 vjet është personi i vetëm i profilit të lartë që ka përfunduar në burg.

Shumë më shumë zhurmë ishte bërë për aferën e njohur si “PRONTO”.
Biseda të figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës dolën në publik. Përgjimet e bëra 9 vjet më herët shpërfaqën publikisht formën sesi “rehatohen” militantët e të afërmit e politikanëve në poste të rëndësishme publike.
Aktakuza u ngrit nga Prokuroria Speciale. Aty përfshiheshin ish-deputetë e ish-funksionarë të tjerë të rëndësishëm. Edhe pse ngarkoheshin 11 persona për punësime të shumta, vendimi përfundimtar në këtë rast mori epilog, me të tre të dënuar, përfshirë edhe Adem Grabovcin, por asnjëri nuk u dënua me burg. Është vërtetuar ndërhyrja politike në punësim në vetëm dy raste.
Fare pak u fol për aktakuza për korrupsion këtë vit.
Megjithatë, pak para së të kalonte afati kohor për të akuzuar të përfshirët në aferën e njohur si “falja e hidrocentraleve”, Prokuroria Speciale dorëzoi aktakuzë, e një pjesë e madhe e të akuzuarve ishin ish-ministra në Qeverinë Thaçi 2.
Në prillin e këtij viti u ngrit aktakuzë për 19 persona.
Aktakuza u ngrit katër vjet pas hulumtimit të “Kohës Ditore”, i cili kishte zbuluar se gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut, me çmim rreth 26 milionë euro ishin “falur” katër hidrocentrale, çmimi i të cilave nuk ishte kalkuluar në çmimin e plotë të privatizimit. Katër ish-ministra janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi e Nenad Rashiq. Pjesë e aktakuzës është edhe Lorik Fejzullahu nga Ministria e Ekonomisë. Hidrocentralet, të cilat dyshohet se i janë falur konsorciumit turk janë: ai i Radavcit, Lumbardhit, hidrocentrali në Burim dhe ai në Dikancë.
Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12 milionë euro.
Aktakuza për korrupsion përfshin edhe ish-drejtorin e KEK-ut, Arben Gjuka, Fëllenza Hoxhën, menaxhere në projektin për privatizim, Besnik Hazirin, koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe Krenar Bujupin, anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.
Në aktakuzë të përfshirë janë edhe Bordi i Drejtorëve të KEK-ut të atëhershëm, me përbërje të kryesuesit Fadil Çitaku, dhe katër anëtarë të Bordit: Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi. Pjesë e aktakuzës janë edhe anëtarët e Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim të energjisë. Tre prej tyre janë: Naim Hyseni, Burim Basha dhe Gani Jashari.
Ky hetim ka nisur para rreth 4 vjetësh, e pjesë e tij fillimisht ishin edhe ish-ministrat Bedri Hamza e Fadil Ismajli, por ata ishin futur gabimisht në këtë hetim, pasi në atë kohë asnjëri nga ta nuk ka qenë ministër.
Megjithatë, pak seanca gjyqësore janë mbajtur nga prilli deri me tani. Si arsyetim është përdorur situata me COVID 19.
Aty-këtu Prokuroria Speciale gjatë këtij viti ka ngritur edhe ndonjë aktakuzë tjetër të korrupsionit, por jo të profilit të lartë.
Prokuroria, e cila konsiderohet si hallka që i ka përgjegjësitë më të mëdha për luftimin e “krimeve të jakave të bardha”, i konsideron aktakuza të profilit të lartë edhe akuzat ndaj gjyqtarëve, ani pse një gjë e tillë nuk është e paraparë në bazën ligjore të kësaj prokurorie në klasifikimin e nivelit të korrupsionit.
Një gjyqtar u arrestua e u akuzua këtë vit nga kjo prokurori për korrupsion.
Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të vepronte në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z., prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë eurosh, të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me emigrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z., i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre vjetësh, me kusht që brenda dy vjetëve të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjykimi i Berishës ende është duke vazhduar.
Hiç më mirë për këtë institucion nuk ishin rezultatet as në vitin 2019.
Për 11 muaj nuk ishte ngritur asnjë aktakuzë e profilit të lartë.
Më 30 dhjetor të vitit 2019, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë kundër Nenad Rikallos, ish-ministër i Bujqësisë, Kapllan Halimit, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe ndaj 6 zyrtarëve të tjerë: Shefki Zeqiri, Ekrem Gjogjaj, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindor Krasniqi dhe Albana Zeqiri, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktakuza ishte ngritur pas një hulumtimi që “Koha Ditore” e kishte bërë prej më shumë se dy muajsh, e i cili u publikua në fillim të vitit 2019, ku kishte gjetur një mori shkeljesh që Ministria e Bujqësisë i kishte bërë kur i kishte ndarë grantet.
Janë 14 prokurorë në Prokurorinë Speciale.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në fillim të vitit pati thënë që deri në fund të vitit kalendarik do të shihen rezultatet e punës disavjeçare të Prokurorisë Speciale.
“Nuk duhet me na shqetësu fakti shumë që ndoshta nuk kemi pasë shumë aktakuza të nivelit të lartë, edhe pse kemi pasë. Ju e dini që në muajin dhjetor është ngrit një aktakuzë edhe kundër një ministri, edhe kundër një sekretari, por kemi pasur edhe raste tjera në të cilat janë ndërmarrë veprime të duhura dhe me vendime të prokurorëve janë arrestu shumë persona lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare“, kishte deklaruar Lumezi.
“Hetimet zgjasin dy vjet me mundësi vazhdimi edhe për gjashtë muaj, kështu që ne kemi shumë raste të rëndësishme edhe në PSRK, edhe në Prokuroritë Themelore, edhe në Njësitin në Prishtinë. Kështu që duhet ndoshta të forcohet mbikëqyrja e kryeprokurorëve për trajtimin e këtyre rasteve, por edhe komisionit, kështu që ne gjatë vitit 2020 të dalim me rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit”, pati thënë ai.
Dy dënime, asnjëri i plotfuqishëm

Një pjesë e konsiderueshme e seancave gjyqësore në vitin 2020 nuk janë mbajtur, për shkak të mungesës së hapësirave të përshtatshme për të mbajtur distancën në situatën me COVID- 19.
Megjithatë, në shkallën e parë është arritur të shqiptohen dy aktgjykime dënuese, që prekën profilin e lartë.
Njëra nga to është dënimi për tre të akuzuarit për Fondin 3-përqind rreth 3 dekada pasi ky fond ishte themeluar.
Ish-deputeti i LDK-së, Naser Osmani, e Atdhe Gashi, dikur këshilltar i ish-kryeministrit në ekzil Bujar Bukoshi, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga 3 vjet burgim për dy pika të aktakuzës, të ngritur dy vjet me parë nga Prokuroria Speciale.
Fondi 3 për qind ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve ‘90.
Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil.
Bukoshi është pjesë e aktakuzës së përbashkët me Osmanin e Gashin, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore procesi gjyqësor është veçuar dhe nuk është vazhduar me mbajtjen e seancave.
Isa Mustafa, ish-ministër i Financave i Qeverisë në ekzil, në vitin 2000, në televizionin publik, pati thënë se ky fond kishte edhe 50 milionë marka gjermane.
Megjithatë, dënimi i shkallës së parë kundër Osmanit e Gashit nuk është marrë fare me dyshimet për keqpërdorim të këtij fondi në shpërndarjen e tij.
Akuzat për keqpërdorim në këtë akt akuzues kishin të bënin vetëm me pretendime për keqpërdorim në emër të shpenzimeve në organizatë.
