Arbëri

Barazi palësh në dialog, kërkesa e Osmanit dhe Kurtit në takim me emisarin Peach

Deklarime para mediave pas takimeve në Prishtinë të emisarit Peach me presidenten Osmani dhe me kryeministrin Kurti nuk ka pasur. Porse në komunikatat e lëshuara nga Presidenca dhe Zyra e Kryeministrit, pas përfundimit të tyre, është specifikuar që në bisedime është kërkuar barazia e palëve në dialogun Kosovë-Serbi

Barazi të palëve në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë e kanë kërkuar të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë takimeve të ndara që kanë pasur me emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, sir Stuart Peach.

Ish-ushtaraku dhe diplomati britanik ka qëndruar të enjten për vizitë në Kosovë, pasi që më herët ka vizituar Serbinë, dhe është takuar me krerët institucionalë. Dialogu ka qenë kryetema e takimeve. Porse lidhur me bisedimet, asnjëra palë nuk është deklaruar për media.

Nëpërmjet një njoftimi për media, të lëshuar pas përfundimit të takimit, Presidenca ka njoftuar se shefja e shtetit ka vlerësuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesorë të Kosovës në procesin e “çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit”.

“Duke folur për zhvillimet aktuale politike, presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohje reciproke. Sipas presidentes Osmani, dialogu duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë”. Osmani ka përsëritur qëndrimin se pala kosovare është konstruktive në dialog, teksa ka akuzuar atë serbe se po shkakton obstruksione, duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara.

Para Osmanit, emisarin britanik në takim e ka pritur kryeministri Kurti. Gjatë këtij takimi thuhet se është potencuar që barazia e palëve në dialog dhe kontributi që Peachi mund të japë në këtë proces ishin në mesin e temave të diskutimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit. “Kurti ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara. Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut”, thuhet më tutje në komunikatë.

Takim emisari Peach ka pasur edhe me zëvendëskryeministrin e Qeverisë, Besnik Bislimi. Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, emisari britanik ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit me autoritetet në Kosovë. Ndërsa Bislimi ka ritheksuar parimet e rëndësishme të dialogut, duke treguar njëkohësisht se çfarë pret shteti i Kosovës nga ky proces.

Ndërkaq deklarime për media nga ana e emisarit britanik nuk ka pasur.

Para vizitës në Kosovë, Sir Stuart Peach ka qëndruar në Serbi. Aty ai ishte takuar me liderë institucionalë dhe me përfaqësues të opozitës e shoqërisë civile. Në përmbyllje të vizitës në Serbi, Peachi, nëpërmjet një video-mesazhi, ka theksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa në një njoftim të lëshuar nga Presidenca në Beograd, gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Peach ka deklaruar se bashkë me partnerët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi. Sipas njoftimit, Vuçiqi kishte thënë se Serbia po vazhdon të bëjë përpjekje për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët.

Peach më 27 janar kishte vizituar Malin e Zi dhe më 31 janar edhe Maqedoninë e Veriut. Për vizitë në Shqipëri kishte shkuar pas protestës së mbështetësve të ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë së cilës ka pasur përplasje dhe intervenim nga ana e policisë. Ndërkaq në Bosnjë-Hercegovinë ka qëndruar gjatë dhjetorit të shkuar, duke e përçuar mesazhin e angazhimit për forcimin e shtetit në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në.

Në postin e të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Peach ishte emëruar në dhjetorin e shkuar.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë asokohe se emërimi i tij është dëshmi e përkushtimeve të vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Emërimi i tij në Kosovë është vlerësuar si një hap pozitiv për pozitën e vendit në procesin e dialogut.

Erblin Hoxha, hulumtues në Lëvizjen “Fol”, ka thënë se emërimi i emisarëve është në kuadër të angazhimeve për riaktualizimin e nevojës për zgjidhjen e problemit midis Kosovës e Serbisë.

“Duhet ta kuptojmë që komplet logjika e dërgimit të përfaqësuesve specialë nuk është me një agjendë paraprake, por është për ta matur pulsin në cilat fushëveprimtari të ndryshme brenda dialogut mund të ketë progres, ku mund të kemi problematika në të ardhmen, dhe duket se kjo është një përgatitje e strategjisë për një dialog të ri, ngase dialogu i vjetër nuk do të ekzistojë dhe nuk do të vazhdojë”, ka thënë Hoxha në KTV.

Para emërimit emisar, Peach ka qenë shef i Komitetit ushtarak të NATO-s, pozitë kjo të cilën e ka mbajtur që nga viti 2018. Më herët kishte shërbyer edhe si shef i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në vitin 2000 ka qenë edhe komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë, në të cilën cilësi edhe kishte qëndruar një herë më herët në vend.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur më 2011. Deri më tani janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por jo të gjitha prej tyre kanë gjetur zbatim në terren.

Është në proces përgatitja e një takimi të radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq, porse gjasat për mbajtjen e tij para zgjedhjeve të prillit në Serbi po vlerësohen si të pakta.