Arbëri

Kosova e Serbia ende pa zgjidhje për targat, BE-ja kërkon angazhim

Angazhim nga palët ka kërkuar Bashkimi Evropian, në prag të përfundimit të afatit brenda të cilit duhet të gjendet një zgjidhje e përhershme midis Kosovës dhe Serbisë për targat. Në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka thënë se u kanë ndihmuar grupeve punuese në identifikimin e opsioneve ekzistuese. E këto alternativa nuk i ka bërë të ditura zëvendëskryeministri Besnik Bislimi

Përmbushjes së pikës së fundit të marrëveshjes së arritur në fund të shtatorit të vitit të kaluar, i është afruar afati i përcaktuar. Kosovës dhe Serbisë u kanë mbetur edhe dy javë e gjysmë që të gjejnë një zgjidhje të përhershme për targat. Afati prej gjashtë muajsh nga marrëveshja e arritur për zhbllokimin e situatës në pikat kufitare me Serbinë, përfundon më 21 prill.

Deri më tani, grupet punuese të të dyja shteteve janë takuar gjashtë herë, por që nga takimet nuk janë ndarë detaje të diskutimeve. Njësoj ka vepruar edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të premten. Kur nga anëtarë të komisionit për integrim evropian është pyetur për ecurinë e diskutimeve, Bislimi ka bërë të ditur se deri më 21 prill, grupet punuese do të takohen edhe dy herë. Takimi i ardhshëm është ai i së enjtes, më 7 prill, derisa takimi i fundit në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje do të mbahet një ditë para përfundimit të afatit, më 20 prill.

“Të enjten e ardhshme do të takohen grupi punues i Kosovës dhe grupi punues i Serbisë do të mundohen ta finalizojnë marrëveshjen për targat. Ne shpresojmë se do të jetë qasje konstruktive e të dyja palëve që do të çonte te një zgjidhje dhe takimi tjetër mbahet më 20 prill. Më datën 21 prill duhet të dalë raporti final a kemi zgjidhje apo nuk kemi zgjidhje”, ka thënë Bislimi.

Sipas zëvendëskryeministrit Bislimit, palëve u janë dhënë alternativa të ndryshme dhe se Kosova dhe Serbia duhet të zgjedhin atë që u përshtatet.

“Pala jonë është duke negociuar me mirëbesim, me idenë që të arrijmë një zgjidhje finale që e avancon situatën e tanishme në një zgjidhje permanente dhe sipas standardeve e praktikave më të mira të BE-së. Këto janë dy kriteret bazë në të cilat orientohet grupi ynë. Ajo çka ka ndodhur në Bruksel është se palëve u janë dhënë alternativa të ndryshme, të cilat nuk është mirë të diskutohen për momentin, sepse mund të ndikojë negativisht në proces dhe palët detyrohen që brenda këtyre alternativave të zgjidhin preferencën e tyre, por duke pasur parasysh këto dy principe: të jetë zgjidhje permanente dhe të jetë në harmoni me praktikat dhe standardet më të mira të BE-së”, ka deklaruar Bislimi, duke shtuar se zgjidhja e cila duhet të arrihet nuk mund të jetë vazhdimi i situatës aktuale.

“Stickersat as nuk janë zgjidhje permanente as nuk janë në harmoni me standardet e BE-së. Do të thotë në çfarëdo zgjidhje që vijmë është avancim i situatës dhe është përmirësim i gjendjes ekzistuese”, ka thënë ai.

Se do të ketë takime të tjera të grupit të punës përpara përfundimit të tij e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së për Politike të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në takimin e fundit ka pasur diskutim konkrete. E derisa fundi i afatit është afër, në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka bërë thirrje për angazhim nga palët.

“Më 11 mars 2022 është mbajtur mbledhja e gjashtë e grupit punues për targa. Në këtë takim vazhdoi diskutimi konkret i thelluar. BE-ja ndihmoi të dyja delegacionet në identifikimin e të gjitha opsioneve ekzistuese dhe implikimeve të tyre teknike. Ne gjithashtu i inkurajuam ata që të angazhohen në gjetjen e bazës së përbashkët, pasi fundi i mandatit të grupeve punuese po afrohet. Grupi i punës mblidhet rregullisht në mënyrë që të paraqesin gjetjet konkrete brenda 6 muajve nga takimi i parë më 21 tetor 2021. Do të ketë takime të tjera të Grupit të Punës përpara se mandati i tij të përfundojë më 21 prill 2022”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Marrëveshje mbi praktikat e standardet e BE-së, ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se zgjidhja e përkohshme për letër ngjitësit në targat ka qenë zgjidhje momentale dhe nuk është “një zgjidhje që prodhon diçka”.

Kadrijaj ka thënë se shpresojnë që zgjidhja e cila do të gjendet deri në fund të afatit të caktuar, të jetë e përhershme dhe konform standardeve evropiane. Ajo ka kërkuar që për këtë çështje, pas arritjes së marrëveshjes, si Kuvend të informohen për detaje dhe ecurinë e diskutimeve.

“Ne duhet të kërkojmë nga Qeveria që të jetë transparente pas përfundimit të këtij afati dhe duhet të raportojnë se çfarë është arritur dhe çfarë nuk është arritur, cilat janë opsionet që janë ofruar në këtë drejtim dhe normal që qeveria duhet të insistojë në opsionin më të mirë të mundshëm për zgjidhjen kësaj çështjeje”, ka deklaruar ajo.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, në të cilën është rregulluar çështja e përdorimit të targave, mes Kosovës dhe Serbisë, është arritur në vitin 2011 e finalizuar më 2016. Sipas saj, targat neutrale KS do vlenin pesë vjet, e kjo periudhë përfundoi në shtator të 2021, kur Kosova vendosi reciprocitet në përdorimin e tyre.

E një vendim i tillë, nxiti reagimin e serbëve, të cilët për rreth dy javë bllokuan pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Zhbllokimi i situatës u arritur, vetëm pasi në Bruksel u arrit një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, e që ndër tjerash caktoi afatin prej gjashtë muajsh për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për targat.