Pesë dekadat e fundit të arsimit në Kosovë janë përcjellë me ndryshime të mëdha dhe jo të lehta. Dekadë pas dekade, ky sektor është shoqëruar me sfida nga më të ndryshmet.
Në vitet e ‘70 të shekullit të kaluar, arsimit i kushtohej rëndësi e madhe, proceset arsimore kishin nisur të marrin hov të zhvillimit e planprogramet mësimore filluan të hartoheshin nga ekspertët kosovarë. Por, ndikimi i politikës në arsim nisi në vitet 1980-1991, kur filloi ndjekja dhe përjashtimi i ekspertëve dhe mësimdhënësve nga shkollat, me politikë kundër arsimit shqip që zbatonte pushteti serb, ndodhën edhe dëbimet me dhunë të nxënësve e mësimdhënësve nga institucionet arsimore, shkruan “Koha Ditore” në numrin festiv të Vitit të Ri.
Etapë tjetër jo e lehtë për arsimin në Kosovë u shënua në vitet 1991-1999 kur u krijua sistemi i pavarur arsimor, dhe proceset mësimore vazhdonin edhe nën okupim. Ndonëse me pengesa të mëdha nga pushteti serb, mësimdhënësit kosovarë kishin vullnet të madh të punonin nëpër shtëpi shkolla.
Vitet e pasluftës shënuan kthesë dhe transformim të plotë të arsimit. Filloi zbatimi i metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies, të bazuara në standarde dhe objektiva mësimore. Por gjatë këtyre 18 vjetëve u ndërmorën disa hapa të cilët mësimdhënës që janë aktivë në arsim tash e 40 vjet i konsiderojnë më shumë si eksperimente.
Aktualisht arsimi në Kosovë po përballet me kurrikula që nuk përshtaten me tekstet shkollore, me numër të madh nxënësish në shkolla, me rezultate jo të mira të nxënësve në teste ndërkombëtare e shumë probleme të tjera.
Mësimdhënësja me përvojë 40-vjeçare në arsim, Kimete Konjusha-Dida bën një krahasim me gjendjen që ka qenë në këtë sektor që nga vitet e ‘70 deri më tani. Ajo tregon se që nga koha kur ka filluar të punojë e deri në ditët e sotme janë shënuar ndryshime të shumta në arsim.
Puna në profesionin e mësimdhënëses që nga viti 1977 nuk e ka lodhur aspak 61-vjeçaren, e cila për herë të parë nisi punën në shkollën “Hasan Prishtina”, për të kaluar 3 vjet më pas në shkollën “Ismail Qemali” që atë kohë quhej “Josip Broz Tito”.
Me nostalgji të madhe e kujton ditën e parë të punës në shkollën fillore “Hasan Prishtina” ku për herë të parë kishte marrë ditarin për të dalë para nxënësve. Vitet kalonin shpejt e ajo çdo herë e më shumë lidhej shpirtërisht me profesionin të cilin e kishte dashur gjithmonë. Atë e gëzonte shumë fakti që në vitet e ‘80 filloi edhe të shtohej numri i mësimdhënëseve femra, pasi në kohën kur kishte filluar të punonte ajo numri i femrave në arsim nuk ishte i madh... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin festiv të “Kohës Ditore” për Vitin e Ri)