Nga Fondi që ka pasur të hyra milionëshe, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë për shpërdorim të rreth 150 mijë eurove, të cilat Osmani e Gashi, në rast se vendimi do të bëhet i plotfuqishëm, do të detyrohen t’ia kthejnë shtetit.
Një nga figurat e rëndësishme të PDK-së së dikurshme, po ashtu këtë vit është dënuar.
Me dy vjet burgim është dënuar ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, i cili dënim do të ekzekutohej 15 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi.
Buja akuzohej për rastin e njohur si “Ferronikeli”, bashkë me tetë persona të tjerë. Ai akuzohej për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi. Më 2018 ishte dënuar me tre vjet burgim, por rasti i ishte kthyer në rigjykim.
Të dy rastet janë apeluar në Gjykatën e Apelit. Për asnjërin nga rastet nuk ka vendim final.
Nga praktikat e deritashme, një pjesë e madhe e lëndëve të Gjykatës së Apelit kthehen në rigjykim.
Për një gjë të tillë ishte kritikuar në raportin e publikuar disa javë më herët nga EULEX-i.
“Gjykata e Apelit e ka bërë praktikë të zakonshme dërgimin e një numri relativisht të madh të rasteve në gjykatat themelore përkatëse për rigjykim, përkundër nocionit që instrumenti i rigjykimit duhet të përdoret rrallë dhe të urdhërohet vetëm si përjashtim. Arsyeja e kësaj është se rigjykimi ndikon në të drejtat e të akuzuarit për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut”, thuhet në raport.
Një nga personat që dikur ishte pjesë e administratës publike, është Ilir Tolaj, ka gati një dekadë që është duke u përballur me disa procese gjyqësore për korrupsion.
Në fillimin e këtij viti Tolaj është dënuar nga Gjykata e Apelit me 3 vjet burgim.
Megjithatë, pa u përmbyllur viti dënimi kundër tij u zhbë.
Gjykata Supreme e ka kthyer rastin në rivendosje. Ndonëse seanca për rivendosje është mbajtur, vendimi ende nuk është marrë.
Ritmi i punës së gjyqësorit këtë vit po përmbyllet pa asnjë aktgjykim dënues me burgim për asnjë zyrtar të lartë.
Heshtja e skandaleve
Disa ditë pas shkarkimit të Qalajt, ishte shuar Task- Forca Kundër Korrupsionit, në kuadër të Policisë së Kosovës.
Qeveria Hoti është kritikuar shumë nga ndërkombëtarët për këtë vendim. Hoti me pas është zmbrapsur duke mos e shpërndarë njësitin, megjithatë ka shkaktuar telashe në funksionimin e tyre. Nga ky njësit janë hetuar e po hetohen zyrtarë e ish-zyrtarë qeveritarë, një pjesë e tyre nga LDK-ja. Pjesë e kësaj qeverie u bënë persona me të kaluar kriminale. Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka aktakuzë për konflikt interesi, e zëvendësministri i Shëndetësisë, Pjetër Ndou, është i akuzuar për korrupsion e i dënuar për shitje ilegale të barnave.
Gjatë këtij viti në mënyrë spektakolare u vodhën 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit, hetimi nisi, por ende nuk ka rezultate. Paratë nuk u ngrinë, e askush nuk dha dorëheqje. Pati skandale me punësime të jashtëligjshme e nepotizëm, megjithatë hetuesia nuk u mor me këto raste.
Kompania e ministrit Blerim Kuçi mori tender nga Qeveria e Kosovës, deri tani nuk ka ndonjë hetim për këtë rast.
Afera për dhënien e 53 milionë eurove për “Bechtel Enkan” nuk është përmendur këtë vit. Task-Forca e shuar kishte dërguar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër tre personave, dy nga ta ministra në periudha të ndryshme nga radhët e LDK-së e AAK-së, por aktakuzë ende nuk është ngritur.
Nën hije ka mbetur edhe afera për homologimin, edhe pse kishte nisur hetimi, ende nuk ka rezultate konkrete për këtë çështje.
Zvarritja e gjykimeve
Një nga proceset gjyqësore që vitin e kaluar ka lëvizur me shpejtësi më të madhe është rasti i njohur si “Veteranët e Rrejshëm”.
Në vitin 2020 pritej që ky rast të përmbyllej me verdikt së paku në shkallën e parë.
Por shumë seanca patën dështuar të mbahen, e arsyetimet kryesisht lidheshin me situatën e COVID-19. Në disa raste të dyshimtë ishin palët në proces, e krejt në fund në izolim u futën edhe anëtarët e trupit gjykues.
Ndonëse në fund ky proces ka pak gjasa që të marrë epilog këtë vit.
Por zvarritje të mëdha ka pasur në dy raste të rëndësishme të korrupsionit e që janë duke u trajtuar në gjykatë qe disa vjet.
Në janar bëhet një vit prej kur nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore në rastin e Ukë Rugovës.
Përderisa gjatë këtij viti disa herë seancat kanë dështuar për shkak të situatës me COVID-19, në shtator ka qenë një tjetër arsye për dështimin e mbajtjes së seancës.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, lëndën ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve do ta gjykojë gjyqtarja Fatime Dërmaku, e cila me vendim të kryetares së Gjykatës është caktuar në Departamentin për Krime të Rënda.
Në po të njëjtin njoftim thuhet se gjyqtarja Naime Krasniqi- Jashanica, është caktuar në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale. Gjykimi ishte shtyrë për kohë të pacaktuar dhe ende nuk është mbajtur asnjë seancë.
Nga shkurti nuk është mbajtur asnjë seancë as në rastin e njohur si “TOKA”, ku kryeprotagonist është ish-deputeti i PDK-së Azem Syla.
Kohëzgjatja e një procesi gjyqësor në Kosovë është përmendur edhe në një raport të ekspertëve të angazhuar nga Komisioni Evropian. Sipas këtij raporti, shqetësuese është edhe mosefikasiteti i gjyqtarëve në menaxhimin e proceseve gjyqësore.
“Është e rëndësishme të merret parasysh çdo gjë që bën të vonohet procesi gjyqësor. Periudha e arsyeshme e gjykimit do të bëjë që të rritet besueshmëria në sistemin gjyqësor”, thuhet në këtë raport. “Menaxhimi i dobët i gjykimeve kontribuon në procedura të zgjatura. Seancat dëgjimore caktohen në mënyrë të parregullt. Gjykatësit duket se lejojnë shtyrjet e seancave dhe nuk ndërmarrin ndonjë iniciativë për të arritur përfundimin e procesit gjyqësor në kohë të arsyeshme”. Në këtë raport një pjesë e fajit u lihet prokurorëve.
“Fakti që mungesa e prokurorëve shkakton mjaft shtyrje duhet të shihet si një problem që duhet të zgjidhet”, thuhet në këtë dokument.
Ky raport ka identifikuar edhe probleme me zvarritjen e proceseve gjyqësore për faktin që shpesh të akuzuarit mungojnë në seancën e parë.
“Duhet të futet një rregull që edhe nëse i akuzuari nuk është i pranishëm në seancën e parë, procesi gjyqësor mund të fillojë, përderisa i akuzuari është njoftuar për seancën përmes ftesës se rregullt dhe dihet që ai vullnetarisht nuk është paraqitur në gjykatë”, është rekomandim i raportit.
BE-ja dhe Departamenti i Shtetit identifikuan telashet e korrupsionit
Dy raporte kredibile kanë folur gjatë këtij viti për luftën e institucioneve të Kosovës kundër korrupsionit.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka theksuar se organet e drejtësisë kanë dështuar në ndjekjen dhe ndëshkimin e zyrtarëve të profilit të lartë.
“OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare identifikuan dështime të shumta të supozuara nga sistemi i drejtësisë në ndjekjen penale të korrupsionit, duke vënë në pah se vetëm disa raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë rezultuan në aktakuza. Dënimi i zyrtarëve të nivelit të lartë të shpallur fajtorë për korrupsion shpesh ishte i butë”.
Njëjtë edhe Raporti i Progresit për vitin 2019 konstaton gjendjen se “Kosova është në një fazë të hershme/ka një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit”.
Specifikisht përmendet se ka reforma në aspektin legjislativ, por jo praktik.
“Progresi i Kosovës është i drejtuar vetëm në drejtim të reformave të rëndësishme legjislative në fushën e sundimit të ligjit dhe në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë. Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese”.
Sipas këtij raporti në shumë pika të luftës kundër korrupsionit Kosova është në fazë të hershme.
“Sa i përket luftimit të krimit të organizuar, Kosova është në një fazë të hershme dhe progresi i vetëm i arritur është përmes reformave të rëndësishme legjislative në fushën e sundimit të ligjit, në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë dhe në ngrirjen paraprake të pasurisë. Megjithatë, pak progres është arritur në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe ende ka shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare. Masat nevojiten për të siguruar në mënyrë rigoroze se nuk ka ndërhyrje politike në aktivitetet operative të organeve të zbatimit të ligjit dhe prokurorisë”, thuhet aty.
Shumë sekuestrim, fare pak konfiskim
Rezultate konkrete për liberalizimin e vizave parashihte Bashkimi Evropian sidomos në fushën e konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme.
Megjithatë, kjo sipas raporteve vendore dhe ndërkombëtare po konsiderohet si një nga pikat më të dobëta të sistemit.
“Legjislacioni për konfiskimin parasheh mekanizma të ndryshëm proceduralë për subjektet gjyqësore për ta zbatuar sekuestrimin dhe konfiskimin e përkohshëm të pasurisë. EULEX-i ka identifikuar nevojën për përmirësimin e efektivitetit të zbatimit të kornizës së aplikueshme në këtë fushë, pasi ekzistojnë mekanizma proceduralë që nuk janë përdorur gjerësisht. Së pari, shuma e pasurive të konfiskuara është shumë më e ulët se shuma e pasurive të konfiskuara përkohësisht. Në aspektin pozitiv është vërejtur se Prokuroria shpesh përdor konfiskim të përkohshëm të pasurisë. Sidoqoftë, shuma në lidhje me konfiskimin final është krahasimisht shumë më e ulët”, thuhet në raportin e misionit të EULEX-it, të bërë publik rreth 2 muaj më parë.
Të dhëna të përafërta kishte edhe raporti i ekspertëve të Komisionit Evropian, të cilin e kishin përfunduar në fillim të këtij viti.
“Rezultatet e dobëta, janë ilustrim shumë i mirë. Ato e bëjnë të qartë se sa i përket konfiskimit duhet të bëhet shumë përparim”, thuhet në dokumentin e iniciuar nga Komisioni Evropian.
Për gjyqtarët, sipas raportit, është problematik zbatimi i dispozitave ligjore.
“Nuk kuptohen drejt mjetet e ndryshme ligjore, megjithëse (çuditërisht) koncepti i konfiskimit duket se është kuptuar mirë në teori”, thuhet në këtë raport.
Sidomos në këtë pikë është problematike mënyra se si kalkulohet pasuria që pretendohet se është fituar nga aktiviteti kriminal.
“Ka një keqkuptim. Në njërën anë përllogaritjen teorike të pasurisë së fituar nga krimi dhe konfiskimin bazuar në atë llogaritje, e në anën tjetër për mënyrën e sekuestrimit të pasurisë dhe lidhjen e saj të mundshme me krimin”, thuhet në këtë dokument. “Kuptimi ose gatishmëria për të aplikuar konfiskimin është në nivel të ulët, veçanërisht në gjykatë”.
Sipas këtyre ekspertëve, gjykatësit nuk dinë ose nuk janë të gatshëm t’i marrin parasysh provat indirekte. Si çështje problematike ata përmendin interpretimin e legjislacionit nga gjyqtarët – kush e ka barrën e provës për të arsyetuar pasurinë e cila nuk është në linjë me të ardhurat e tyre.
“Barra e provës nuk është e njohur ose e kuptuar mirë (nga gjyqtarët v.j.)... Provat rrethanore janë thelbësore për të provuar këto lloje krimesh, të cilat shpesh tejkalojnë edhe provat direkte. Një kuptim më i mirë i provave rrethanore është urgjencë”, thuhet në këtë raport.
Mungesën e rezultateve në konfiskimin e pasurisë e pati përmendur në një raport edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi.
“Rezulton se nga 133 persona të cilët janë dënuar për korrupsion nga gjykatat në shkallë të parë, ndaj pesë personave është shqiptuar dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit për një periudhë prej dy viteve dhe një viti, kurse ndaj 11 personave gjykatat kanë konfiskuar asete nga kryerja e veprës penale, ku janë përfshirë asete në vlerë prej 5 euro, 10 euro, 20 euro, 50 euro, në një rast 5 087 euro, në një rast tjetër automjete dhe shumën e të hollave prej 2056 euro dhe gjësende tjera”, patën thënë nga kjo organizatë.
Në fillim të këtij viti, megjithatë, pati raste të konfiskimit, por që rrugës për t’u vërtetuar u zhbënë.
Në shkurtin e këtij viti ambasadori amerikan, Philip Kosnett, pati vlerësuar pozitivisht vendimin e Gjykatës së Apelit për sekuestrimin e rreth 1 milion eurove pasuri të paligjshme.
“Drejtësia në Kosovë ka bërë një hap të madh me vendimin e Gjykatës për të konfiskuar afro një milion euro përmes pastrimit të parave. Një porosi e qartë që askush nuk duhet të gëzojë pasuri të paligjshme. Qytetarët meritojnë të shohin angazhim të njëjtë për drejtësi nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha rastet”, kishte shkruar Kosnett.
Megjithatë, gjatë këtij viti kjo lëndë është atakuar në Gjykatën Supreme.
I vetmi rast ku ishte konfiskuar një vlerë e madhe parash është rikthyer në rigjykim nga kjo gjykatë.
Gjykata Supreme e Kosovës me një vendim të datës 15 qershor 2020, ka kthyer në rigjykim lëndën ndaj M.S. dhe F. S. të cilët me vendimin e Gjykatës Themelore dhe të vërtetuar më pas nga Gjykata e Apelit ishin dënuar me burgim me kusht, si dhe iu kishin konfiskuar rreth 1 milion euro.
Kur kanë mbetur edhe rreth 2 javë para përfundimit të vitit, sistemi gjyqësor në Kosovë ka shënuar një tjetër vit pa asnjë dënim me burg e asnjë konfiskim të rëndësishëm të pasurisë së fituar jashtëligjshme.
Në anën tjetër, ky vit është karakterizuar me shkarkime e emërime sidomos në fushën e sigurisë.
Ka dhënë dorëheqje Shpend Maxhuni nga pozita e shefit të AKI-së, në fund të vitit të kaluar, e në fillim të këtij viti në vend të tij është emëruar Kreshnik Gashi, një person i cilësuar si i afërt me PDK-në. Pak ditë para se Qeveria Haradinaj të shkonte përfundimisht, post në AKI mori edhe një nga figurat më të rëndësishme të AAK-së, Burim Ramadani. Ai edhe tani është kryeinspektor në AKI.
Është shkarkuar nga Qeveria Kurti kryeinspektorja e Policisë së Kosovës, Miradije Kelmendi. Nga Qeveria Hoti është shkarkuar drejtori Rashit Qalaj.